Hendbollistet e Kosovës do të jenë plotësisht të gatshme për duelet me Përfaqësuesen e Polonisë gjatë muajit të ardhshëm. Selektori i Kosovës, Agron Shabani, të martën ka shpallur listën e lojtareve të ftuara për ndeshjet me Poloninë, ka njoftuar Federata e Hendbollit të Kosovës (FHK). Në listën e tij përzgjedhësi Shabani ka përfshirë 17 hendbolliste, prej të cilave pesë janë nga Superliga e Kosovës.
Kosova dhe Polonia do të takohen në fazën e dytë të kualifikimeve evropiane për Kampionatin Botëror të këtij viti. Përfaqësuesja më e mirë pas dy ndeshjeve të luajtura e siguron biletën për Botëror. Dueli i parë luhet në Bielsko-Biala të Polonisë më 6 prill, ndërsa ai i kthimit në Prishtinë më datën 12 prill. Edhe pse Polonia ka përvojë të gjatë dhe të suksesshme në ngjarjet e mëdha të hendbollit dhe vlerësohet favorite, te Kosova insistojnë në një paraqitje të mirë dhe kërkim të befasisë së madhe. Këtë e ka konfirmuar edhe Yllka Shatri, e cila është njëra prej katër hendbollisteve të Istogut që do të jenë pjesë e Kosovës në përballjet me Poloninë. Shatri ka thënë se i pret një mision i vështirë, por jo edhe i pamundur.
“Ne kemi treguar që si përfaqësuese e Kosovës jemi ngritur shumë së fundmi, dhe sigurisht se edhe ndaj Polonisë do të mundohemi të japim më të mirën nga vetja. Grumbullimin e nisim brenda pak ditësh dhe jam i bindur se do të jemi gati për të dëshmuar vlerat që i kemi si ekip”, ka thënë Shatri, e cila është kapitene e Istogut pas publikimit të listës së trajnerit Shabani. “Polonia bën një lojë të shpejtë, por që ne i kemi në secilën pozitë lojtaret më të mirë dhe shpresoj të bëjmë një paraqitje të mirë. Është mision i vështirë, por jo edhe i pamundur pasi do të japim gjithçka nga vetja për të kaluar tutje dhe siguruar kualifikimin”.
Kosova arriti në fazën e dytë kualifikuese që konsiderohet sukses i madh, pasi në fazën e parë e eliminoi Përfaqësuesen e Ishujve Faroe. Ky sukses ka bërë që selektori të bazohet në grupin e lojtareve që eliminuan Ishujt Faroe edhe për duelet ndaj Polonisë. Përfaqësuesja e Kosovës do të grumbullohet më 2 prill në Prishtinë, ndërsa më 4 prill do të niset drejt Polonisë.
“Forma e lojtareve tona është e mirë dhe ky grumbullim pritet të shërbejë për hapin e madh tutje”, ka shkruar ndër të tjera FHK-ja në faqen e saj zyrtare.
Lojtaret e ftuara për ndeshjet me Poloninë
Njomza Kelmendi, Elisa Mulaj, Melisa Mulaj, Shkurta Mehmeti, Mirela Gjikokaj, Yllka Shatri, Fitore Aliu, Arlinda Hajdari, Natalija Milatoviq, Pashke Marku, Albina Rugova, Venera Kafexholli, Rina Rexhepi, Leonora Demaj, Marigona Hajdari, Blerta Ahmetxhekaj e Suzana Ujkiq.