Pas kupës së botës “Katari 2022” ku emocionet ishin të mëdha por i munguan golat, Inaki Williams është i vendosur për ta udhëhequr Ganën drejt triumfit në Kupën e Afrikës. Williams, djali i prindërve ganezë që migruan në Spanjë para se ai të lindte, deklaroi besnikërinë sportive ndaj Ganës pesë muaj përpara Botërorit të vitit të shkuar.
Sulmuesi i Athletic Bilbaos nuk ishte në gjendje të shënonte në tri ndeshjet e fazës së grupeve, ndërsa Gana dështoi të avanconte në raundet e eliminit direkt në Botërorin në Katar. Ky dështim e ka lënë Williamsin me një përvojë të hidhur pasi emocionet e tij për ta përfaqësuar Ganën nuk përputheshin me paraqitjet në fushë. Tani, Williams është i bindur se do të gëzojë më shumë sukses në turneun më të madh të futbollit të Afrikës, që do të mbahet në Bregun e Fildishtë.
“Unë jam duke shkuar në këtë turne me një këndvështrim tjetër”, tha 29-vjeçari Williams.
Sulmuesi insiston se është më i përgatitur dhe më i integruar në ekipin e ri përfaqësues. Që nga Kupa e Botës ai ka luajtur shtatë ndeshje të tjera për Ganën, në kualifikime dhe miqësore, si dhe shënoi golin e parë dhe të vetëm në fitoren 1:0 ndaj Madagaskarit në nëntor, në kuadër të eliminatoreve për Botërorin 2026.
“Në Katar, shokët e mi të skuadrës mezi i njihja dhe kjo ndoshta ndikoi në paraqitjet e mia”, insistoi Inaki. “Por tani ata e dinë që unë jam një shok i skuadrës punëtore dhe se jam këtu për të ndihmuar ekipin. I gjithë grupi më ka pritur krahëhapur”.
Vëllai më i vogël i Williamsit, Nico, i cili është gjithashtu sulmues dhe pjesë e Bilbaos, luajti për Spanjën në Kupën e Botës. Ata janë të njohur në Bilbaon e tyre të lindjes, ku skuadra ka pasur pak lojtarë me prejardhje afrikane. Te kjo skuadër luajnë vetëm lojtarë nga rajoni.
Të dy djemtë e familjes Williams kanë lindur në qytetin industrial të Bilbaos, ku kanë luajtur për Bilbaon që nga fëmijëria. Historia e prindërve të tyre është krejt ndryshe. Atyre iu desh të ecnin zbathur nëpër shkretëtirën e Saharasë gjatë një udhëtimi të gjatë dhe të rrezikshëm duke kërkuar një jetë më të mirë në Evropë. Nëna ishte shtatzënë kur çifti u ndalua teksa po përpiqej të hynte në Spanjë. Ata përfundimisht morën azil politik pasi morën këshilla nga një punëtor bamirësie, i cili u tha të thoshin se kishin ikur nga një luftë civile në Liberi.
Inaki luajti në një miqësore për Spanjën në vitin 2016. Por kur Gana u interesua për të, ai iu përgjigj ftesës. Vendimi i tij u ndikua pjesërisht nga një bisedë me gjyshin e tij, i cili e inkurajoi të bashkohej me Ganën.
“Unë e di se çfarë do të thoshte për të që unë të luaja për Ganën", tha Williams për gjyshin e tij, i cili së fundmi u nda nga jeta. “Unë do të përmbush ëndrrën e shumë anëtarëve të familjes sime, të cilët ndihen shumë krenarë për mua”.
Gana e nis turneun kundër Kepit të Gjelbër të dielën. Do të luajë gjithashtu me Egjiptin dhe Mozambikun në Grupin B, me dy përfaqësueset e para që kalojnë në raundet e eliminimit. Williams është i bindur se Gana do të arrijë të paktën në çerekfinale, ndërsa pranon se Maroku mbetet favorit për ta fituar turneun.
Williams ka qenë një nga lojtarët më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm në Spanjë për gati një dekadë. Ai vendosi rekord në ligë me 251 paraqitje radhazi që i bëri nga prilli i vitit 2016 deri në janar të vitit 2023. Këtë edicion Inaki ka shënuar tetë gola në kampionat dhe këtë formë të mirë është i gatshëm ta bartë edhe në Kupën e Afrikës.