Besa Famgas e ka fituar bindshëm derbin ndaj Kastriotit të Ferizajt.
Të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Besa fitoi ndaj skuadrës ferizajase me rezultat 38:26. Ndeshja i takoi xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në hendboll.
Për Besën është fitorja e dytë rresht. Në xhiron e parë kishte pësuar nga Rahoveci.
Kastrioti e luajti ndeshjen e parë këtë kampionat. Dy ndeshjet e para nuk i ka zhvilluar ende për shkak të angazhimeve në Kupën Evropiane.
Besa herët krijoi epërsi bindëse prej 9:3 e 10:4. Dhe fitorja e ekipit pejan nuk u rrezikua asnjëherë.
Olsi Mulaj ishte më efikasi te Besa Famgas me 11 gola. Nga gjashtë i kishin Vladimir Stankoviq e Jakub Cwieka. U dallua portieri Mursel Mehmeti me pritje të shumta.
Deniz Terziqi i shënoi 10 gola për Kastriotin. Pesë i kishte Lulzim Shabani.
Po të dielën, Llapi fitoi 41:28 ndaj Trepçës. Të shtunën, Rahoveci fitoi 48:25 ndaj Prishtinës, ndërsa Vjosa e mposhti Vushtrrinë me rezultat 33:29.