Kurrë nuk është vonë për t’u bërë yll.
Emilio Nsue 34-vjeçar, mbrojtës i krahut të djathtë te një ekip i divizionit të tretë të Spanjës, ka shpërthyer si një yll i papritur në Kupën e Afrikës. Kapiteni i Guinesë Ekuatoriale ka tashmë pesë gola, më shumë se çdo lojtar tjetër, dhe ka udhëhequr përfaqësuesen në fazën eliminatore si fituese e pamposhtur e një grupi të vështirë që përfshinte Nigerinë, Bregun e Fildishtë dhe Guinea-Bissaun.
Është vetëm hera e katërt që Guinea Ekuatoriale, një vend i vogël në bregun perëndimor të Afrikës, merr pjesë në turneun e kontinentit.
“Ne ende nuk po besojmë se e kemi kaluar grupin. Kjo është histori për vendin tonë, për popullin tonë”, tha Nsue, i cili luan si sulmues te Përfaqësuesja e Guinesë Ekuatoriale. “Është një ëndërr, një ëndërr e madhe”.
Të hënën Nsue shënoi dy gola kur Guinea Ekuatoriale mposhti Bregun e Fildishtë 4:0 dhe e la vendin pritës në prag të eliminimit.
“Ndonjëherë kjo ndodhë në futboll. Patëm katër ose pesë gjuajtje, shënuam katër gola. Pra, ishte diçka e papritur për ne”, tha Nsue. “Ata u përpoqën dhe u angazhuan por ne ishim me të mirë. Ne treguam edhe një herë se si grup jemi shumë të fortë. Ne luftojmë për njëri-tjetrin. Ne ndihmojmë njëri-tjetrin. Ne nuk kemi asnjë superyll. Por si ekip, ne jemi një nga më të fortët në Afrikë”.
Në ndeshjen e mëparshme, Nsue shënoi “hat-trick” në triumfin kundër Guinesa-Bissaut me shifrat 4:2. Ishte tregolëshi i parë në Kupën e Afrikës pas 16 vjetësh dhe Nsue u bë lojtari më i vjetër që ka shënuar tre gola në një ndeshje të këtij turneu.
Në fakt, pesë golat e Nsuet janë më shumë se shifra e çdo lojtari tjetër në fazën e grupeve prej vitit 1970, kur Laurent Pokou kishte shënuar shtatë gola në turneun e mbajtur në Sudan. Topi zyrtar i Kupës së Afrikës mbanë emrin “Pokou” në shenjë kujtimi për ish-sulmuesin e Bregut të Fildishtë. Ndërsa, topi për turnetë në të ardhmen mund shumë lehtë të quhet “Nsue” në nderim të kapitenit pak të njohur të ekipit të vogël të Guinesë Ekuatoriale.
I lindur në Spanjë, Nsue luan për ekipin Club de Futbol Intercity në Alicante, i cili bën gara në kategorinë e tretë të futbollit spanjoll. Si lojtar i fortë dhe i përgatitur fizikisht, ai zakonisht luan mbrojtës i krahut të djathtë, ndonëse mund të aktivizohet edhe si sulmues krahu. Ka luajtur për shumë klube qëkur u formua si lojtar në gjeneratat e klubit të qytetit të lindjes, Mallorca. Ka qenë pjesë e Real Sociedadit në Spanjë, Middlesbrough dhe Birmingham në Angli, APOEL e Apollon Limassol në Qipro dhe Tuzla City në Bosnjë e Hercegovinë. Iu bashkua Intercityt të Spanjës në vitin 2022.
Nsue e filloi karrierën si sulmues dhe ka luajtur vazhdimisht në këtë pozitë, pos kur i kërkohej të luante në mbrojtje. Ai luajti në nivelin e të rinjve për Spanjën përpara se të zgjidhte për ta përfaqësuar vendin e babait të tij në vitin 2013. Ai thotë se suksesi i Guinesë Ekuatoriale është falë grupit të lojtarëve të krijuar nga Juan Micha, i cili ishte ndihmëstrajner dhe drejtoi ekipet e të rinjve të këtij vendi, përpara se të merrte detyrën e selektorit të ekipit të parë.
“Ne jemi vëllezër, shtatë apo tetë vjet ka që luajmë bashkë. Ne e njohim njëri-tjetrin shumë mirë”, tha Nsue. “Ne jemi miq dhe mendoj se kur shkojmë në fushë, mund ta ndjeni këtë lidhje që e kemi. Ne vrapojmë për njëri-tjetrin. Ne jemi një familje. Ne përpiqemi të ndihmojmë njëri-tjetrin. Ne japim emocione pozitive. Unë mendoj se ky është çelësi i suksesit tonë këtë herë”.
Nsue tha se “do të luftojë deri në fund” për të dalë golashënuesi më i mirë i turneut. Por ai thotë se më i rëndësishëm është suksesi i Guinesë Ekuatoriale sesa suksesi personal.
“Në futboll, ju e dini, ndonjëherë mund të më ndalojnë për të mos shënuar gola, ndonjëherë jo”, tha Nsue. “Tani jam në një moment shumë të mirë dhe synoj të vazhdoj me këtë ritëm. Por, për mua, gjëja më e rëndësishme është që përfaqësuesja ime të vazhdojë të fitojë ndeshje dhe të gjithë njerëzit tanë të jenë krenarë për ne. Ne shkruam historinë dhe do të përpiqemi të vazhdojmë ta shkruajmë”.