Kampionia e Evropës për vitin 2022 në vrapimin 3000 metra me pengesa, atletja Luiza Gega do të jetë pjesëmarrëse e Maratonës “Prishtina 2024”. Kështu është bërë e ditur të mërkurën në konferencën e mbajtur nga drejtuesit e Federatës Atletike të Kosovës, këshillit organizativ dhe Komunës së Prishtinës.
Krahas atletes nga Shqipëria, në konferencë është bërë e ditur se mbi 400 persona kanë paraqitur pjesëmarrjen në edicionin e 23-të të Maratonës “Prishtina 2024”. Gega do të garojë në disiplinën 42 kilometra.
Kryetari i Federatës së Atletikës Halil Sylejmani, tha se vendi i parë do të shpërblehet me tre mijë euro.
“Sot ne jemi mbledhur këtu të shpalosim përgatitjet deri me sot për një maratonë e cila është e 23-ta me radhë në këtë vit. Kjo garë organizohet nga viti 2001, ne këtë herë do të organizojmë bashkërisht me të gjitha mediat. Ne punën tone deri me ta i kemi përanditur të gjitha gjerat. Për të bërë këtë garë duhet të na ndihmojnë të gjithë që kanë mundësi. Vrapimi është të vrapojmë pa kufi pasi është bërë liberalizmi i vizave”, tha ai.
Drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës, Kushtrim Mushica, thotë se Maratona “Prishtina 2024” do të jetë festë. Ai ka ftuar për përkrahje.
“Drejtoria e sportit e përkrah këtë aktivitet, këtë maratonë që është në kalendarin e aktiviteteve sportive me prestigjioze. Pres që të këtë pjesëmarrje sa më të madhe. Ftoj të tjerët, çdo herë do ta mbështesim këtë aktivitet”, tha Mushica.
Gara kryesore do të mbahet në 42 kilometra. Por do të garohet edhe për disiplinën 2 kilometërshe, 5 kilometërshe, 10 e 21 kilometra.