Sport

Gjakova ndalet nga bartësi i parë

Akil Gjakova në Kampionatin Botëror të xhudos në Abu Dabi

Akil Gjakova në Kampionatin Botëror të xhudos në Abu Dabi

Akil Gjakova ka garuar të hënën në Kampionatin Botëror të xhudos në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe. 

Gjakova u paraqit në kategorinë deri 73 kilogramë, që është prej kategorive me konkurrencën më të fortë. 

Në xhiron e parë nuk pati telashe. Fitoi shpejtë e bindshëm ndaj Faye Njie të Gambisë. 

Në xhiron e dytë, Gjakova e kishte përballë bartësin e parë të Botërorit, Hidayat Heydarov të Azerbajxhanit. 

Lufta me të ishte e fortë, por Heydarov shënoi fitore. Me hedhje të bukur siguroi uazari e më pas edhe një uazari tjetër për fitore me Ippon. 

Shorti nuk e ka favorizuar xhudistin kosovar, që po ashtu nuk ishte bartës. 

Heydarov është prej më të mirëve në botë. Ndaj tij Akili kishte fituar në Evropianin e hapur në Prishtinë, dhjetorin e kaluar. Po tashmë i ka pesë humbje me Heydarovin. 

Të martën në Kampionat Botëror garon Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë.