Kapitenia e Kosovës, Leonora Demaj, ishte golashënuesja më e mirë e fazës së parë të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2025 të hendbollit.
Ndeshjet janë të luajtur prej të premtes deri të dielën, ndërsa në fazën e parë u paraqitën 12 përfaqësuese evropiane. Kosova e fitoi njërin prej katër grupeve dhe u kualifikua në fazën e dytë. Ndaj Belgjikës, të premten në Hasselt, Demaj i shënoi 11 gola. Shkëlqeu edhe më shumë të shtunën ndaj Bosnjë-Hercegovinës, duke i realizuar 13 gola. Kosova i fitoi të dy ndeshjet dhe avancon në fazën e dytë, për herë të dytë.
“Pas kualifikimit në fazën e dytë në edicionin e kaluar, Kosova arriti në fazën e njëjtë sërish. Në kualifikimet për Kupën e Botës 2023, Kosova ishte eliminuar në fazën e dytë nga Polonia. Për Botërorin 2025, te Kosova shpresojnë të arrijnë më shumë. Për fat, e kanë armën e fshehtë në Leonora Demajn. 27-vjeçarja mori vëmendjen e turneut në Belgjikë, ku i shënoi 24 gola në dy ndeshje, më shumë se çdo lojtare tjetër”, ka shkruar sajti zyrtar i Federatës Evropiane të Hendbollit.
Demaj bën karrierë në Danimarkë. Në këtë vend paraqitet edhe Marigona Hajdari, që vlerësohet “truri” i përfaqësueses së Kosovës, si dhe Arlinda Hajdari, që jep kontribut të madh te Kosova në mbrojtje e sulm. Marigona e Arlinda janë motra.