Mërgim Pefqeli ka fituar trofe me Prishtinën në të kaluarën. Ka shënuar edhe gola të rëndësishëm. I tillë ishte edhe ai i 5 qershorit të vitit të kaluar. Pefqeli kishte shënuar supergol ndaj Gjilanit në ndeshjen finale të Kupës së Kosovës.
Prishtina kishte fituar 2:0.
Pefqelit i kujtohet mirë ai moment. Madje e vlerëson si një prej golave më të bukur në karrierë.
“Normal se pas çdo fitoreje kujtimet e mira mbesin. Por fitorja dhe goli i shënuar kundër Gjilanit është një kujtim më i veçantë, sepse ka qenë finalja e Kupës së Kosovës. Mund të them se është një prej golave më të bukur në gjithë karrierën time”, ka thënë Pefqeli të premten për KOHËN.
Prishtina e Gjilani takohen sërish të shtunën. Dhe sërish për Kupë.
Ndeshja Gjilani - Prishtina e shënon vazhdimin e garës në futbollin kosovar. Zhvillohet në terrenin me bar sintetik në Gjilan prej orës 13:00 dhe i takon 1/8 së finales së Kupës së Kosovës.
Kapiteni i Prishtinës, Pefqeli, e ka vlerësuar lart skuadrën gjilanase.
“Tash është një lojë krejt ndryshe. Ekipi i Gjilanit është përforcuar mjaft. E ka bërë një skuadër kompakte, por gjithsesi ne do të shkojmë për fitore, sepse kjo është rruga më e sigurt për të shkuar në garat evropiane. Ky është edhe synimi kryesor i klubit”, ka deklaruar Pefqeli.
Prishtina është larg kreut të tabelës në Superligë dhe thuajse e dorëzuar sa i takon titullit të kampionit.
Pas 18 ndeshjeve në Superligë ka grumbulluar 26 pikë dhe zë vendin e pestë. Lider është Ballkani me 40 pikë, ndërsa nga 34 pikë i kanë Llapi dhe Drita.
Edhe Gjilani pati nisje të dobët në kampionat. Në mungesë të rezultateve, tani po lufton për mbetje në elitë. Zë pozitën e tetë me 18 pikë.
Kapiteni i Gjilanit, Edison Kqiku, po ashtu kërkon kalimin në çerekfinale të Kupës. Ai ka thënë se ndihmesë e madhe për Gjilanin do të jenë tifozët “Skifterat”.
“Do të jetë ndeshje e rëndësisë së veçantë pasi që edhe ne kemi objektivat tona dhe përballemi me një rival të vështirë. Do të luajmë para tifozëve tanë dhe jemi maksimalisht të përgatitur për këtë sfidë”, ka thënë Kqiku.
Ai ka përmendur edhe lëvizjet në afatin kalimtar të dimrit te Gjilani dhe ka thënë se tani të gjithë janë në formën më të mirë dhe se ka entuziazëm në skuadër.
“Ardhjet e reja janë adaptuar mirë me ekipin dhe vërehet një entuziazëm që mezi presin të fillojë stinori pranveror. Finalja e edicionit të kaluar është një ndeshje e harruar. Para e kemi një sfidë tjetër dhe do të bëjmë të pamundurën për të avancuar tutje”, deklaroi Kqiku.
Të shtunën në program janë edhe tri ndeshje tjera të Kupës.
Suhareka luan kundër Prishtinës së Re, Feronikeli 74 e pret Malishevën, ndërsa Vjosa luan kundër 2 Korrikut.
Të dielën ndeshja më e fortë vlerësohet ajo mes Trepçës ’89 dhe Llapit. Dukagjini ballafaqohet me Dinamon, Drita me Rilindjen 1974, kurse kampioni në fuqi, Ballkani, takohet me Vëllaznimin.
E shtunë (13:00)
Suhareka – Prishtina e Re
Feronikeli 74 – Malisheva
Vjosa – 2 Korriku
Gjilani – Prishtina
E diel (13:00)
Trepça ’89 – Llapi
Dukagjini – Dinamo
Drita – Rilindja 1974
Ballkani – Vëllaznimi