Pas dy barazimeve rresht, kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, ka fituar me rezultatin 4:1 ndaj Feronikelit 74 të hënën pasdite në Drenas. Ndeshja Feronikeli 74 - Ballkani i takoi javës së 12-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Ballkani kaloi në epërsi me autogolin e Alban Shabanit në minutën e 15-të, kurse dy minuta më vonë, kampioni shënoi edhe golin e dytë nëpërmjet Sunday Adentunjit.
Suad Sahiti shënoi nga penalltia për 2:1 në minutën e 51-të. Ishte gjithçka që bëri ekipi nga Drenasi në ndeshjen ndaj Ballkanit, që shënoi edhe dy gola tjerë në minutën e 73-të nëpërjet Queven Inacios dhe Bernard Karrica në minutën e 94-t.
Ballkani është kthyer në vendin e parë me 22 pikë nga 12 ndeshje sa ka edhe Malisheva, kurse Feronikeli 74 mbetet në vendin e fundit me tri pikë. Feronikeli 74 është klubi i vetëm që nuk ka fituar asnjë ndeshje në 12 xhirot e zhvilluara në edicionin aktual të elitës së futbollit kosovar. Ka tri barazime e nëntë humbje.
Feronikeli 74 të premten vendosi t’i vazhdoj garat pasi të enjten njoftoi se do të largohet nga garat me arsyetimin se është dëmtuar nga gjyqtarët.