Ylli i NBA-së, LeBron James ka siguruar vend përkrah legjendës Michael Jordan në librat e historisë. 40 pikët e Jamesit ndihmuan fitoren e Los Angeles Lakers ndaj Brooklyn Nets me rezultatin 116:104.
James është vetëm lojtari i dytë, pas Jordanit, që ka shënuar 40 pikë në më shumë se një ndeshje në NBA, pasi mbushi 39 vjet.
Jordan, që ka luajtur deri në moshën 40-vjeçare, e ka arritur këtë tri herë. James 39-vjeçar, këtë e ka arritur dy herë tashmë.
“Sa herë që përmendem në shoqëri me më të mëdhenjtë, është gjë e bukur”, ka thënë James.
D’Angelo Russel shënoi 18 pikë për të kaluar shifrën e 10 mijë pikëve në karrierë, ndërsa James shënoi nëntë herë për tri pikë, sa edhe është rekordi i tij.
“E dua këtë lojë. Jap çdo gjë në ndeshje dhe kështu po e marr shpërblimin. Sonte më ka shkuar me gjuajtjet për tri pikë”, ka shtuar James.