Girona po përpiqet të ulë pritshmëritë pasi u dëshmua si një pretendente e vërtetë për titullin e kampionit në La Liga, me fitoren e saj më të madhe në fillimin historik të edicionit. Fitorja 4:2 kundër kampiones në fuqi, Barcelonës, të dielën, e vendosi klubin katalan në krye të tabelës kur po afrohet gjysma e edicionit.
Në fakt, Girona me këtë fitore tregoi se mund të ketë atë që duhet për të vazhduar garën për titull me fuqitë e zakonshme në futbollin spanjoll. Mirëpo, trajneri Michel Sanchez ishte i shpejtë për të theksuar se fitimi i ligës ende nuk është qëllimi kryesor i ekipit. Ai pranoi se Girona mund të synojë për më shumë sesa thjesht shmangien e rënies, që ishte objektivi kryesor në fillim të sezonit, por është shumë herët për të menduar për mundësinë e ngritjes së një trofeu.
“Unë mendoj se matematikisht ne i kemi shpëtuar rënies, që ishte edhe qëllimi”, u shpreh Michel. “Unë nuk mendoj se ne mund të vazhdojmë me Barcelonën, Real Madridin dhe Atletico Madridin dhe të fitojmë ligën. Nuk është objektivi ynë titulli i kampionit. Por ne jemi shumë të kënaqur me ecurinë e edicionit. Mendoj se tani tifozët e futbollit në përgjithësi janë pak adhurues të Gironas gjithashtu. Shumë njerëz thonë, ‘këta djem mund të luajnë’”.
Girona ka fituar 13 nga 16 ndeshjet e ligës spanjolle dhe është skuadra me më së shumti fitore në pesë ligat më të forta evropiane deri më tani. Ka një epërsi prej dy pikësh ndaj Real Madridit dhe ka shtatë pikë më shumë se Atletico Madridi dhe Barcelona.
Michel lavdëroi ekipin e tij që nuk kishte frikë nga Barcelona dhe sfidoi kampionen në fuqi prej fillimit të ndeshjes në stadiumin olimpik “Lluis Companys”, të dielën. Ai tha se kjo tregoi se ekipi ka karakter dhe qëndrim për të luftuar për synime më të larta.
“Ne nuk jemi në epërsi, sepse skuadrat kryesore janë duke luftuar. Ka qenë një vit historik për ne”, tha Michel. “Por të fitosh gjithçka është ende diçka shumë e largët për të menduar. Kur të arrijmë në pjesën e fundit të edicionit do të shohim se si janë gjërat dhe cilat do të jenë synimet tona”.
Girona, pjesërisht në pronësi të pronarëve të Manchester Cityt nga Abu Dabi, edicionin e shkuar përfundoi në vendin e dhjetë në La Liga, pas tri vjetësh rresht në nivelin e dytë të futbollit spanjoll.
“Girona duhet të përgëzohet dhe meriton shumë duartrokitje. Ka një ekip të madh”, tha trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez. “Lirisht mund të them se është skuadra më e mirë që kam parë të luajë deri më tani”.
Girona, e cila ka sulmin më të mirë të ligës me 38 gola të shënuar, ka qenë afër kryesimit në kampionat që nga fillimi. Kishte disa dyshime në lidhje me skuadrën e trajnerit Michel pasi dështoi në provën e parë të madhe – humbjen 3:0 në shtëpi ndaj Real Madridit në muajin shtator. Por kjo është humbja e vetme e Gironas deri më tani këtë edicion.
Pengesat e tjera të Gironas ishin barazimet me Real Sociedadin dhe Athletic Bilbaon, ekipe që po luftojnë për një vend në Evropë.
“Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha mbrojtësi i Gironas, Miguel Gutierrez, i cili shënoi një nga golat. “Ne jemi në krye të tabelës dhe do të vazhdojmë të luftojmë për të qëndruar në krye. Ne i kemi bërë gjërat mirë dhe duhet të vazhdojmë kështu”.
Ndeshjen e ardhshme në kampionat Girona e luan në shtëpi. Të hënën tjetër përballet me Deportivo Alavesin, përpara se të luajë në udhëtim kundër Real Betisit, tri ditë më vonë.