Sport

Hadar merr drejtimin e Kosovës me synimin për ta dërguar në nivel më të lartë

Pak ditë pasi fitoi titullin e kampionit në Superligën e Kosovës në basketboll me Pejën dhe vazhdoi bashkëpunimin edhe për edicionin e ri me ekipin pejan, trajneri Rami Hadar ka marrë një detyrë të re.

Hadar të hënën është prezantuar në postin e përzgjedhësit të Përfaqësueses së Kosovës në basketboll. Prezantimi u bë në një konferencë të organizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës. Marrëveshja e trajnerit nga Izraeli me FBK-në është trevjeçare dhe u firmos me të përfunduar konferenca në të cilën ishin të pranishëm edhe shumë zyrtarë të federatës, të udhëhequr nga kryetari Arben Fetahu.

Fetahu ka falënderuar Hadarin që ka pranuar detyrën e selektorit të Kosovës. Ka vlerësuar se ai është trajneri i duhur për ta drejtuar Kosovën dhe se këtë e ka dëshmuar me arritjet e tij.

Sipas kryetarit të FBK-së, Hadar është trajneri që do ta ngrejë Kosovën në një nivel tjetër.

“Kemi kënaqësinë dhe nderin që ta zyrtarizojmë marrëveshjen me trajnerin e ri të Përfaqësueses së Kosovës. E kemi një trajner më shumë përvojë, një trajner me shumë dijeni, motivator të shkëlqyer. Rami Hadar i ka vërtetuar disa herë gjatë karrierës aftësitë basketbollistike, njohurinë, strategjinë dhe pozicionin për lojën. Për më tepër se kaq, ditët e fundit që e ka udhëhequr Pejën e ka vërtetuar që mund të bëhet kthimi me një ekip që e ka gjetur për t’u shpallur kampion”, ka thënë Fetahu. “Jemi me fat dhe vërtet mirënjohës që trajneri ka pranuar te udhëheqë Kosovës për tre vjetët e ardhshëm. E kemi përgatitur bashkërisht planin për atë se si do të duket gjithçka për këtë cikël të ndeshjeve parakualifikuese, të cilat do t’i luajmë në korrik dhe gusht. Falënderoj edhe një herë trajnerin Hadar për gatishmërinë që të marrë përfaqësuesen tonë dhe për ta ngritur në një nivel tjetër”.

Hadar në krye të Kosovës do të debutojë këtë verë, kur “Dardanët” do t’i luajnë ndeshjet e fazës së tretë parakualifikuese për “Eurobasket 2025”. Kosova luan me Zvicrën dhe Danimarkën, përfaqësuese që i ka në grup.

Hadar ka thënë se drejtimin e Kosovës e sheh si sfidë të madhe në karrierën e tij. Ai në muajin shkurt erdhi në krye të Pejës dhe brenda tre muajve udhëhoqi ekipin drejt titullit të kampionit. Ishte titulli i parë për Pejën pas një dekade.

Hadar ka thënë se tashmë është ambientuar në Kosovë dhe ndihet si pjesë e vendit.

“Së pari dua të falënderoj federatën për mundësinë, që vjen me një përgjegjësi të madhe. E shoh si sfidë të madhe në karrierën time dhe si kompliment për faktin që më është besuar kjo punë. Mund të them se gjatë tre muajve që jam këtu kam mësuar pak nga kultura juaj, kam njohur njerëzit që më kanë pritur ngrohtë dhe kjo më bën të ndihem si pjesë e juaja”, ka thënë Hadar. “Jam super krenar për këtë punë dhe premtoj se do të bëj gjithçka që është në fuqinë time ta dërgoj ekipin në rrugën e duhur. Besoj në përbërje, në lojtarët dhe më së shumti në pasionin dhe interesimin që është përreth basketbollit në Kosovë”.

Brenda kësaj jave Hadar do ta kompletojë shtabin teknik, i cili pritet të përbëhet nga Bujar Loci, Ilir Selmani, Dritëro Sefaja e Andin Rashica.

Më 10 qershor, Hadar pritet ta publikojë listën e zgjeruar, ndërsa pesë ditë më vonë ekipi do t’i nisë përgatitjet kondicionale. Ndeshjet e këtij cikli Kosova do t’i luajë në palestrën “Sezai Surroi”, në Prizren, e cila është rinovuar tërësisht.

Hadar gjatë mandatit të tij në krye të Kosovës do t’i ketë dy objektiva – rezultatet dhe nxjerrjen e gjeneratës së re të Kosovës.

“Objektivi i parë është të marrim rezultatet e mira, pasi në fund të ndeshjes puna e trajnerit vlerësohet me rezultatet. Pra, fitoret janë të rëndësishme për trajnerin. E dyta është që pasi përbërja e lojtarëve vendorë po bëhet gjithnjë e më e moshuar, që gjatë periudhës sime të rritim një gjeneratë të re të Kosovës për ekipin e parë. Kjo është ajo që synoj, por në rend të parë janë rezultatet”, tha Hadar.

Përzgjedhësi i ri pranoi se është në kërkim të natyralizimit të një lojtari tjetër të huaj. Ai tha se po kërkon lojtar të pozitës së fundorit, i cili do t’i përshtatej plotësisht projektit.

“Së pari kemi disa lojtarë që luajnë në programe të ndryshme në NCAA e që janë nga këtu. Do t’i ftojmë dhe të shohim pasi lojtarët që luajnë në ligë i njoh. E kam listën, por po shikojmë të natyralizojmë një fundor për t’ia shtuar ekipit. Një lojtar që i përshtatet projektit tonë, pra një lojtar që do të rritet me ne dhe do të jetë pjesë e objektivit të dytë për rritjen e gjeneratës së re të Kosovës”, u shpreh Hadar.

Kreu i FBK-së, Arben Fetahu, tha se edhe pse Kosova ka katër lojtarë të natyralizuar që mund t’i përdorë për këtë cikël, është e rëndësishme që të shtohet edhe një fundor në mënyrë që të ketë opsione sa më shumë për trajnerin Hadar.

Trajneri 56-vjeçar në postin e selektorit ka zëvendësuar grekun Christos Marmarinos.

Më 19 korrik Kosova luan me Zvicrën në nismë të rundit të tretë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”. Më 26 korrik, Kosova luan në udhëtim ndaj Danimarkës e më 29 korrik në udhëtim ndaj Zvicrës. Këtë fazë kualifikuese e përmbyll më 5 gusht në shtëpi ndaj Danimarkës. Vendi i parë në grup siguron avancimin tutje.

Hadar ka pasur karrierë solide si basketbollist, ndërsa si trajner punon prej vitit 1992. Ka drejtuar shumë skuadra në Izrael, duke përfshirë Maccabi Tel Avivin e Hapoel Tel Avivin. Pos në Izrael, ka punuar edhe në Rumani, te skuadra Craiova.

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka kohë që nuk ka arritur ndonjë sukses.