Sport

Goditje për Belgjikën, Courtois mungon në “Euro 2024”

Portieri belg Thibaut Courtois nuk do të jetë në gjendje të luajë në Kampionatin Evropian vitin e ardhshëm, për shkak të dëmtimit të gjurit që e ka lënë jashtë fushës që nga fillimi i edicionit 2023/24.

Mungesa e tij te Belgjika mund të zgjasë edhe më shumë, duke pasur parasysh tensionet e vazhdueshme midis Courtoisit dhe selektorit Domenico Tedesco.

Courtois tha në një intervistë në transmetuesin belg “Sporza” se ai do të marrë veten nga operacioni për të rikuperuar ligamentin e kryqëzuar në gjurin e majtë në vend që të luajë në Evropian.

“Euro 2024” do të mbahet në Gjermani prej 14 qershorit deri më 14 korrik.

“Për shkak të dëmtimit gjithsesi nuk do të ketë Evropian për mua”, tha Courtois. “Së pari duhet të rikuperohem plotësisht dhe më pas është më mirë të mos vendos një datë për kthimin tim. Nëse jam me fat mund të luaj një ndeshje tjetër në maj. Por edhe nëse luaj në maj nuk do të jem gati për Evropian, kjo është më se e sigurt”.

Belgjika do të jetë pjesë e Grupit E në Evropian së bashku me Rumaninë, Sllovakinë dhe njërin fitues të plejofit.

“Mendoj se është më mirë që menjëherë t'i jepet kjo qartësi përfaqësueses. Unë nuk do të jem në portë, ndërkohë që kemi portierë të tjerë të mirë”, tha Courtois. “Unë do të jem vetëm një mbështetës shtesë në qershor. Shpresoj për një titull evropian”.

Courtois ka 102 paraqitje për Belgjikën, por nuk ka luajtur për vendin e tij që nga barazimi 1:1 kundër Austrisë në muajin qershor. Pas asaj ndeshjeje, ai u largua papritmas nga kampi stërvitor i Belgjikës përpara një ndeshjeje tjetër kualifikuese të Kampionatit Evropian kundër Estonisë. Courtois u akuzua nga selektori Tedesco se kishte shpikur një dëmtim.

Tedesco pohoi se Courtois nuk u paraqit, sepse portieri ishte “ofenduar” nga trajtimi i tij si kapiten. Pasi babai i Courtoisit mohoi se kishte një mosmarrëveshje brenda skuadrës dhe tha se djali i tij u lejua të largohej për shkak të një dëmtimi të lehtë në gju, Tedesco u tha mediave se “gardiani” nuk ishte lënduar. Në intervistën e tij, Courtois u kërkoi falje skuadrës dhe tifozëve të Belgjikës për largimin nga kampi, duke thënë se ishte “një vendim i gabuar” që krijoi “ankth” brenda ekipit përpara ndeshjes kundër Estonisë. 31-vjeçari tha se ishte tashmë i frustruar nga një mungesë e perceptuar e konsideratës nga Tedesco para ndeshjes kundër Austrisë.

“Në ditën e ndeshjes, disa orë para fillimit të saj, Tedesco më thirri mua dhe Romelu Lukakun”, dha versionin e tij Courtois. “Kur ai tha se Romelu ishte kapiten kundër Austrisë dhe unë isha kapiten kundër Estonisë të martën pasuese, diçka u këput brenda meje. Nuk funksionoi më. Fakti që nuk ndieja më vlerësim nga federata dhe trajneri bëri që diçka të shpërthejë brenda meje”.

Federata belge është përpjekur të riparojë marrëdhëniet e dëmtuara mes Tedescos dhe Courtoisit me përdorimin e ndërmjetësve, por nuk ka funksionuar.

“Tedesco donte të më sulmonte mua”, tha Courtois. “Nuk e di se çfarë zgjidhjeje mund të ketë, sepse në një marrëdhënie duhet t'i besoni njëri-tjetrit fillimisht”.

Portieri i Real Madridit megjithatë nuk përjashtoi një rikthim te Belgjika edhe pse pranoi se do të jetë e ndërlikuar të rivendoset besimi mes tij dhe selektorit Tedesco.

“Dera definitivisht nuk është e mbyllur për mua”, tha ai. “Do të shohim se çfarë do të sjellë e ardhmja. Fillimisht duhet të jem i gatshëm në çdo aspekt, pastaj të përgatitem me Realin dhe të jem numri një në edicionin 2024/25. Do të shohim se si do të jetë Belgjika vitin e ardhshëm”.