Kualifikimi në Botëror duket gati i pamundur për hendbollistet e Kosovës. Por kjo nuk nënkupton se atyre u mungon motivi për ndeshjen e dytë ndaj Polonisë.
Kosova të mërkurën prej orës 20:15 e pret Poloninë në Prishtinë, në fazën e fundit kualifikuese për Botërorin e këtij viti. Të enjten në Bielsko-Biala, Polonia fitoi me rezultat bindës 36:22 në ndeshjen e parë. Në humbjen e thellë ndikoi sidomos paraqitja e zbehtë e hendbollisteve të Kosovës në pjesën e parë të ndeshjes.
Kosova u është kthyer përgatitjeve për ndeshjen e dytë, ndërsa synimi është paraqitja më e mirë se në Poloni dhe po ashtu rezultati më i favorshëm.
Organizatorja kryesore e lojës së Kosovës, Marigona Hajdari, është optimiste për ndeshjen tjetër me polaket.
“Përgatitjet po shkojnë mjaft mirë. Kemi bërë gabime në ndeshjen e parë, të cilat besoj se nuk do t’i përsëritim pasi kemi punuar për t’i përmirësuar. Kemi punuar në gjëra individuale dhe ekipore. Pres që palestra të mbushet plot për të na ndihmuar që të marrim një rezultat të mirë. Në ndeshjen e parë gabimet individuale na kushtuan me humbje të thellë, por besoj në një paraqitje më të mirë dhe rezultat më të mirë në Prishtinë, pasi kemi ekip cilësor dhe mendoj që nuk e kemi treguar fytyrën e vërtetë në Poloni”, ka theksuar Hajdari, që bën karrierë në elitën daneze.
Në raundin e parë kualifikues, Kosova kishte eliminuar Përfaqësuesen e Ishujve Faroe. Shorti i raundit të dytë nuk e ka favorizuar. Polonia ka lojtare në ekipe elitare evropiane. Ndërkohë te Kosova konkurrenca nuk është e duhura në disa pozita.
“Arritja deri në këtë fazë nuk është pak, por si sportiste synojmë më shumë dhe besoj që me këtë ekip do të kemi suksese shumë më të mëdha në të ardhmen”, ka shtuar Hajdari. Ajo në Përfaqësuese luan së bashku me motrën Arlinda Hajdari.
Edhe kapitenia Leonora Demaj pret rezultat dukshëm më të favorshëm se në Poloni. Ajo vlerëson se humbja me 14 gola dallim nuk shfaq forcën e vërtetë të Kosovës. Demaj pret përkrahje nga shikuesit, njëjtë si Marigona Hajdari.
“Presim të japim maksimumin edhe pse edhe atje e kemi dhënë, por ndoshta publiku këtu në Prishtinë na ndihmon dhe na motivon për një paraqitje të mirë. Me mbështetjen e publikut besoj në një lojë më të mirë. Pres të ketë shumë publik, edhe pse është Ramazan, por për këtë arsye e kemi shtyrë lojën më vonë dhe besoj që palestra do të jetë e mbushur. Është një hap i madh për Kosovën, pasi është hera e parë që kemi arritur deri këtu në kualifikimet për Kampionatin Botëror dhe ky është një motivim dhe shpresë për të ardhmen. Por për të arritur më larg duhet të punojmë shumë më tepër”, ka theksuar Demaj.
Përfaqësuesja të dielën mbrëma ka zhvilluar stërvitjen e radhës nën urdhrat e selektorit Agron Shabani. Atmosfera dukej e mirë, ndërsa vajzat janë të përkushtuara për paraqitje të denjë në ndeshjen e së mërkurës.
“Presim rezultat shumë më të mirë se atje, por presim edhe ndihmën e publikut në këtë sfidë të vështirë, pasi kemi një kundërshtar tepër të fortë. Por ne do të mundohemi ta përballojmë ndeshjen më mirë se në Poloni. Ne kemi arritur qëllimin për të ardhur deri këtu dhe kemi nevojë edhe pak kohë, një apo dy vjet për të bërë një kuadër më të lartë me aktivizimin e lojtareve të reja për t'i përballuar ekipet më të mëdha”, ka theksuar selektori Shabani.
Përfaqësuesja e hendbollit vlerësohet se ka arritur sukseset më të mëdha prej përfaqësueseve të Kosovës në konkurrencë të femrave.