Sport

Kampionia braziliane e hendbollit kosovar

Braziliania Tainara Luna Gonçalves është ndier krenare, por më shumë e befasuar me çmimin e fundit që e ka fituar në Kosovë. Luna Gonçalves është shpallur hendbollistja më e mirë për vitin 2022 në Kosovë, të enjten në ceremoninë e organizuar nga Federata e Hendbollit të Kosovës.

Hendbollistja braziliane tregon se kjo është hera e parë në karrierë që është shpallur më e mira e vitit në një shtet ku ka luajtur. Luna Gonçalves prej vitit të kaluar është pjesë e skuadrës së Istogut. Edicionin e kaluar ajo e fitoi titullin e kampionit të Kosovës dhe Kupën e Kosovës me Istogun. Luna, siç e thërrasin të gjithë, u përzgjodh edhe në shtatëshen më të mirë të vitit 2022.

“Nuk e kam pritur fare këtë çmim. Ishte befasi e madhe kur më tregoi trajneri se jam zgjedhur lojtarja më e mirë e vitit. Kurrë nuk e kam fituar këtë çmim në ndonjë kampionat ku kam luajtur dhe sigurisht se është nder i madh për mua që jam shpallur më e mira e vitit në Kosovë”, pranoi Gonçalves.

34-vjeçarja luan në pozitën e qendrës. Thotë se liga e Kosovës është shumë e mirë dhe po e shijon maksimalisht qëndrimin këtu. I pëlqen shumë Istogu, vend me të cilin tashmë është familjarizuar. Ajo në Istog është prej prillit të vitit të shkuar. Gonçalves para se të vinte në Kosovë, karrierë jashtë Brazilit ka bërë edhe në Spanjë e Norvegji. Tregon se kur mori ofertën për të luajtur në Kosovë nuk kishte njohuri, por i mësoi disa gjëra nga interneti.

“Mendoj se liga këtu është shumë e organizuar në krahasim me Brazilin dhe disa prej vendeve tjera ku kam luajtur. Po e shijoj në maksimum ligën dhe më pëlqen shumë Kosova, sidomos Istogu. Nuk kam ditur asgjë për Kosovën, por kam kërkuar në internet për të mësuar më shumë për vendin dhe historinë përpara se të vija këtu”.

Luna tek Istogu ka ardhur me rekomandimin e shoqes së saj, brazilianes tjetër Dayane Da Rocha.

Da Rocha kishte ardhur më herët dhe kur kishte kuptuar se Istogu po kërkon një lojtare të qendrës e kishte propozuar Gonçalvesin.

“Së pari ka ardhur shoqja ime Dayane dhe më tha se ekipi ka nevojë për një lojtare të pozitës sime. Pasi ka biseduar me trajnerin dhe i ka treguar për mua, e arritëm marrëveshjen dhe iu bashkova Istogut. Kur kam ardhur ekipi kishte probleme dhe nuk ishte aspak e lehtë. Por, së bashku e menaxhuam situatën dhe arritëm të fitonim dy trofetë”, thotë Gonçalves.

Gonçalves insiston se synimi i Istogut është t’i mbrojë trofetë e fituar. Thotë se Istogu ka ekip për ta përsëritur suksesin e vitit të shkuar dhe të gjitha lojtaret janë maksimalisht të motivuara. Në fakt, Luna Gonçalves e vazhdoi bashkëpunimin me Istogun edhe për këtë edicion me shpresën që ekipi do të shkonte larg në garat evropiane. Mirëpo, Istogu u eliminua nga kundërshtari i parë, Çairi i Shkupit, në kuadër të Kupës Evropiane.

“Vendosa të kthehesha pasi synimi ishte të shkonim larg në Kupën Evropiane, por për fat të keq u eliminuam herët. Kjo ishte arsyeja kryesore që u ktheva, por tani dua t’i mbrojmë trofetë e fituar sezonin e shkuar. Kemi ekip të mirë dhe mund t’ia mbaj duke e fituar kupën dhe titullin e kampionit”, tha Gonçalves.

Rrugëtimin në hendboll Luna Gonçalves e përshkruan si madhështor. Ajo fillimisht e kishte provuar veten në një sport tjetër.

Duke pasur parasysh se Brazili është vend i dhënë pas futbollit edhe Gonçalves hapat e parë i kishte nisur në këtë sport, përpara se të zhvendosej në hendboll. Fillimi në hendboll nuk ishte i lehtë për të, kurse fillimisht ishte portiere.

“Kam luajtur hendboll prej moshës 13-vjeçare. Rrugëtimi im në hendboll është i mirë dhe jam e kënaqur. Jam tip sportiv pasi më pëlqejnë të gjitha sportet, futbolli, hendbolli, volejbolli dhe basketbolli. Ne fillim kam nisur me futboll, por përfundova ne hendboll. Edhe në hendboll kam nisur si portierë, por pastaj kam përfunduar në pozitën time”, tha Gonçalves.

Ajo në vjeshtë kishte luajtur për Brazilin në një garë të rëndësishme regjionale. Shpreson që të luaj për Brazilin edhe në të ardhmen.

VIDEO: