PRISHTINË, 4 SHTATOR, 2016 - Të jashtëzakonshme vlerësohen dy sukseset e Federatës së Hendbollit të Kosovës në procesin e ndërkombëtarizimit të sportit kosovar, proces që ka përfunduar tashmë. Klubet e hendbollit e fituan të drejtën të luajnë gara evropiane më shumë se dhjet vjet para klubeve të sporteve të tjera. Ndërkohë edhe përfaqësuesja e Kosovës në hendboll fitoi të drejtën të luajë para përfaqësueseve të Kosovës në sporte tjera.
FHK-ja qysh në dhjetor të vitit 2004 ishte pranuar me të drejta të kufizuara në Federatën Evropiane të Hendbollit (EHF). Ndërkohë me të drejta të plota në EHF dhe në Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF) ishte pranuar në vitin 2014, para se Kosova të pranohej në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Pjesë e rëndësishme e këtyre proceseve ishte Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës. Vlerësohet se Gjinovci ka dhënë kontribut të madh që hendbolli në procesin e ndërkombëtarizimit të jetë shumë para sporteve të tjera kolektive të vendit.
Në fakt Gjinovci si drejtues në hendboll është shumë para vitit 2004. Ai tregon se është i vetmi që ka marrë pjesë në tri procese kyç, në pavarësimin e hendbollit kosovar në fillim të viteve nëntëdhjeta, në pranimin e kufizuar e më pas edhe në pranimin e plotë.
Të kaluar në hendboll ka edhe si lojtar. Nga viti 1975 ishte pjesë e shkollës së hendbollit që udhëhiqej nga Shkelzen Gashi e Iljaz Obërtinca. Nga viti 1978 luajti për Universitetin deri në vitin 1983, kur kaloi te Prishtina. Për Prishtinën luajti deri në vitin 1989.
“Në tetor të vitit 1991 ka nisur kampionati i parë i pavarur i Kosovës në hendboll. Zyrtarisht isha kryetar i klubit Prishtina, por në fakt isha përgjegjës për logjistikë, për të ndihmuar kryesinë e atëhershme dhe komisionin e garave për jetësimin e këtij qëllimi. Më kujtohet që takimet i mbanim në lokalin ‘Pasarrela’ ku punonim për kampionatin e parë, që nisi më 12 tetor në Drenas. Aktiv kanë qenë shumë persona si Danjoll Grezda, kryetar i atëhershëm i FHK-së, dhe sidomos komisioni i garave në përbërje Fahri Buçinca, Musa Alaj dhe të ndjerët Asllan Jahja, Ukë Uka dhe Skender Rugova. Unë ofroja përkrahje financiare dhe logjistike me miq e shokë si Alfred Llazari”, ka treguar Gjinovci.
Ai ka folur për gazetën nga zyra e tij në Shtëpinë e Sporteve në Prishtinë, ku në një hapësirë të vogël funksionon Federata e Hendbollit të Kosovës.
Gjinovci në klubin Prishtina si drejtues ishte prej vitit 1989, kur Prishtina garonte në ligën e dytë të shtetit të atëhershëm federativ. Te Prishtina qëndroi deri në vitin 2002. Ka mbajtur poste të ndryshme, si kryetar, drejtor, ndërsa ishte edhe kryetar i Lidhjes së Hendbollit të Prishtinës. Prej vitit 1993 deri në vitin 2000 ishte anëtar i Bordit të Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Gjinovci prej pavarësimit të sportit gjithnjë ishte pjesë e zhvillimeve në FHK, ndërsa postin e sekretarit të përgjithshëm e mban prej vitit 2002.
Një dekadë para të tjerëve
Procesin e ndërkombëtarizimit të sportit kosovar e nisi Federata e Pingpongut të Kosovës që u pranua në asociacionet ndërkombëtare të këtij sporti në vitin 2003.
Një vit më vonë FHK-ja bëri hapin e madh duke u pranuar me të drejta të kufizuara në Federatën Evropiane të Hendbollit. Ishte e arritur shumë e madhe, e jashtëzakonshme për kohën. Klubet e hendbollit fitonin të drejtën të luajnë në Kupa Evropiane dhe këtë të drejtë nisën ta shfrytëzonin menjëherë nga edicioni 2005\06.
“Pranimi i një sporti individual si pingpongu ishte shumë më i lehtë. Për shembull në pingpong ishte pranuar edhe Mali i Zi, ndonëse atë kohë ishte në bashkësi me Serbinë. Pra janë pranuar edhe territore.
FHK-ja e ka pasur shumë më të vështirë. Ishte federata e parë e një sporti kolektiv që pranohej me të drejta të kufizuara. Për atë kohë ky lloj pranimi ishte si pranimi i plotë tani. Kosova nuk ishte shtet dhe këtu qëndron madhështia e pranimit”, ka vlerësuar Gjinovci.
Kosova u pranua në EHF më 18 dhjetor të vitit 2004 në Kongresin e mbajtur në Budapest. Drejtuesit e FHK-së kanë luajtur me kartën e humanitetit.
“E kemi shfrytëzuar kohën kur Serbia ka qenë shumë e dobët për nga ndikimi në EHF dhe në IHF dhe kur kishte probleme të brendshme me Malin e Zi. Është fakt që neve më shumë na kanë ndihmuar për çështje humane, sepse jemi ankuar që hendbollistët tanë nuk po mund të luajnë jashtë vendit. Pra, kemi insistuar në këtë dhe kemi gjetur përkrahje për shkak të hendbollit. Kemi pasur mirëkuptimin e sekretarit të përgjithshëm të EHF-së, Michael Wiederer. Se sa i madh ishte ky pranim dëshmon fakti që ka kaluar një dekadë para se federatat tjera ta bënin këtë lëvizje. Për shembull klubet tona luajnë në Evropë prej vitit 2005, ndërsa ato të futbollit duhet të presin ende”, ka theksuar Gjinovci.
Gjinovci thotë se pranimi u mundësua falë punës së njerëzve që ishin përgjegjës si kryetarit të atëhershëm Mexhid Devaja, vetë atij si sekretar i përgjithshëm, por edhe njerëzve tjerë të Bordit të FHK-së, si Fazli Berisha në fillim, Izegjid Tushës, teologut Tahir Kukajt që mundësoi takimin e parë me presidentin e IHF-së, Hassan Moustafa. Gjinovci ka përmendur edhe ndihmën e Alfred Llazarit për vënien e kontaktit me ish-presidentin e Federatës së Hendbollit të Serbisë dhe Malit të Zi, Rade Gjurgjiq, dhe kontributin e mëvonshëm të anëtarit të Bordit të FHK-së, Faruk Mujkës dhe dashamirit të hendbollit nga Gjilani, Naser Ajetit.
FHK-ja në vitin 2007 u pranua në Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit me të drejta të kufizuara, ndërsa prej këtij viti kishte ngecje në avancim të pozitës. Zyrtarët e EHF-së arsyetoheshin se vetëm hendbolli është pranuar me të drejta të kushtëzuara prej të gjitha sporteve dhe ky ishte maksimumi i mundshëm. Por hendbolli kosovar tashmë ishte në skenën evropiane. Klubet luanin rregullisht, nisën të vinin edhe suksese të vogla dhe po ashtu arbitra e delegatë nga Kosova po merrnin më shumë përgjegjësi në gara evropiane.
Thyerja e barrierave
Në vitin 2013, kur FHK-ja tashmë drejtohej nga Eugen Saraçini, u bë një lëvizje e madhe në një Kongres të IHF-së që u mbajt në Katar. Çështja e pranimit të Kosovës u diskutua mbi 40 minuta në atë kongres. Në polemikë u përfshinë përfaqësuesi i Shqipërisë, i Serbisë, kryetari i FHK-së dhe kryetari i Federatës evropiane. Debatin e mbylli presidenti i IHF-së, Moustafa, me porosinë që çështja e pranimit të përmbyllet në EHF.
Më pas Saraçini dhe Gjinovci patën dy takime me EHF-në para se më 20 shtator të vitit 2014 në Dublin të Irlandës, Kosova të pranohej me të drejta të plota në Federatën Evropiane.
“Ishte fitorja më e madhe e sportit kosovar, sepse u pranua një sport kolektiv që faktikisht do të thotë se njihej shteti. U pranuam me gjithë angazhimin maksimal të Serbisë për të stopuar njohjen, letrën e Vlade Divacit, presidentit të Komitetit Olimpik të Serbisë dhe angazhimit të Vuk Jeremiqit”, ka treguar Gjinovci. Sipas tij, pranimi i FHK-së ka qenë një test final edhe për Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC).
Ai tregon se drejtuesit e EHF-së dhe IHF-së kanë mbajtur korrespodencë të vazhdueshme me drejtuesit e IOC-së lidhur me pranimin e Kosovës. Kosova në IOC u pranua në fund të vitit 2014.
“Mendoj se pranimi jonë i ka thyer të gjitha barrierat dhe ju ka treguar federatave tjera ndërkombëtare dhe IOC-së që mos të hezitojnë të pranojnë Kosovën. Ne me pranim në EHF, automatikisht jemi pranuar edhe në IHF. Zyrtarisht në IHF jemi prezantuar në Kongresin e 35-të të mbajtur në Sochi të Rusisë. Ne pranuam pllakatin e pranimit me flamurin e Kosovës në sfond. Menjëherë pas pranimit nisëm me ndeshje të përfaqësueseve dhe kështu mbyllëm një proces historik”.
Gjinovci ishte i angazhuar sidomos në lobim dhe për krijimin e raporteve miqësore me asociacionet ndërkombëtare dhe federatat e shteteve të tjera.
“Isha i përfshirë në të gjitha proceset. Ndoshta natyra ime e komunikimit ka bërë që të përfitojë simpatinë e zyrtarëve të shteteve të tjera. Mënyra e komunikimit, afërsia, kontakti i gjatë dhe korrekt me të tjerët ka ndihmuar shumë në këtë proces”, thotë Gjinovci.
*Ky artikull ribotohet me rastin e vdekjes së Izet Gjinovcit, sekretarit të përgjithshëm të FHK-së