Sport

Istogu mbron titullin e kampionit në hendboll

KH Istogu

Pasi humbi garën për Kupën e Kosovës, Istogu e ka vazhduar dominimin në Superligën e hendbollit.

Hendbollistet istogase të dielën e siguruan titullin e tretë rresht dhe të katërtin gjithsej. Triumfuan 31:30 ndaj Ferizajt në ndeshjen e dytë finale të plejofit. Fitoren e parë, që ishte më bindëse, Istogu e shënoi të enjten në Ferizaj.

Kapitenia e Istogut, Albina Rugova, e pranoi Kupën në fund të ndeshjes. Për Rugovën ishte ndeshja e fundit në hendbollin kosovar. Ajo karrierën e vazhdon në Zvicër.

Ferizaj ishte i pari në stinorin e rregullt dhe fitoi Kupën javë më parë. Por në finale u dominua nga Istogu.

Në fakt ndeshja e së dielës ishte shumë e fortë dhe e barabartë. Pas pjesës së parë ferizajasit ishin në epërsi prej një goli, 15:14. Në pjesën e dytë Istogu ishte vazhdimisht para dhe mbajti epërsinë deri në fund.

Fillimisht Istogu kishte triumfuar në kampionat në edicionin 2018/19 e më pas edhe në edicionet 2021/2022 dhe 2022/2023.

Braziliania Ana Carolina Gomes i shënoi  dhjetë gola për Istogun. Tetë i kishte Esma Muratoviq e katër Arlinda Dinarica. Me pritje të shumta u dallua Aleksandra Bazoviq.

Salemateu Camara i shënoi shtatë gola për Ferizajn. Anja Bojaniq i kishte katër.