Sport

Kampionia shqiptare e viteve gjashtëdhjetë

Pas marrjes së Çmimit special për vepër jetësore nga Komuna e Prishtinës, KOHA rikthen reportazhin për rrugëtimin gjatë viteve gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë të sportistes Shyhrete Pavata - Rexhepi, të botuar në “KOHA Ditore” më 9 nëntor 2014.

Sportistët e gjeneratës së Shyhrete Pavata - Rexhepit e mbajnë në mend si energjike e këmbëngulëse. Federata e Hendbollit e Kosovës i ka dhënë një vlerësim unik: “Lojtarja e parë shqiptare, e cila ishte edhe ikonë e hendbollit femëror”. “Rilindja”, gjatë viteve ’60 dhe ’70, përveç si hendbolliste, ka shkruar për të edhe si kampione federative e ’64-ës në shumëgarësh

Për ata që kanë shpirtin e sportistit, lufta për të fituar nuk ka të mbaruar. Çdo ditë është një garë. Çdo sfidë, një disiplinë e saj. Një ferplej patjetër.

Është një moto që ka gruaja, e cila të tillë po e jeton dekadën e shtatë. Emri i saj mund të gjendet në Monografinë e hendbollit kosovar dhe në arkivin e “Rilindjes” të viteve ’60 e ’70 në Bibliotekën Kombëtare. E motoja është: “Sporti të largon nga të këqijat”.

Në monografi ajo është quajtur “ikonë e hendbollit femëror”, e “Rilindja” përveç si hendbolliste ka shkruar për të edhe si kampione federative e vitit ’64 në shumëgarësh.

Shyhrete Pavata - Rexhepi sot thotë që sportin e ka mënyrë të jetesës, andaj vitet gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë nuk i sheh si diçka të jashtëzakonshme.

Kanë kaluar 40 vjet qëkur ajo nuk merret aktivisht me sport. Por, sa herë që i jepet rasti të luajë futboll, e bën me shumë qejf. Lëre më të përcjellë krejt çka ka të bëjë me sportin në televizor. I lexon edhe faqet sportive të gazetave, e portalet thotë se janë të mira, sepse shumë shpejt tregojnë se si janë vlerësuar lojtarët pas një ndeshjeje futbolli.

Kur rrëfen për të kaluarën, preferon të tregojë për kujtimet më shumë se për problemet apo arritjet. Thotë se ka garuar prej se di për veten, por në botën e vërtetë të sportit ka hyrë në vitin 1959, kur është regjistruar në Shkollën Normale të Prishtinës. Krejt çka ka bërë në sport deri më 1973, thotë se është thjesht jeta e saj, ashtu sikurse edhe familja që e ka krijuar më pas.

“Ka qenë dëshirë, kënaqësi dhe thjesht mënyrë e jetesës. Nuk kemi pritur asnjëherë asgjë në shkëmbim. As që kemi menduar andej”, tregon ajo, ndonëse kushtet i kanë pasur shumë të vështira. E pranon se çdo herë është emocionuar nga brohoritjet e tifozëve. Posaçërisht kur të tillë kanë qenë studentët apo ushtarët shqiptarë, varësisht se në cilat vende të ish-Jugosllavisë janë mbajtur garat, ku është përfaqësuar Kosova.

Ata, thotë, i kanë dhënë zemër dhe, madje, e kanë shtyrë që “t’ia kalojë edhe vetvetes”. Është ndier mirë kur ka shkruar “Rilindja”, por megjithatë insiston “emocioni të përfshin në fushë”.

Stadiumi që e kthen kohën

Është një stadium, siç është quajtur, i sporteve të vogla midis Prishtinës, për të cilin gjeneratat e reja nuk dinë se ekziston. Por kur Shyhretja kalon andej, koha kthehet pas. Ajo dëgjon brohoritjet dhe zemra fillon t’i rrahë më fort. Thotë se magji ka ai vend. Që është fatkeqësi se si autoritetet sportive apo komunale e kanë lënë ashtu të shkretë. Sot ky stadium është shndërruar në parking, shkallët janë mbushur me bërllok e zhveshtoret shërbejnë si “shupa”. Ai gjendet prapa ndërtesës së Qeverisë.

Image
Është një stadium, siç është quajtur, i sporteve të vogla midis Prishtinës, për të cilin gjeneratat e reja nuk dinë se ekziston. Por kur Shyhretja kalon andej, koha kthehet pas. Ajo dëgjon brohoritjet dhe zemra fillon t’i rrahë më fort. Thotë se magji ka ai vend. Që është fatkeqësi se si autoritetet sportive apo komunale e kanë lënë ashtu të shkretë

Në vitet gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë ai vend ka mbledhur me qindra tifozë, që janë ulur në shkallët përreth stadiumit, ku secili vend e ka pasur nga një numër.

"Në çdo ndeshje, shkallët ishin përplot të mbushura me tifozë që na përkrahnin. Krijohej një atmosferë e jashtëzakonshme, të kënaqej zemra", thotë ajo, derisa me dorë tregon se ku kanë qenë portat e koshat.

Hendbollistja që ka luajtur 10 vjet për ekipin e Prishtinës, thotë se çdo stërvitje e kanë nisur me vrap nëpër ato tribuna , që si strukturë betoni, u kanë mbijetuar dekadave.

"Nxehjen e kemi bërë nëpër këto shkallë, duke vrapuar poshtë e lart", thotë ajo derisa ecë nëpër to. "Këtu e kemi kaluar kohën më të madhe, pasi ishte stadiumi i vetëm i sporteve të vogla në Prishtinë".

Aty kanë garuar ekipet kosovare ndërmjet vete dhe me ekipe të tjera nga jashtë në basketboll, hendboll e disiplina të tjera. Aty është bërë tifozllëk, por jo vetëm.

“Droni nuk ka fluturuar mbi këtë stadium, por ndasi dhe elektrizim mes ekipeve ka pasur”, ka treguar ajo.

Karrierën në hendboll e ka nisur në Shkollën Normale, ku posa është regjistruar, është bërë pjesë edhe e “Normalistit”. Pas rreth katër vjetësh, më 1964, atë e ka marrë ekipi i “Prishtinës”.

Image
Ekipi i hendbollit “Normalisti” (Shyhrete Pavata-Rexhepi e para nga e majta)

“’Normalisti’ ka qenë ekip shumë i suksesshëm, si ai i femrave, ashtu edhe ai i meshkujve. Të gjithë kemi qenë shumë të rinj dhe plot vullnet”, tregon Shyhretja. Teksa i tregon fotot e fillimviteve gjashtëdhjetë bën me dorë nga disa lojtare që kanë luajtur zbathur. “S’kemi pasë kushte atëherë, por dëshirë kemi pasë kaq shumë”, thotë ajo, duke rikthyer qejfin e asaj kohe që tash e bën t’i qeshet fytyra.

Image
Ekipi i hendbollit “Prishtina” (Shyhrete Pavata-Rexhepi e para nga e djathta, në këmbë)

Kolegët e saj e mbajnë në mend si energjike e këmbëngulëse. Kurse Federata e Hendbollit e Kosovës në Monografinë e publikuar i ka dhënë një vlerësim unik: “Lojtarja e parë shqiptare, e cila ishte edhe ikonë e hendbollit femëror”.

“Pivotmene e dalluar”

Derisa Shyhretja thotë se sukseset nuk do t’ia kishte dalë t’i arrinte asnjë sportist i gjeneratës së saj pa përkrahjen e pakusht që ia kanë dhënë njëri- tjetrit, shokët e sportit rikthejnë kujtimet shumë dekada pas.

Agim Kasapolli, që basketbollin e ka luajtur jo veç për të fituar, por edhe për të kënaqur ata që e kanë parë, thotë se deri më tani nuk kanë arritur të përsëriten gjeneratat e arta në disa sporte, si: hendboll, basketboll dhe boks. Në hendboll veçon ekipin e femrave të “Prishtinës” dhe atë të meshkujve të “Borcit” nga Ferizaj. Në boks e ka fjalën për klubin e “Prishtinës” derisa në basketboll janë lojtarët e “Universitetit”.

Ai ka zbuluar se Shyhretja që gjatë kohës kur shkëlqente me fanellën e “Prishtinës” kishte pasur edhe oferta për të luajtur nëpër skuadrat jashtë Kosovës. Mirëpo, i kishte refuzuar. Agim Kasapolli e mban në mend shumë mirë ekipin e femrave të “Prishtinës” dhe lojën e pivotit të këtij ekipi, Shyhretes, për shkak se ishin të të njëjtit brez.

Image

"Thjesht, ishte lojtare e mrekullueshme apo shqiptarja që ka luajtur më së miri hendboll. Pivotmene e dalluar, që është kërkuar edhe prej skuadrave të Maqedonisë", shprehet Kasapolli. "Ishte gjenerata e parë që ka përfaqësuar shqiptarët në hendbollin e femrave dhe të gjithëve na ka bërë të ndihemi krenarë me rezultatet e tyre".

Për hendollistet e “Prishtinës” ka treguar edhe profesori që ka dhënë mësim në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit, Mehdi Jashari, e që asokohe ka qenë po ashtu hendbollist i dalluar. Thotë se ajo gjeneratë vështirë se mund të përsëritet.

"Ishte gjenerata, e cila ka arritur rezultatet më kulmore që kanë mundur të arrihen gjatë asaj kohe. Ka qenë një ekip jashtëzakonisht i mirë, me të cilin janë krenuar të gjithë shqiptarët", thotë Jashari. "Vështirë se mund të përsëritet një gjeneratë e tillë, për shkak të sukseseve, që për mendimin tim vështirë se do të mund të përsëriten".

Ai flet për shtylla të ekipit të femrave të “Prishtinës”.

"Shyhretja së bashku me Kaqushën (Fejzullahu- Jashari, v.j.) kanë qenë shtyllat e asaj skuadre të ‘Prishtinës’, e cila ishte e vetmja e femrave që përfaqësonte shqiptarët", shprehet ai.

Shyhretja tregon për vullnetin që e ka mbajtur ekipin gjallë.

"Kemi pasur një ekip shumë të mirë dhe vullneti për të luajtur ishte jashtëzakonisht i madh", thotë ajo. "Nuk kemi marrë asnjë cent, edhe pse kushtet ishin të vështira në krahasim me tash. Klubi na i ka siguruar fanellat, patikat dhe rrugën kur kemi shkuar për të luajtur".

Image

Ushtarët shqiptarë në Nish

Prej vitit 1964 e deri në vitin 1973, sa ka luajtur për “Prishtinën”, që ka qenë ekipi i vetëm i femrave të hendbollit, që garonte në ligën e Serbisë, ka marrë pjesë në ndeshje në qytete të ndryshme dhe befasitë nuk kanë munguar.

Loja që e veçon është ajo që “Prishtina” e luajti si mysafire në Nish të Serbisë, kah fundi i viteve gjashtëdhjetë.

“Pata mbledhur krejt forcat dhe me gjithë shpirtin e doja fitoren. Por kur kësaj iu shtuan brohoritjet ‘Shyhret, Shyhret,...’ midis Nishit, ndjenjën nuk mund ta përshkruaj as sot. Ishin ata ushtarët shqiptarë që kishin ardhë për ta parë lojën”, tregon ajo. Por ndeshja nuk kishte pasur veç befasi të mirë për të. “Aty e provova edhe shutin më të fortë në bark..., ma pati bllokuar frymëmarrjen. Nuk e harroj asnjëherë”.

Image

Përveç emocionit që ua kanë dhënë tifozët, dhe përkrahjes që sportistët e asaj gjenerate ia kanë dhënë njëri-tjetrit, Shyhretja thotë se hendbolli kosovar nuk do të arrinte aq shumë pa mbështetjen e disa emrave.

“Ishin Xhavit Spahiu, Mustafa Rezniqi, Fahri Buçinca, Esat Stavileci, Mehdi Jashari..., që kontribuuan në zhvillimin e këtij sporti. Ndërsa tani janë ata që ndihmuan ndërkombëtarizimin e hendbollit”, ka thënë ajo. “Shpresoj që gjeneratat që kanë fatin ta përfaqësojnë sot Kosovën në skenën ndërkombëtare, do ta bëjnë këtë sa më mirë që të jetë e mundur”.

Kampionia shqiptare e ’64-ës

Nga loja aktive në hendboll Shyhretja u nda më 1973. Më 1967 ishte punësuar në Radio Prishtinë, por për gjashtë vjet ajo nuk e kishte lënë as sportin. Madje, nuk ka qenë vetëm hendbolli ku është treguar e suksesshme.

“I kam dashur të gjitha sportet, sikurse tani, vetëm se atëherë edhe i kam luajtur”, tregon Shyhretja, e cila qysh në vitin ‘60 e ka përfaqësuar shkollën e vet brenda dhe jashtë Kosovës. Është diku 14-15-vjeçare, duke qëndruar gatitu në mesin e katër vajzave në njërën nga fotot në garën e atletikës në Paraqin.

Image
Është diku 14-15-vjeçare, duke qëndruar gatitu në mesin e katër vajzave (e dyta nga e djathta) në njërën nga fotot në garën e atletikës në Paraqin. Nuk e kishte menduar që do ta bënte Kosovën të mburrej me të veç katër vjet më vonë, kur në garat federative në shumëgarësh në Bosnjë do ta fitonte vendin e parë

Nuk e kishte menduar që do ta bënte Kosovën të mburrej me të veç katër vjet më vonë, kur në garat federative në shumëgarësh në Bosnjë do ta fitonte vendin e parë.

“Shyhrete Pavataj fitoi titullin e kampiones shtetnore me 2.219 pika, ndërsa Vera Panzova zuni vendin e dytë... Suksesin e Shyhretes dhe Verës pak kush e ka pritë prandej ky na gëzoi ma së shumti”, ka shkruar “Rilindja” e datës 10 korrik të vitit 1964.

Image
“Shyhrete Pavataj fitoi titullin e kampiones shtetnore me 2.219 pika, ndërsa Vera Panzova zuni vendin e dytë... Suksesin e Shyhretes dhe Verës pak kush e ka pritë prandej ky na gëzoi ma së shumti”, ka shkruar “Rilindja” e datës 10 korrik të vitit 1964

Bëhet fjalë për Kampionatin XIII të Jugosllavisë në shumëgarëshin e shoqërive “Partizan”, i cili u mbajt më 4 dhe 5 korrik në Tuzëll. Shyhretja tregon se ka qenë një gjashtëgarësh, që përfshinte kërcimin së larti, së gjati, hedhjen e topit, paralelet, notin dhe vrapimin në 60 metra.

"Kur ma thirrën emrin nuk po mund të besoja. Ishte një gëzim shumë i madh për mua, por edhe për plot shqiptarë, kryesisht të rinj që po studionin jashtë Kosovës e që kishin ardhur për të ndjekur garat. Ne po rrinim të gjithë së bashku kur i shpallën rezultatet”, i rikthen ajo momentet e fiks një gjysmë shekulli më parë.

“Rilindja” shkruante se Shyhretja ishte në mesin e sportistëve që përfaqësonin Podujevën dhe Prishtinën në këtë garë. Kjo gazetë ia kujton edhe asaj disa gjëra që i kishte harruar e që kishin ndodhur asokohe në këtë kampionat.

"Anëtarët e ekipit prishtinas, me siguri, kishin me fitue flamurin kalimtar të Kryetarit Tito sikur mos të kishte ngja diçka e jashtëzakonshme me fajin e tyne. Pikat e tyne nuk u llogaritën për plasmanin e përgjithshëm t'ekipeve sepse katër prej tyne s'dijtën me notue!", është shkruar në artikullin e “Rilindjes”. "Megjithatë në konkurrencën individuale dy prishtinase zunë vendet e para. Shyhrete Pavataj fitoi titullin e kampiones shtetnore me 2.219 pika, ndërsa Vera Panzova zuni vendin e dytë”.

Shenjën e flakëruar me ar të kampiones e kishte mbajtur një kohë të gjatë, e diplomën e ka ende në shtëpi.

“Mbiemrin dhe emrin ma kanë shkruar me gabime. Kemi qeshur posaçërisht me mbiemrin, nga ‘Pavata’ e kishin shndërruar në ‘Pivota’, sikur ta dinin se e luaja hendbollin”.

Për të arritur në kampionatin shtetëror garuesit nga Kosova duhej të kalonin kualifikimet në Mitrovicë, prej ku tri vendet e para shkonin për kualifikime në Svetozarevë.

“Patëm shkuar atje me tren dhe gjumin e patëm bërë të gjithë në një hapësirë të madhe, si ushtarët... Ishte sfidë ta ruaje jastëkun derisa flije. Veç kur të prishej gjumi nga dikush, që ta vidhte jastëkun, ngase nuk mjaftonin”, tregon Shyhretja, derisa qeshet me momentet e vogla që e ia kanë bërë përvojën unike. “Në Svetozarevë, shqiptarëve na e bënin me hile. Mezi ma patën dhënë vendin e tretë, por rezultatet e Tuzllës i përmbysën ato”.

Derisa i qeshet me “jastëkët e Svetozarevës”, kur i kërkohet të tregojë për patikat, ditën që po nisej për në Tuzëll, thotë “le atë punë krejt”.

“E kishim lënë të takoheshim për t’u nisur bashkë andej, dhe duke ecur rrugës për te vendtakimi ma lëshuan patikat. U shqyen. U ndala te një këpucëtar aty në rrugën ‘Ramiz Sadiku’, që të m’i qepte”.

Pavarësisht patikave, të arnuara apo jo, ishte dëshira për të garuar e për të fituar ajo që e shpiu përpara.