Sport

Joseph është gati për ta shtyrë Pejën drejt titullit

Saktësia në gjuajtjet për tri pikë është arma më e fortë e Devoe Josephit. Këtë “aset” basketbollisti amerikan do të mundohet ta përdorë në serinë finale të plejofit të Superligës së Kosovës kundër Trepçës. Joseph synon që me treshe ta udhëheqë skuadrën e Pejës drejt titullit të kampionit këtë edicion.

Prej se i është bashkuar Pejës, në fillim të këtij viti, Joseph ka saktësi mbi 40 për qind në tentimet për tri pikë. Në kampionatin e Kosovës ka realizuar 40 treshe prej 96 tentimeve. Ai po luan me mesatare prej 15 pikëve për ndeshje dhe është i vendosur që me këtë formë të mirë të vazhdojë edhe në finale ndaj Trepçës.

Seria finale mes dy skuadrave nis të mërkurën në Mitrovicë, ndërsa Joseph ka insistuar se jo vetëm ai, por të gjithë lojtarët e Pejës janë maksimalisht të përgatitur për ta fituar titullin e kampionit. Peja është në kërkim të titullit të parë pas një dekade. Ekipi që shënon tri fitore do të shpallet kampion i Kosovës.

“Roli im te Peja është i shënuesit dhe sigurisht që mundohem gjithmonë të jem kërcënim për kundërshtarin me tentimet nga distanca. Në çdo ndeshje e jap më të mirën nga vetja për ta ndihmuar ekipin dhe sigurisht se këtë do ta bëj edhe në serinë finale ndaj Trepçës. Mund të them se nuk jemi larg titullit të kampionit”, është shprehur Joseph të martën në një intervistë për KOHËN.

Joseph vlerëson se Peja ka ekip për ta fituar titullin e kampionit. Amerikani thotë se motivi është më i madh se kurrë. Madje ai thotë se humbja në finalen e Ligës Ballkanike nuk e ka dëshpëruar Pejën, por e ka motivuar për ta kërkuar titullin e kampionit të Kosovës.

Peja të dielën mbrëma në finale u mposht 101:95 nga ekipi i Izraelit, Hapoel Beer Sheva kurse në gjysmëfinale triumfoi ndaj Beroes (124:82).

Joseph në të dyja ndeshjet në Bullgari ishte më efikasi te Peja. Ndaj Beroes realizoi 36 pikë prej të cilave nëntë treshe, ndërsa ndaj Hapoelit pati 31 pikë të realizuara.

“Edhe pse jemi të zhgënjyer që nuk triumfuam në Ligën Ballkanike, ne tashmë jemi fokusuar te titulli i kampionit të Kosovës. Jemi shumë të motivuar për ta arritur këtë synim, të cilin ma kanë bërë me dije në momentin që i jam bashkuar klubit. Kështu që dështimin në Ligën Ballkanike mund ta kompensojmë me triumf në finalen e plejofit të Kosovës. Do të ishte diçka madhështore”, është shprehur Joseph.

Titulli i kampionit do të ishte sukses i madh jo vetëm për Pejën, por edhe për basketbollistin 33-vjeçar. Edhe pse ka luajtur në Evropë prej vitit 2012, Joseph nuk ka fituar kurrë titull të kampionit. Suksesin e vetëm e ka në vitin 2016 me Buduqnostin e Podgoricës, kur e fitoi Kupën e Malit të Zi.

Ai karrierë ka bërë edhe te Khimiku (Ukrainë), Joventut Badalona (Spanjë), Turk Telekom e Bandirma Kirmizi (Turqi), Cholet (Francë), Maccabi Kiryat Gat (Izrael), Rethymno (Greqi), BC Nokia (Finlandë), CSO Voluntari (Rumani) dhe Slask Wroclaw e Stelmet Zielona Gora (Poloni).

“Nuk besoj se ka ndjenjë më të mirë sesa të shpallesh kampion. Unë kam fituar vetëm kupë, por jo edhe titullin e kampionit. Kështu që për mua është gjë shumë e madhe në karrierë të bëhem kampion me Pejën. Nuk kam nevojë për motiv shtesë, pasi dua ta shijoj ndjenjën e kampionit”, ka pranuar Joseph, i cili pret që seria finale me Trepçën të jetë mjaft e vështirë dhe të ketë ndeshje tejet interesante për publikun.

“Janë ndeshje të forta në të cilat duhet të japim gjithçka nga vetja për të fituar. Nuk do të jetë lehtë, por nëse luajmë në nivelin më të lartë atëherë kemi një mundësi të mirë për ta fituar titullin. Duhet të fitojmë, ta kthejmë titullin në Pejë sepse tifozët tanë meritojnë këtë sukses”.

Sikurse me paraqitjet e tij, Joseph është i kënaqur edhe me paraqitjet e skuadrës së Pejës. Ai ishte njëri prej tre lojtarëve që iu bashkua Pejës në fillim të këtij viti, pas ndryshimeve që u bënë edhe në shtabin teknik, ku izraeliti Rami Hadar zëvendësoi turkun Can Sevim. Me këto ndryshime, Peja ka treguar paraqitje të mira dhe ka pasur seri pozitive në kampionatin e Kosovës. Ka pësuar vetëm një humbje në 12 ndeshjet e fundit.

“Gjërat kanë shkuar mirë te Peja prejse jam pjesë e ekipit. Jam i lumtur që kam pasur ndikim dhe kam ndihmuar ekipin të jetë në pozitën që është tani. Ne luajmë për njëri-tjetrin dhe jemi si një familje, gjë që edhe është çelësi i lojës së mirë që e kemi treguar me trajnerin Hadar. Njëjtë duam ta vazhdojmë edhe në finale”, theksoi Joseph. “Për mua kampionati i Kosovës është përvojë e re dhe mund të them se jam befasuar për të mirë, ndonëse edhe më herët kam dëgjuar për ligën e fortë këtu”.

Joseph vjen nga një familje basketbollistësh. Babai i tij, David Joseph, ka luajtur këtë lojë dhe është trajner në Kanada. Ndërkohë vëllai i vogël i Devoes, Cory Joseph, është kapiten i Kanadasë dhe bën karrierë në NBA. Ai është pjesë e ekipit Detroit Pistons, ndërsa ka luajtur edhe për Sacramenton, Indianan e San Antonion.

“Familja ime më përcjell në secilën ndeshje dhe ka njohuri për basketbollin në Kosovë, përfshirë edhe vëllanë tim, i cili më përkrah shumë”, tha Josephi i Pejës.