Sport

Hadar e publikon listën e zgjeruar, Shoshi rikthehet te Kosova pas katër vjetësh

Qendra Lis Shoshi është rikthyer te Përfaqësuesja e Kosovës pas katër vjetësh. Shoshi është përfshirë në listën e zgjeruar të përzgjedhësit Rami Hadar, të cilën e ka publikuar të mërkurën Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK). Hadar ka përfshirë në listën e tij të zgjeruar 17 lojtarë, e cila me kalimin e kohës do të reduktohet në 12, në të cilët trajneri llogarit për parakualifikimet e “Eurobasket 2025”.

Kosova gjatë muajit korrik dhe gusht do ti luajë katër ndeshje në kuadër të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”. Përgatitjet Kosova do t’i fillojë muajin tjetër, ndërsa në listën e Hadarit për herë të parë janë ftuar dy lojtarë, Dardan Kapiti e Shëndrit Llapi.

Pjesë e listës është edhe Rron Ukaj, ndërsa janë ftuar lojtarët e zakonshëm, si Dardan Berisha, Valon Bunjaku, Mikaile Tmushiq, Musab Mala, Altin Morina, Arian Qallaku, Drilon Hajrizi, Erjon Kastrati, Meriton Ismaili, Muhamedali Janjeva, Gëzim Morina e Fisnik Rugova. Gjithashtu, për herë të parë te Kosova do të jetë edhe amerikani i natyralizuar, fundori Dominic Artis.

Shoshi 28-vjeçar rikthehet te Kosova pas dy vjetësh, periudhë gjatë së cilës u përball me lëndime dhe nuk ishte pjesë e asnjë skuadre. Ai ishte ndër lojtarët kryesorë të Kosovës në parakualifikimet për “Eurobasket 2019” dhe “Eurobasket 2021”, ndërsa tani pritet t’i ndihmojë “Dardanët” të avancojnë përtej fazës së tretë parakualifikuese. Kosova është pjesë e Grupit H, së bashku me Zvicrën e Danimarkën, kurse për të avancuar tutje duhet ta sigurojë vendin e parë.

Para se ta fillojë këtë cikël parakualifikues, Kosova do të ketë përgatitje intensive për dy javë dhe një ndeshje miqësore, në mënyrë që të jetë plotësisht e gatshme për duelet me Zvicrën e Danimarkën. Miqësoren, do ta luajë më 7 korrik në Kroaci kundër Përfaqësueses së Austrisë, ka njoftuar menaxheri Ardiatik Rraci. Ky i fundit ka thënë se Arti Hajdari për arsye familjare nuk mund të jetë pjesë e grumbullimit, gjë që nuk është përfshirë në listë.

“Lista është përpiluar një ditë pas emërimit të trajnerit Rami Hadar. Kjo është lista e zgjeruar, e cila para ndeshjeve parakualifikuese do të reduktohet në 12 lojtarë. Përgatitjet i fillojmë më 1 korrik në Prishtinë, ndërsa më datën 7 do të udhëtojmë në Kroaci për të luajtur ndeshje miqësore me Austrinë. Pas kthimit nga Kroacia, përgatitjet do ti vazhdojmë në Prizren deri në ndeshjen e parë që e kemi kundër Zvicrës”, është shprehur Rraci të mërkurën për KOHËN. “Besojmë se kemi ekip të kompletuar, sidomos me përfshirjen e Lis Shoshit dhe Dardan Kapitit dhe sigurisht që synimi mbetet ta fitojmë grupin për të avancuar tutje”.

Ndeshjen e parë kualifikuese, Kosova e luan në shtëpi më 19 korrik, ku e pret Përfaqësuesen e Zvicrës. Pas kësaj ndeshjeje, Kosova dy përballjet e radhës i luan në udhëtim, me Danimarkën (26 korrik) dhe Zvicrën (29 korrik). Ciklin parakualifikues, Kosova e mbyll më datën 5 gusht, me ndeshjen që e luan si vendase kundër skuadrës së Danimarkës.

Në këto parakualifikime, Kosova ndeshjet si vendase do t’i luajë në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, e cila së fundmi është rinovuar tërësisht. Ka kohë që Përfaqësuesja e Kosovës nuk ka regjistruar asnjë sukses. Suksesin e vetëm e kishte në vitin 2017, kur kaloi me sukses parakualifikimet evropiane për Botërorin 2019. Doli para Maqedonisë së Veriut. Selektor atëbotë ishte amerikani Brad Greenberg.

Prej atëherë Kosova nuk ka kaluar asnjë fazë kualifikuese dhe momentalisht është në nivel goxha të ulët. E trajneri nga Izraeli, Rami Hadar, po synon ta kalojë një fazë pas tre vjetësh pas suksesit që e shijoi edicionin e fundit në krye të Pejës, ekip me të cilin fitoi titullin e kampionit të Kosovës.

Hadar është trajneri i katërt i huaj te Kosova, pasi më herët në krye të “Dardanëve” ishin edhe Christos Marmarinos e Damir Mullaomeroviq. Kosova prej vitit 2016 paraqitet në garat e FIBA-s, ku pati debutuar në kualifikimet për “Eurobasket 2017”, por në 6 ndeshje të luajtura pati pësuar po aq humbje, duke përfunduar e fundit në Grupin E. Atëbotë, Kosova drejtohej nga Arben Krasniqi.