Sport

Gjimnastja japoneze largohet nga Olimpiada për shkak të duhanit e alkoolit

Gjimnastja japoneze largohet nga Olimpiada për shkak të duhanit e alkoolit

Ylli i gjimnastikës japoneze, Shoko Miyata, është larguar nga ekipi olimpik pasi pranoi se pinte cigare dhe alkool, ka njoftuar të premten Federata e Gjimnastikës së Japonisë (JGA). Është kjo një kthesë e pabesueshme, një javë para fillimit të Lojërave Olimpike në Paris.

19-vjeçarja, ishte kapitene e ekipit për Lojërat e Parisit.

Federata po e shqyrtonte rastin pasi mori informata të hënën se ajo kishte pirë duhan dhe alkool. Ajo i pranoi akuzat një ditë më pas. Federata më pas e udhëzoi të kthehej në Japoni nga Monako ku gjimnastët japonezë ishin duke ushtruar.

Miyata, studente e Universitetit Juntendo, dha më shumë detaje për federatën të enjten. Ka pranuar se pinte cigare në kohën e lirë dhe se konsumoi alkool në Qendrën Kombëtare të Trajtimit në Tokio në fund të qershorit dhe fillim të korrikut.

Veprimet e gjimnastes kanë shkelur kodin e sjelljes së Federatës japoneze. Dhe federata dhe Miyata kanë vendosur që ajo të largohet nga ekipi përfaqësues.

Kodi i sjelljes i JGA-së ndalon anëtarët e ekipit kombëtar që të pinë duhan dhe alkool gjatë aktiviteteve me ekip edhe nëse janë më të vjetër se 20 vjet. Në Japoni, pirja e duhanit dhe alkoolit lejohet vetëm pas moshës 20-vjeçare.

“Sinqerisht kërkoj falje për telashet e shumta që janë shkaktuar”, tha kryetari i Federatës së Gjimnastikës së Japonisë, Tadashi Fujita në një konferencë të organizuar me nxitim të premten. “Më vjen shumë keq”.

Shefi ekzekutiv i federatës, Kenji Nishimura ka cituar Miyatan të ketë thënë se pinte duhan dhe alkool “nga presioni” për t’u paraqitur më mirë. Sipas tij, gjimnastja ishte e shqetësuar për incidentin.

Vendimi për të larguar gjimnasten është vlerësuar si tepër i ashpër nga një pjesë e komunitetit sportiv. 
Dai Tamesue, që përfaqësoi Japoninë në tri Olimpiada në vrapim 400 metra me pengesa, shkroi se veprimet e Miyatas ishin problematike, por se ajo nuk duhej të hiqej nga ekipi.

Miyata fitoi medalje të bronztë në trarin gjimnastikor në Kampionatin Botëror 2022, ndërsa në garën e përgjithshme ishte e teta.

Japonia ka kohë që është superfuqi në gjimnastikën e djemve. Por te vajzat nuk i është afruar suksesit të gjimnastëve. Kjo megjithatë nuk ka penguar federatën ta largojë gjimnasten më të mirë për shkelje të rregullave.