Sport

Greku Vavalis kërkon fitore në debutimin te Drita

Trajneri nga Greqia, Akis Vavalis, është i vendosur që ta fillojë në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën në Superligën e Kosovës në futboll. Vavalis do të debutojë në futbollin kosovar në duelin që Drita e luan në shtëpi kundër Ferizajt, që po lufton për ta siguruar mbetjen në elitë edhe për edicionin e ardhshëm.

Ndeshja mes Dritës dhe Ferizajt zhvillohet të shtunën prej orës 15:00 në Gjilan dhe i takon xhiros së 31-të të Superligës kosovare.

Vavalis të dielën mbrëma u zyrtarizua në postin e trajnerit të Dritës, ndërsa këtë javë ka punuar me ekipin. Të premten ka theksuar se e ka përgatitur ekipin gjilanas aq sa ka mundur për ndeshjen e tij debutuese. Vavalis është trajneri i tretë i Dritës këtë edicion. Drita po kërkon titullin e kampionit, derisa më herët u drejtua nga Arsim Thaqi e Ardian Nuhiu.

Kur kanë mbetur edhe gjashtë xhiro deri në fund të këtij edicioni, Drita është e dyta në tabelë me 60 pikë të mbledhura, një më pak se Ballkani. Drita në duelin ndaj Ferizajt futet pas fitores që e arriti kundër Prishtinës me rezultatin 1:0.

“Kam punuar vetëm tri ditë me ekipin dhe nuk kam mundur të bëj ndryshime të mëdha. Por e kemi studiuar në çdo detaj Ferizajn dhe jemi të përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme për këtë ndeshje të rëndësishme. Kështu që me angazhimin maksimal të lojtarëve dhe përkrahjen e tifozëve do të dalim në fushë për fitore. Vetëm në këtë mënyrë mund ta arrijmë synimin tonë, që tashmë dihet se është titulli i kampionit. Nuk do të dorëzohemi deri në fund”, ka thënë Vavalis të premten. “Kam krijuar përshtypje të mira për ekipin tim, pasi pak a shumë i kam njohur lojtarët dhe kjo më bën optimist të madh. Nuk do të bëjmë ndryshime të mëdha në formacion, por janë disa detaje të vogla që i kemi punuar për ndeshjen me Ferizajn. Ferizaj ka ekip të mirë, por ne jemi gati në çdo aspekt dhe do ta kërkojmë golin prej minutës së parë”.

Për dallim prej Dritës, që fitoi në xhiron e shkuar, Ferizaj ka pësuar humbje për ta bërë një hap prapa në luftën për mbijetesë. U mposht 2:1 në shtëpi nga Malisheva për të rënë në pozitën e parafundit në tabelë me 31 pikë të mbledhura. Për Ferizajn ishte humbja e dytë rresht, u mposht edhe nga Prishtina më herët.

Përkundër rezultateve negative në dy ndeshjet e fundit motivi brenda ekipit të trajnerit Andrej Panadiq nuk ka rënë. Ferizaj në qytetin e Gjilanit do të udhëtojë për rezultat pozitiv ndaj Dritës.

“Pa dyshim se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për shkak se përballemi me një prej ekipeve më të mira në ligë. Por, ne kemi punuar mirë gjatë tërë javës për t’i eliminuar gabimet nga ndeshjet e fundit dhe shkojmë në Gjilan për të nxjerrë rezultat pozitiv. Duke e ditur situatën në të cilën jemi, nuk kemi çfarë të humbim nga kjo përballje. Kështu që do të futemi me të gjitha forcat në fushë që të dalim të pamposhtur”, tha kapiteni i Ferizajt, Bujar Shabani.

Të shtunën zhvillohet edhe një ndeshje tjetër e xhiros së 31-të. Në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, Drenica e pret skuadrën e Malishevës. Drenica është në seri prej shtatë humbjeve dhe është në kërkim të fitores së dytë në stinorin pranveror. Zë vendin e fundit në tabelë me 23 pikë, dhjetë më pak se Malisheva që është e shtata.

Xhiroja do të mbyllet të dielën me tri ndeshje, të cilat nisin në orën 15:00. Vëmendja do të jetë në Klinë, ku Dukagjini, që nuk di për humbje në katër ndeshjet e fundit, pret skuadrën e Ballkanit. Duel tjetër interesant do të jetë ai në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Prishtina e pret Llapin. Prishtina është e katërta në tabelë me 41 pikë, një më shumë se Llapi që në dy ndeshjet e fundit ka marrë vetëm një pikë.

Trepça ’89 pas humbjes së thellë xhiron e shkuar nga Ballkani (7:2) kërkon këndelljen në Mitrovicë ndaj Gjilanit të vendit të tretë.

Superliga – 31

E shtunë (15:00)

Drita – Ferizaj

Drenica Malisheva

E diel (15:00)

Dukagjini – Ballkani

Prishtina – Llapi

Trepça ’89 – Gjilani

Image