Në ndeshjet vendimtare të edicionit, ato të plejofit, përvoja dhe cilësia e basketbollistit amerikan, Jamel Artis, po dalin në pah te skuadra e Trepçës. Skuadra mitrovicase po synon ta kthejë titullin e kampionit pas pritjes prej 11 vjetësh.
Artis (201 cm), në gjashtë ndeshjet e fundit, dy të serisë çerekfinale me Bashkimin dhe katër të serisë gjysmëfinale me Sigal Prishtinën, ka qenë ndër më të dalluarit te Trepça. Aktualisht, ai po luan me mesatare prej 13 pikëve e 5 kërcimeve për ndeshje te Trepça.
Në një intervistë të hënën për KOHËN, Artis 30-vjeçar ka pranuar se fillimi i tij në Kosovë nuk ishte aspak i lehtë, por ka shtuar se tashmë është ambientuar dhe është në formën më të mirë të mundshme. Formën e ka gjetur kur ekipi ka më së shumti nevojë për përvojën e tij.
Ai në dhjetor të vitit të shkuar iu bashkua Trepçës si përforcim i madh, duke pasur parasysh të shkuarën e tij dhe paraqitjet në NBA me skuadrën Orlando Magic. Ndërsa në Evropë ka luajtur në Francë, Lituani e Greqi. Kur Artis iu bashkua Trepçës, ekipi nga Mitrovica ishte në krizë rezultatesh dhe kishte bërë ndryshime jo vetëm në lojtarë të huaj, por edhe në trajner.
“Është e vërtetë se në fillim nuk isha në formë, pasi po vija nga një situatë ku ndodhën disa gjëra të papritura, të cilat nuk mendoja se do të ndodhnin. Mendja ime ishte e shpërndarë gjithkah, duke përfshirë edhe lëndimin e lehtë për të cilin me duheshin të paktën dy javë për t’u rikuperuar plotësisht. Gjithashtu kur mbërrita te Trepça skuadra po kalonte në një situatë të vështirë, pasi kishte ndërruar trajnerin dhe disa lojtarë. Pra, ishte një tollovi në përgjithësi”, ka thënë Artis.
Ai tani insiston se është stabilizuar plotësisht dhe është i fokusuar për ta ndihmuar Trepçën për ta fituar titullin e kampionit. Artis insiston se ka përvojën e duhur për një gjë të tillë dhe shton se Trepça ka cilësi për ta fituar titullin, ndonëse duhet ta kalojë serinë gjysmëfinale së pari.
Pas katër ndeshjeve të zhvilluara ndaj Prishtinës, rezultati është i barabartë 2:2 dhe ndeshja e pestë dhe vendimtare, ku do të përcaktohet finalisti, do të zhvillohet të premten mbrëma në kryeqytet.
Artis do të përpiqet që përvojën e tij, përfshirë edhe atë të NBA-së ta ndajë me tërë ekipin, ndërsa paraqitjen në ligën më të fortë në botë e përshkruan si diçka të jashtëzakonshme. Artis në NBA pati debutuar më 13 dhjetor të vitit 2017 në ndeshjen që Orlando e humbi 106:95 nga Los Angeles Clippers. Me fanellën e Trepçës, Artis tashmë ka fituar Kupën e Kosovës, por thotë se sezoni i tij do të kompletohet me titullin e kampionit.
“Unë pa dyshim që kam ardhur te Trepça të bëhem kampion, pasi këtë synim e kam në çdo ekip që luaj. Prejse i jam bashkuar kam besuar në këtë sukses, por duhet ta kalojmë Prishtinën të premten për ta treguar forcën tonë të vërtetë”, shprehet Artis, i cili periudhën në Kosovë e vlerëson sfidë të vërtetë në karrierën e tij.
“Unë mendoj se Zoti më solli këtu. Më parë supozohej të isha diku tjetër gjatë këtij viti, por isha lënduar, kështu që më çoi këtu në Kosovë, gjë që në fakt më pëlqen. Më pëlqejnë skuadra, qyteti, tifozët dhe gjithçka rreth Trepçës. Kjo është pa dyshim një sfidë në karrierën time, pavarësisht të gjithave që i kam kaluar. Unë kam rënë në dashuri me qytetin dhe ne po përpiqemi të fitojmë titullin, pasi dua të shkruaj historinë me këtë fanellë”.
Artis insiston se kampionati i Kosovës është cilësor dhe ka shumë lojtarë të mirë. Ndërsa atmosfera në palestra i pëlqen shumë. Natyrisht, palestra në “Minatori” të Mitrovicës e elektrizon dhe motivon për të dhënë gjithçka nga vetja për t’i gëzuar tifozët që vazhdimisht janë në përkrahje të ekipit.
“Liga e Kosovës është një ligë e mirë me lojtarë të mirë. Po, uroj në të ardhmen që të kenë më shumë palestra për këtë nivel basketbolli, pasi disa nuk janë të tilla. Trepça ka palestër fantastike, ndërsa atmosfera është e jashtëzakonshme. Nganjëherë, atmosfera bëhet e çmendur nga brohoritjet, por mua më pëlqen. Atmosfera e tifozëve të Trepçës në palestër është më e mira”, shtoi amerikani.
Artis beson se Trepça do t’i bashkohet Pejës në serinë finale, pasi thotë se ai dhe bashkëlojtarët e dinë shumë mirë si ta fitojnë ndeshjen e pestë në Prishtinë.
“Besoj se kemi përvojën dhe cilësinë për ta kthyer titullin në Mitrovicë. Kemi ekip për titull dhe këtë do ta dëshmojmë”, insistoi ai. “Në ndeshjen e pestë ndaj Prishtinës do të fitojë ekipi që ka dëshirë më të madhe dhe këtë do ta bëjmë. Po ashtu, e kam parasysh se çka duhet të bëj për ekipin tim që ta fitojë këtë ndeshje”.
Trepça pjesën e rregullt të këtij edicioni e ka përfunduar në pozitën e katërt në tabelë, ndërsa Artis është njëri prej katër amerikanëve në ekip, së bashku me Ken Brownin, Will Danielsin e Andrew Gordonin.