Pak minuta para fillimit të ndeshjeve në Superligën e Kosovës në basketboll, klubet vendase janë të obliguara të lëshojnë himnin e Republikës së Kosovës.
Klubet e basketbollit janë obliguar nga Federata për të lëshuar himnin shtetëror në palestra, ndonëse për klubet ky është obligim shtesë. Për ndonjë klub lëshimi i himnit mund të jetë problematik edhe për shkak të qëndrimit të tifozëve.
Të gjitha grupet e tifozëve e kanë bërë traditë që para fillimit të ndeshjeve të basketbollit të këndojnë himnin kombëtar. Himni shqiptar, i kënduar nga tifozët, respektohet nga skuadrat në parket e po ashtu nga zyrtarët e ndeshjeve.
Por Federata e Basketbollit e Kosovës është e vendosur që pjesë të ngjarjeve të basketbollit ta bëjë edhe himnin shtetëror të Kosovës. Himni, pa tekst, ende nuk është popullor sa himni kombëtar.
Për herë të parë FBK-ja e ka përfshirë intonimin e himnit në propozicionet e garave për këtë edicion të Superligës, ndonëse kjo nuk u respektua shumë.
Në pikën e parë të nenit 17 të propozicioneve të garave shkruan: “Ndeshja nuk mund të fillojë në mungesë të kushteve elementare për zhvillimin e ndeshjes, siç janë prania e Policisë dhe sigurimit privat në nivel të duhur, zërimi i përshtatshëm për dhënie të njoftimeve dhe intonim të himnit, temperatura jo e duhur në palestër dhe kushtet e tjera bazike sipas këtyre propozicioneve dhe rregullave të basketbollit”.
Në palestër duhet të jetë patjetër i vendosur edhe flamuri i Kosovës. Në FBK insistojnë se flamuri duhet të jetë prezent pasi bëhet fjalë për kampionatin e shtetit.
Në pikën e parë të nenit 27 të propozicioneve të garave, që ka të bëjë me zërimin, ceket se ekipet janë të obliguara për ta lëshuar himnin, të paktën nëntë minuta para fillimit të ndeshjes.
“Skuadrat vendase ose organizatorët e ndeshjeve të Superligave janë të obliguara të sigurojnë pajisjet e zërimit të cilat përdoren para fillimit dhe gjatë zhvillimit të ndeshjes, për prezantimin zyrtar të lojtarëve dhe për dhënien e informatave të tjera të ndeshjes si dhe intonimin e himnit të Republikës së Kosovës”, thuhet në këtë pikë.
Në rast se nuk vendoset flamuri dhe nuk intonohet himni shtetëror para ndeshjes, atëherë klubet mund të përballen me gjoba. Gjobat janë prej 50 euro deri në 400 euro.
Gjobë prej 400 euro ka paguar skuadra e Vëllaznimit në fillim të këtij edicioni, për shkak se nuk është intonuar himni para një ndeshjeje në palestrën “Shani Nushi”.
Megjithatë të shtunën e kaluar Vëllaznimi veproi sipas propozicioneve të garave duke lëshuar himnin e Kosovës. Ai u respektua nga tifozët vendas. Zakonisht në Gjakovë para ndeshjeve lëshohet një këngë për heronjtë e këtij qyteti, që tashmë është shndërruar në himn jozyrtar në palestrën “Shani Nushi”. Himnit të tifozëve në ndeshjen e kaluar në Gjakovë iu shtua edhe himni shtetëror.
Ky veprim është pritur mirë nga FBK-ja.
“Në ndeshjen e fundit në Gjakovë është respektuar himni i Kosovës dhe kjo është një gjë e mirë pasi në të kaluarën është vërshëllyer. Himni i Kosovës duhet të dëgjohet në garat zyrtare të FBK-së. Edhe tifozët duhet të respektojmë dhe të tregojmë se bëhet fjalë për kampionatin tonë”, është shprehur sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, për KOHËN.
“Konform propozicioneve të garave për kategoritë seniore, në edicionin 2022/23 intonimi i himnit do të bëhet në Superligë në minutën e nëntë para fillimit të ndeshjes, pra konform edhe rregullave të FIBA-s. Kjo është më se normale, sepse garat janë të Kosovës dhe janë zyrtare, që do të thotë se duhet intonuar himni i Kosovës”.
Te Vëllaznimi janë ndier mirë që tifozët vendas kanë respektuar himnin e Kosovës dhe nuk kanë reaguar duke rrezikuar ta dëmtojnë klubin. Tifozët gjakovarë janë të prirë ta këndojnë himnin kombëtar dhe madje me shumë pasion.
Ideal Bakija, drejtor i klubit, ka thënë se rregullat e FBK-së duhet të respektohen ndonëse klubet janë të ngarkuara me punë shtesë në lidhje me këtë çështje. Ai thotë se intonimi i himnit këtë edicion lidhet edhe me 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
“Ne si klub nuk kemi asgjë kundër intonimit të himnit para ndeshjes edhe pse është punë shtesë pasi duhet të sigurojmë zërimin dhe gjërat e tjera. Në Gjakovë nuk është se tifozët kanë diçka kundër himnit të Kosovës, por thjesht nuk janë mësuar ta dëgjojnë nëpër ndeshje deri këtë sezon, pasi është caktuar me propozicionet e garave. Në fillim tifozët ndoshta kanë reaguar por pastaj kemi biseduar me ta dhe efekti u pa në ndeshjen e fundit ndaj Bashkimit që ishte për çdo lëvdatë. Në këtë mënyrë edhe klubi nuk dëmtohet për shkak se pasojnë gjobat për mosintonimin e himnit e ne si klub këtë edicion kemi paguar gjoba që shkojnë deri në 400 euro për këtë punë”, është shprehur Bakija.
“Është ndjenjë e mirë për shkak se këtë vit e festojmë edhe 15-vjetorin e shtetit tonë dhe ndeshjet e Superligës me himn vetëm se kanë fituar në hijeshi”.
Sekretarja e FBK-së, Dushku, ka konfirmuar se obligimi i himnit lidhet me 15-vjetorin e Pavarësisë. Edhe garën për Kupë FBK-ja e ka përshtatur me përvjetorin e Pavarësisë.
“Është 15-vjetori i pavarësimit të shtetit tonë dhe kemi dashur që të bëjmë edhe diçka më shumë në lidhje me këtë. Kështu që ndihemi mirë që himni i Kosovës po intonohet në ndeshjet e Superligës dhe tifozët tashmë janë mësuar me të”, ka theksuar Dushku.