Hendbollistet e grupmoshës U18 të Kosovës kanë debutuar me humbje në Kampionatin Botëror që po organizohet në Kinë.
Në Chuzhou të Kinës të mërkurën gjatë ditës, paraqitja historike e sportit kosovar ka nisur me humbje 39:21 nga Përfaqësuesja e Brazilit.
Brazilianet ishin më të mira në këtë ballafaqim dhe nuk e diskutuan fitoren e parë në Grupin D.
Arjeta Imeraj ishte më e mira te Kosova me 5 gola në 11 tentime te hendbollistet e reja të Kosovës.
Diona Dresh shënoi katër gola në nëntë tentime, ndërsa katër gola nga tetë tentime i shënoi Sara Gjergjaj, por të pamjaftueshme për ta shmangur disfatën.
Në grup me Kosovën U18 janë edhe Franca dhe India.
Franca e fitoi ndeshjen e parë ndaj Indisë me rezultatin 50:14.
Ndeshjen e radhës, hendbollistet e Kosovës e luajnë kundër Francës. Ky ballafaqim nis në orën 10:00.
Të shtunën, Kosova U18 ballafaqohet me Indinë.
“Është kjo paraqitje historike për gjithë sportin e Kosovës. Deri më tani asnjë kombëtare e sportisteve, në sportet ekipore, nuk është paraqitur në Botëror”, ka shkruar Federata e Hendbollit e Kosovës të mërkurën në Facebook.