Sport

Hadar ua lë meritat të tjerëve për suksesin e Pejës

Trajnerit nga Izraeli, Rami Hadar, i mjaftuan tre muaj në krye të Pejës për ta fituar titullin e kampionit të Kosovës në basketboll. Peja të enjten mbrëma u shpall kampione e Kosovës për edicionin 2022/23. Në ndeshjen e pestë të serisë finale të plejofit e mposhti Trepçën (93:91) në Mitrovicë pas vazhdimit prej pesë minutave, pasi koha e rregullt përfundoi baras (77:77).

Për Pejën, që e fitoi serinë finale 3:2, është titulli i parë pas një dekade. Peja numëron tani gjashtë tituj kampioni në histori të klubit.

Hadar, 56-vjeçar, ndihet krenar me këtë sukses dhe tejet i lumtur që e ktheu titullin në Pejë pas një pritjeje të gjatë. Meritat për këtë sukses ua adreson basketbollistëve. Thotë se ata luftuan deri në fund dhe se i gjithë mundi i tyre u shpërblye.

“Lojtarët janë më meritorët për këtë titull, pasi luftuan deri në fund. Nuk ka qenë aspak lehtë, por ia dolëm për shkak se kemi besuar prej fillimit se mund ta mbyllim edicionin me një sukses të tillë”, tha Hadar të premten për KOHËN.

Krahas lojtarëve Hadar nuk harroi pa përmendur edhe paraardhësin e tij, turkun Can Sevim. Peja e nisi edicionin me Sevimin, i cili në fillim të këtij viti u largua për t’u zëvendësuar nga Hadar.

“Duhet t’i jap meritat edhe trajnerit Can Sevim, i cili ndërtoi një ekip të mirë”, u shpreh Hadar.

Hadar mori drejtimin e Pejës më 20 shkurt, në një periudhë kur klubi kishte krizë të rezultateve. U bënë ndryshime edhe në përbërje. Klubi largoi tre lojtarë të huaj për të sjellë tre të tjerë. Përkundër kësaj situate dhe ndryshimeve, Hadar pranoi ofertën e klubit kosovar dhe tani thotë se ishte njëri prej vendimeve më të mira në karrierë. Me të ardhur te Peja, rezultatet e skuadrës ndryshuan në aspektin pozitiv dhe pejanët e mbyllën edicionin e rregullt në pozitën e dytë. Me Hadarin i fituan të gjitha ndeshjet.

“Kisha një ofertë nga Peja në mes të muajit shkurt dhe pasi bëra disa kontrollime për ekipin dhe bisedova me Art Gashin, vendosa ta pranoja ofertën. Dhe lirisht mund të them se ky ishte njëri prej vendimeve më të mira në karrierën time”, shtoi Hadar. “E kontrollova ekipin dhe e shikova si po luante. Më pëlqeu ajo që pashë dhe personeli, kështu që isha i bindur se do të përshtateshin mirë dhe shpejt në sistemin tim”.

Hadar thotë se e kishte parasysh se synimi i Pejës ishte titulli dhe besonte fuqishëm se do të kishte një mundësi për ta realizuar. Pranon se nuk ishte aspak e lehtë. Sipas tij, liga ishte shumë e fortë dhe krahas Pejës gjasat e mëdha për titull i kishin edhe Sigal Prishtina, Golden Eagle Ylli e Trepça.

“Pasi mësova pak për ligën dhe ekipin tim, besova se do të kishim një mundësi të mirë për ta kthyer titullin e kampionit te Peja pas një dekade. Megjithatë më duhet të pranoj se të gjitha katër ekipet e para kanë pasur mundësi reale për t’u shpallur kampione”, deklaroi Hadar, i cili tha se ekipi i tij drejt titullit është ndihmuar edhe nga tifozët.

“Mendoj se fitimi i titullit nuk ishte aspak i lehtë. Në fakt ishte shumë i vështirë përkundër historisë së klubit. Çelësi i këtij suksesi ishte bordi i klubit, i cili përkrahu stafin tim dhe lojtarët në mënyrën më të mirë të mundshme. Po ashtu edhe tifozët na dhanë përkrahje të fuqishme duke na motivuar në këtë rrugëtim. Kështu që ishte një angazhim i të gjithëve për këtë sukses të madh”.

Serinë finale ndaj Trepçës, Hadar e përshkruan si tejet interesante dhe me ndeshje të forta, ku atmosfera ishte e zjarrtë, qoftë në palestrën “Karagaçi” në Pejë apo “Minatori” në Mitrovicë. Ndërsa, liga e Kosovës e vlerëson si shumë të mirë për nga cilësia dhe konkurrenca.

“Ishte një seri vërtet fantastike e finaleve, me ndeshje të forta dhe atmosferë fantastike, duke pasur parasysh rivalitetin e madh. Trepça kishte ekip të mirë dhe luajti mirë, por në fund ne triumfuam në këtë seri që ishte edhe e mundimshme. Liga e Kosovës është shumë e mirë dhe me rivalitet të madh. Ndërsa, pasioni për basketbollin, sikurse edhe atmosfera nëpër palestra mund të them se ishte impresive”.

Hadar ka një karrierë të madhe si trajner, zeje të cilën e ka nisur në vitin 1992. Peja ishte skuadra e tij e dytë jashtë Izraelit, pasi pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar në basketbollin izraelit, ku ka drejtuar skuadrat si: Hapoel Holon, Maccabi Ashdod, Maccabi Haifa, Maccabi Tel Aviv, Hapoel Tel Aviv e Hapoel Beer Sheva. Në Rumani ka qenë në krye të skuadrës SCM U Craiova gjatë edicionit 2017/18. Ai skuadrën e Pejës e ka udhëhequr në dy finale këtë edicion. Në Ligën Ballkanike, Peja humbi ndeshjen përfundimtare.