Sport

Girona po sfidon gjigantët e Spanjës pas startit të furishëm

Me Real Madridin, Barcelonën dhe Atletico Madridin që luftojnë për qëndrueshmëri dhe humbën pikë të vlefshme në javët e fundit, Girona e profilit të ulët ka ecur përpara dhe është e vetme në krye të renditjes në La Liga pas një fillimi të jashtëzakonshëm të edicionit. Asnjë skuadër në pesë ligat më të mira të Evropës nuk ka më shumë pikë se Girona (31) në këtë fazë të edicionit, një statistikë mahnitëse kjo për një skuadër që ka kaluar mes ligës së parë dhe të dytë që kur kompania “City Football Group” nga Abu Dhabi bleu 44 për qind të aksioneve të klubit në vitin 2017. Humbja 3:0 e Gironas në shtëpi ndaj Realit në fund të muajit shtator ka qenë e vetmja goditje që kur e filloi edicionin me një barazim 1:1 ndaj Real Sociedad.

Girona përfundoi në vendin e dhjetë edicionin e kaluar me 13 fitore pasi u rikthye në La Liga, por ekipi i vogël që po vlerësohet befasia më e madhe, tashmë ka regjistruar 10 fitore këtë edicion, përfshirë atë 4:2 me rikthim ndaj Osasunas fundjavën e kaluar duke u forcuar në krye të tabelës. Pasi trajneri Michel udhëhoqi Rayo Vallecanon dhe Huescan duke i rikthyer në elitën e futbollit spanjoll në edicionet e mëparshme, trajneri i Gironas tani po impresionon në La Liga me një stil sulmues që shfrytëzon sa më shumë talentet, si brazilianët Savinho e Yan Couto dhe mesfushorin spanjoll Aleix Garcia. Ndërsa po përgatiten të udhëtojnë në Madrid për ndeshjen e së shtunës me Rayo Vallecanon, që i mori një pikë Real Madridit në “Santiago Bernabeu” të dielën e kaluar, trajneri Michel është realist për shanset e skuadrës së tij për të sfiduar titullin. Sipas tij, synimi i vetëm i Gironas është të përfundojë në pjesën e epërme të tabelës dhe të rrëmbejë një nga vendet e La Ligës që siguron pjesëmarrjen në garat evropiane të vitit të ardhshëm.

“Liga jonë nuk është kundër Real Madridit, Barcelonës dhe Atleticos. Unë nuk e ëndërroj këtë ligë, por ëndërroj për Real Sociedadin, Sevillan, Villarrealin. Fitimi i kësaj lige që për mua është realiste, mund të siguroj në vendin e katërt dhe të gjashtë. Tani unë ëndërroj për atë ligë”, tha Michel. “Unë ëndërroj për ato pozita, pra në mes të vendit të katërt dhe të gjashtë. Kam parë një ekip shumë të vendosur me një mentalitet të fortë deri më tani. Ne kemi 31 pikë, synimi i shpëtimit është shumë afër dhe ne duhet ta ndryshojmë këtë synim për të shkuar te synimi tjetër, garat evropiane”.

Pas Gironas me dy pikë më pak në vendin e dytë, Real Madridi do të përpiqet të rikthehet te fitorja nga barazimi pa gola kundër Rayos, teksa pret Valencian të shtunën. Barça e vendit të tretë, me 27 pikë, përballet në shtëpi me Alavesin, të dielën. Me një ndeshje më pak të luajtur, Atletico Madridi është i katërti me 25 pikë dhe do të presë Villarrealin, ndeshje që po ashtu luhet të dielën.