Sport

Hajrizi e Përquku më të mirët e vitit në basketboll

Drilon Hajrizi dhe Arbnore Përquku kanë marrë çmimet kryesore në ceremoninë “Laureatët 2023” të organizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), të enjten mbrëma. Në këtë ceremoni janë nderuar më të mirët e basketbollit të Kosovës për vitin 2023, por edhe ata që kanë dhënë kontribut të çmuar për këtë sport. Kjo është hera e parë që FBK-ja po zgjedh më të mirët pas më shumë se një dekade, ndërsa ceremonia e mbajtur në Prishtinë është vlerësuar lart nga të pranishmit. Ceremonia nisi me një minutë heshtje për të kujtuar trajnerin Illmen Bajra, i cili të mërkurën vdiq në moshën 32-vjeçare në klinikën universitare të Frankfurtit në Gjermani.

“E di që e kemi pasur një vit të suksesshëm, të cilin po e mbyllim me këtë ceremoni për zgjedhjen e më të mirëve. Kemi thyer rekorde, sa i përket cilësisë, shikueshmërisë dhe sponsorizimeve, por sigurisht që kemi edhe probleme, të cilat së bashku do t’i zgjidhim. Besoj se viti tjetër do të jetë edhe më i suksesshëm se ky vit”, ka thënë kreu i FBK-së, Arben Fetahu.

Drilon Hajrizi i Trepçës është shpallur basketbollisti më i mirë i vitit, të cilin po e mbyll me paraqitje të mira, por edhe nuk i kanë munguar sukseset me ekipin e tij. Hajrizi ishte ndër më të merituarit që skuadra nga Mitrovica këtë vit i fitoi dy trofe, Kupën dhe Superkupën e Kosovës. Hajrizi kishte marrë më së shumti pikë nga komisioni, të cilin e kishte angazhuar FBK-ja për zgjedhjen e më të mirëve të vitit. Hajrizi mori edhe çmimin e publikut, ndërsa te femrat me këtë çmim u nderua Elektra Zykaj e Prishtinës. Po ashtu, në konkurrencën e meshkujve është zgjedhur edhe pesëshja më e mirë e vitit, pjesë e së cilës pa dyshim se ishte Hajrizi. Krahas Hajrizit pjesë e pesëshes së vitit ishin edhe Arian Qallaku (Peja), Arti Hajdari (P.C. Prizreni), Dardan Berisha (S. Prishtina) e Gëzim Morina (G.E. Ylli). Epitetin e basketbollistes më të mirë të vitit e ka fituar fundorja e skuadrës së Bashkimit nga Prizreni, Arbnore Përquku. Përquku këtë vit e mbylli me suksese të mëdha, pasi me Bashkimin e fitoi titullin, kupën dhe Superkupën e Kosovës. Gjithashtu edhe te femrat u zgjodh pesëshja më e mirë e vitit, së cilës i printe Përquku. Krahas Përkuqut, në pesëshën më të mirë të vitit zunë vend edhe Aulona Muhadri (Bashkimi), Astera Tuhina (Washingon State University), Elektra Zykaj (Prishtina) e Vanesa Bojku (Penza). Sa u përket klubeve, Peja u shpall më i miri i vitit te meshkujt, ndërsa Bashkimi te femrat. Peja këtë vit e fitoi titullin e kampionit të Kosovës, ndërsa Bashkimi shkroi historinë duke siguruar “tripletën”. Trajneri më i mirë i vitit u shpall Dritëro Sefaja, që është përzgjedhës i Përfaqësueses U20 të Kosovës, ndihmës i Përfaqësueses A të Kosovës dhe trajner te KB Kerasan. Punëtori më i dalluar i vitit u shpall Ideal Bakija, i cili është drejtor sportiv i KB Vëllaznimit, ndërsa gjyqtari më i mirë ishte Xhelal Mumini. Shpresat e vitit u shpallën Jon Ismajli dhe Malvina Haziri, e cila me vetëm 14 vjet ka shpërthyer këtë edicion në Superligën e femrave me fanellën e Prishtinës. Po ashtu gjatë kësaj ceremonie u ndanë edhe mirënjohje, siç ishin ato për profesor Masar Nixhën dhe Resmije Junikun, të cilët u nderuan për kontributin e dhënë për basketbollin e Kosovës. Të dy morën mirënjohjet “Veteranët e vitit”.