Hendbollistet e Istogut kanë pësuar humbje të thellë të dielën mbrëma në pallatin “1 Tetori” në Prishtinë, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues në Kupën Evropiane.
Istogu humbi me 14 gola dallim, 44:30, nga Hazena Kynzvart e Çekisë.
Ndeshja kthyese zhvillohet në Cheb të Çekisë më 17 nëntor, por për kampionin e Kosovës do të jetë e vështirë të kalohet ky kundërshtar.
Ekipit të Istogut nuk i ndihmoi paraqitja e mirë e Maira Vitoria Vicentini Campos, që pati 11 gola nga 16 tentime.
Marie Polakova ishte më e mira te çeket me tetë gola nga po aq tentime.
Në raundin e dytë, Istogu e eliminoi Pylaia Thessalonikin e Greqisë, duke i fituar të dyja ndeshjet e zhvilluara në Pejë.
Istogu në garat evropiane luan rregullisht prej edicionit 2017-18.
Në këtë rreth të garës ishte ndalur edhe në edicionin e kaluar.
Ishte eliminuar nga skuadra e madhe sllovake, Michalovce.