Muharrem Jashari ka shënuar pesë gola dhe ka asistuar në dy të tjerë në dy ndeshjet përgatitore të Dritës në Antalia të Turqisë.
Forma e mirë në përgatitje vlerësohet sinjal se Jashari është gati ta ndihmojë Dritën në realizimin e synimeve në Superligën e Kosovës në futboll. Mesfushori synon që nëpërmjet paraqitjeve të mira ta bindë selektorin e ri të Kosovës që ta ftojë për ndeshjet e këtij viti.
Ka pasur vlerësime të shumta se Jashari edhe më herët ka merituar të jetë pjesë e grumbullimeve të Kosovës.
Vetë futbollisti mendon se mund të japë kontribut për Përfaqësuese.
“Jam në formën më të mirë tani dhe besoj se do të vazhdoj kështu deri në fund të sezonit. Dhe normal që ftesa e Kombëtares është një motiv shtesë. Do të ishte ftesë ëndrrash për mua. Ëndërroj që të jem pjesë e Kosovës. Por, natyrisht se unë duhet të punoj shumë dhe ta meritoj ftesën e të jem pjesë e Kombëtares”, ka thënë të dielën për KOHËN, Muharrem Jashari.
Ai formën e mirë e ka gjetur në fundin e edicionit të kaluar dhe po vazhdon me paraqitje të mira.
Drita kishte rezultate të luhatshme dhe kjo ka bërë që fillimi të mos jetë i mirë. Pati edhe ndryshime në shtabin teknik të skuadrës. Akis Vavalis u largua nga “bardhekaltrit”, ndërsa në krye të Dritës erdhi trajneri shkupjan, Zekirija Ramadani.
Me ardhjen e Ramadanit, tri herë kampion i Kosovës me Prishtinën, Feronikelin e Trepçën ’89, janë kthyer edhe rezultatet pozitive.
“I kemi pasur disa pengesa, sepse ndonjëherë luan rol edhe forma e lojtarëve dhe kjo të lë prapa për titull kampioni. Megjithatë, unë dhe gjithë lojtarët e tjerë të ekipit e kemi kapur formën e mirë dhe jemi afër me pikë me Ballkanin. Ky edicion do të jetë shumë interesant, sepse do të luftojmë deri në fund”, ka shtuar Jashari.
Drita pas 18 xhirove zë pozitën e tretë me pikë të njëjta me Llapin e vendit të dytë, me nga 34 gjithsej. Ballkani është lider me 40 pikë.
Që nga ndryshimi në shtabin teknik, Drita ka gjashtë fitore, përfshirë një në Kupë dhe dy miqësoret në Turqi, ndërsa e ka edhe një disfatë nga Malisheva.
“Në fillim të edicionit nuk kam qenë i kënaqur me paraqitjet e mia individuale pasi nuk kam qenë në formën më të mirë. Por me ardhjen e trajnerit Zekirija Ramadani e kam kapur formën e mirë dhe besoj të vazhdoj kështu t’i ndihmoj ekipit drejt qëllimit tonë”, vazhdon tutje futbollisti mitrovicas.
25-vjeçari, që luan si mesfushor ofensiv, pati një gol të shënuar e pesë asistime në pjesën e parë të kampionatit.
Tani synon edhe më shumë. Nuk bën dallim te trajnerët, por thotë se Ramadani e ka ndihmuar shumë në paraqitjet që i ka momentalisht.
“Secili trajner e ka taktikën dhe filozofinë e lojës. Unë jam përshtatur shumë mirë me taktikat që i përdor trajneri Ramadani dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Unë jam më shumë mesufshor ofensiv sesa defansiv. Taktika e trajnerit Ramadani është shumë e mirë. Më përshtatet jo vetëm mua, por gjithë ekipit. Ndaj po ndihemi shumë mirë”, ka deklaruar Jashari.
Drita është tri herë kampione e Kosovës. Herën e fundit u shpall më e mira në edicionin 2019/20. Titujt e tjerë i fitoi në edicionin 2017/18 dhe 2002/03.
Me Jasharin në formë, gjilanasit synojnë tjetër sukses këtë vit.