Të martën derisa po tërhiqej shorti për rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës në selinë e UEFA-s, në Nyon të Zvicrës, Armend Dallku kishte një parandjenjë. Ai u tha ndihmësve të tij te Dukagjini, Artan Luzit dhe Agon Ramadanit, se ekipi i tij do të përballej me Europa FC të Gjibraltarit. Dhe, parashikimi i tij doli i saktë pasi shorti konfirmoi parandjenjën e Dallkut që Dukagjini ta ketë kundërshtar ekipin nga Gjibraltari në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. E tani, Dallku po shpreson që historia e tij me Europa FC të përsëritet edhe këtë herë, pasi pretendon që kundërshtarin nga Gjibraltari ta eliminojë për t’ia siguruar Dukagjinit kalimin në rundin tjetër të kësaj gare. Në edicionin 2018/19, Dallku e pati eliminuar Europan FC si futbollist me skuadrën e Prishtinës në rundin parakualifikues të Ligës së Evropës. Atëbotë, Dallku ishte kapiten i Prishtinës dhe ky ishte edicioni i tij i fundit si futbollist profesionist. Ndeshja e parë, e luajtur në “Victoria Stadium” të Gjibraltarit (28 qershor), pati përfunduar 1:1. Ndërsa, në ndeshjen e kthimit të luajtur një javë më vonë në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, Prishtina pati fituar 5:0 për të avancuar tutje. Dy gola në këtë ndeshje për Prishtinën i pati shënuar Dallku në pjesën e parë, që dolën të ishin edhe golat e tij të fundit në arenën evropiane. Pasi e eliminoi Europan FC si lojtar, Dallku tani po synon ta eliminojë edhe si trajner. Ai është në krye të Dukagjinit prej vitit 2020 duke ia siguruar ekipit nga Klina për herë të parë daljen në garat e UEFA-s, pasi përfundoi i katërti edicionin e fundit në Superligën e Kosovës në futboll.
“Realisht, e kisha një parandjenjë se mund të përsëritet historia dhe në këtë rund të Ligës së Konferencës, do të përballeshim me Europa FC. Madje, kur filloi shorti dhe i pashë kundërshtarët, i thashë edhe stafit tim se kam ndjenjën se kjo skuadër do të jetë kundërshtari ynë i parë në garat e UEFA-s”, ka thënë Dallku të mërkurën. “Më kujtohet shumë mirë përballja me këtë ekip në vitin 2019, kur i eliminuam me Prishtinën në rundin parakualifikues. Në Gjibraltar luajtëm baras, kurse në Mitrovicë fituam 5:0, sepse kishim ekip të mirë. Në atë fitore shënova dy gola, që ishin edhe të fundit në karrierën time si lojtar në garat evropiane. Tani, me Europan FC do të përballem si trajner dhe shpresoj që historia përnjëmend të përsëritet, duke e eliminuar sërish”.
40-vjeçari ka pranuar se shorti është i favorshëm për Dukagjinin, por ka insistuar se kundërshtar të lehtë nuk ka në garat e tilla. Dukagjini është vendas në duelin e parë, ndërsa të kthimit do ta luajë në Gjibraltar. Thotë se Europa FC që nga viti 2019 ka pësuar shumë ndryshime dhe ka krijuar përvojë, pasi ky do të jetë edicioni i dhjetë rresht që paraqitet në garat e UEFA-s. Europa FC dy herë ka luajtur në parakualifikime të Ligës së Evropës, ndërsa është paraqitur edhe në kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Konferencës. Në dy edicionet e fundit, kjo skuadër është eliminuar në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës, ndërsa suksesin më të madh e ka arritjen në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës (2016/17 dhe 2020/21).
“Gjasat janë reale që ta kalojmë kundërshtarin dhe të kualifikohemi në rundin tjetër, por duhet pasur parasysh se kundërshtar të lehtë nuk ka në garat e UEFA-s. Mbi të gjitha, Dukagjini po paraqitet për herë të parë, ndërsa Europa FC është një kundërshtar i respektueshëm që luan rregullisht në kualifikime të tilla vitet e fundit”, ka shtuar Dallku. “Po ashtu, si ekip ka pësuar ndryshime të mëdha prej kohës kur i patëm eliminuar me Prishtinën dhe për këtë arsye duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të mos i nënçmojmë për asnjë moment”.
Dukagjini ka nëntë ditë që ka filluar përgatitjet për edicionin e ri, ndërsa pritet të kompletohet edhe me përforcime para debutimit evropian. Përgatitjet po i kryen në Klinë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që t’i vazhdojë ato edhe jashtë Kosovës. Ndeshjen e parë kundër Europa FC, Dukagjini do ta luajë më 13 korrik, ndërsa të kthimit pas një jave. E në rast se e eliminon këtë skuadër, atëherë Dukagjini në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës do të përballet me Rijekën e Kroacisë.
“Për ne është një sukses i madh që kemi siguruar daljen në Evropë, por nuk do të kënaqemi vetëm me pjesëmarrje pasi duam ta kalojmë rundin e parë. E nëse avancojmë prej rundit të parë, do të jetë sukses i jashtëzakonshëm. Tani për tani, mendjen e kemi te Europa FC dhe nëse e eliminojmë, atëherë do të mendojmë për Rijekën”, insistoi Dallku.