Nëse merret për bazë renditja tabelore, Ballkani nuk do të duhej të kishte probleme në udhëtimin te Dukagjini në Klinë. Ballkani kryeson në tabelën e Superligës së Kosovës me 45 pikë, 15 më shumë se Dukagjini i vendit të gjashtë.
Por, rezultatet e ndeshjeve të ndërsjella japin shenja për tjetër sfidë interesante. Forma momentale e Ballkanit po ashtu.
Para fitores 3:1 të Ballkanit në Suharekë në ndeshjen e fundit me Dukagjinin, skuadra suharekase dhe ajo nga Klina kishin barazuar në katër ndeshje rresht me rezultatin 1:1.
Ndeshja e radhës ndërmjet Dukagjinit e Ballkanit zhvillohet të shtunën në stadiumin “18 Qershori”. Nis në orën 13:00 dhe i takon xhiros së 23-të të elitës së futbollit kosovar.
Ballkani nuk ka fituar në Klinë që prej 9 prillit të vitit 2022.
Te Dukagjini, që drejtohet nga trajneri Armend Dallku, ka pasur ndryshime së fundmi. Nga skuadra është larguar Iljasa Zulfiu, një prej më të dalluarve. Rrjedhimisht, barra për fazën sulmuese ka rënë mbi një tjetër lojtar të rëndësishëm te klinasit. Blerind Morina, që ka tri gola të realizuar e katër asistime në Superligë, e vlerëson të vështirë ndeshjen ndaj Ballkanit.
Por Morina ka shtuar se Dukagjini do të luajë vetëm për fitore.
“Ne e vlerësojmë çdo ekip të futbollit të Kosovës, posaçërisht ekipin e Ballkanit që është prej më të fortëve. Por ne kur luajmë në Klinë, pavarësisht respektit që kemi për kundërshtarë, luajmë vetëm për fitore, pasi e kemi edhe mbështetjen e tifozëve, ‘Hithave’. Presim fitore të shtunën dhe asnjë rezultat tjetër nuk vjen në konsideratë”, ka deklaruar Morina të premten për KOHËN.
23-vjeçari, që luan në pozitën e mesfushorit sulmues, ka kontribuuar edhe me dy gola e një asistim në Kupën e Kosovës.
Dukagjini është në çerekfinale të Kupës, ndërsa do të ballafaqohet në mesjavën e ardhshme me Dritën.
Edhe kampioni i dy edicioneve të fundit, Ballkani, është në garë për ta fituar Kupën. Në çerekfinale përballet me Malishevën në “Liman Gegaj”.
Por, fillimisht Ballkani do të mundohet të marrë pikët e plota në udhëtimin e vështirë.
Ballkani i trajnerit Ilir Daja, që vazhdoi kontratën edhe për dy vjet të tjerë me suharekasit, synon fitoren e dytë në stinorin pranveror. E mposhti Lirinë, ndërsa barazoi me Feronikelin 74 e Gjilanin, kurse u mposht në derbi nga Drita. Ballkani është në seri prej tri ndeshjeve pa fitore. Minikrizën shpreson ta kalojë në Klinë.
Ballkani tani e ka vetëm një pikë më shumë se Llapi i vendit të dytë dhe dy më shumë se Drita e vendit të tretë.
Qendërmbrojtësi Gentrit Halili , pavarësisht udhëtimit të vështirë, beson në fitore.
“Ne si skuadër punojmë fort pavarësisht rezultateve. Mundohemi që t’i përmbushim detyrat që na kërkohen nga profesori gjatë stërvitjeve. Pa dyshim se secili prej nesh, në fillim të çdo ndeshjeje, është i bindur për fitore. Shpresojmë që të kemi suksese të tjera, pas atyre që i kemi arritur më parë. Motivi dhe puna nuk po mungon te skuadra jonë. Ne presim që rezultatet pozitive të vijnë e të jenë tregues se jemi duke punuar fuqishëm”, ka thënë Halili për KOHËN.
Gabimin eventual të radhës nga Ballkani do të mundohen ta shfrytëzojnë Llapi e Drita. Llapi po të shtunën nga ora 13:00 luan në udhëtim te Feronikeli 74, kurse Drita përballet me Fushë Kosovën në “Sami Kelmendi”.
Të dielën Prishtina e pret Lirinë, ndërsa Gjilani takohet me Malishevën. Prishtina si nikoqire luan në Lipjan.
Superliga – XXIII
E shtunë (13:00)
Dukagjini – Ballkani
Feronikeli 74 – Llapi
Fushë Kosova – Drita
E diel (13:00)
Prishtina – Liria
Gjilani – Malisheva
1. Ballkani 22 13 6 3 39:20 45
2. Llapi 22 13 5 4 35:17 44
3. Drita 22 13 4 5 29:13 43
4. Malisheva 22 12 2 8 36:26 38
5. Prishtina 22 6 13 3 23:20 31
6. Dukagjini 22 7 9 6 30
7. Feronikeli 74 22 6 5 11 21:34 23
8. Gjilani 22 5 7 10 16:21 22
9. Fushë Kosova 22 2 6 14:37 12
10. Liria 22 1 7 14 14:38 10