Selektori i Kosovës, Alain Giresse, ka thënë se synon kualifikimin në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm që mbahet në Gjermani. Në konferencën për shtyp të mbajtur të hënën, Giresse ka thënë se Kosova mund ta sigurojë kualifikimin për herë të parë në një ngjarje të madhe, pasi nuk e ka grupin shumë të vështirë. Megjithatë, tekniku francez ka shtuar se nuk bën të nënçmohet asnjëri prej kundërshtarëve që janë në grup.
Kosova bën pjesë në Grupin I së bashku me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë e Andorrën.
“Ndodhemi në një grup i cili nuk është i vështirë, por kemi ekipe që nuk duhet nënçmuar. Por ky grup na jep ambicie për të synuar kualifikimin në Evropian. Kjo është pikëpamja ime për grupin dhe në lidhje me situatën në të cilën ndodhemi”, ka thënë Giresse.
Giresse është paraqitur për herë të parë para mediave këtë vit. Kosova brenda pak ditësh i luan dy ndeshjet e para në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Më 25 mars luan në udhëtim ndaj Izraelit, ndërsa tri ditë më pas e pret Përfaqësuesen e Andorrës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Giresse është i fokusuar tek Izraeli, me të cilin do të përballet të shtunën. Giresse ka vlerësuar Izraelin, duke shtuar se e ka analizuar mirë ekipin kundërshtar dhe se Kosova do të jetë gati për këtë përballje të rëndësishme.
“Është një ekip shumë i mirë në aspektin teknik. Një ekip që luan futboll të bukur dhe tenton të ndërtojë gjithmonë diçka. Ka një lojë të cilën e ndërton prej mbrojtjes dhe nuk është e fokusuar në topa të gjatë. Ka lojtarë që kanë nivelin e njëjtë pak a shumë me tanët, si dhe ka disa karakteristika të caktuara. Nuk dua të flas për këto karakteristika, pasi nuk dua që të zbulohen para ndeshjes që na pret në Tel-Aviv. Ka lojtarë të rrezikshëm si Manor Solomon që luan te Fulhami”, ka thënë Giresse.
Giresse beson se lojtarët do ta japin maksimumin jo vetëm ndaj Izraelit, por ndaj gjithë kundërshtarëve në grup. Ai thotë se një ide të tillë po mundohet ta përcjellë te futbollistët, të cilët shton se duhet ta kuptojnë se kanë një mundësi të mirë kualifikimi në Evropian.
“Të instalojmë idenë te lojtarët që të japin maksimumin është shumë e rëndësishme, pasi kemi mundësi të kualifikohemi. Pra, të kemi një ambicie të madhe dhe të japim gjithçka nga vetja në këto kualifikime. Në secilën ndeshje duhet të qasemi me angazhim maksimal dhe ambicie maksimale. Duhet të fillojmë nga këto dy ndeshje, pasi kemi një mundësi të mirë. Andaj është shumë e rëndësishme ta instalojmë këtë ide te lojtarët tanë”.
Për duelet me Izraelin dhe Andorrën, Giresse thotë se është fokusuar te grupi i lojtarëve që i kishte ftuar për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve, që u zhvilluan në shtator të vitit të shkuar ndaj Irlandës së Veriut dhe Qipros. Sa u përket lojtarëve të rinj, selektori thotë se gradualisht do të përfshihen në ekip, pasi ende nuk janë gati për duelet e nivelit ndërkombëtar.
“Me rëndësi për mua është baza që e kemi pasur në ndeshjet e fundit që i kemi luajtur në shtator, ku kemi bërë paraqitje të mira edhe pse nuk arritëm atë që synonim. Në nëntor pastaj patëm grumbullimin me lojtarë të rinj, të cilët nuk mendoj se ende janë gati për nivelin ndërkombëtar. Ne po synojmë kualifikimin dhe jemi në kërkim të lojtarëve që janë të këtij niveli. Për ne ka rëndësi niveli i kampionatit në të cilin luajnë, por pastaj duhet të kemi parasysh se këto janë kualifikime dhe nuk mund t’i inkuadrojmë në ndeshje të tilla, pasi nuk guxojmë të rrezikojmë. Ne po përcjellim shumë lojtarë, të cilët do t’i inkuadrojmë gradualisht”.
Nga lista e publikuar të premten, ka vetëm një ndryshim. Sulmuesi i krahut, Elbasan Rashani nuk do të jetë në gjendje të bashkohet me “Dardanët” për shkak se ende nuk është rikuperuar nga lëndimi. Rashanin, Giresse nuk e ka zëvendësuar me ndonjë lojtar tjetër, pasi thotë se ka mjaftueshëm futbollistë në dispozicion për këto dy ndeshje, gjithsej 25.
“Në krahasim me listën e parë, kemi ndryshime. Rashani mungon për shkak të lëndimit dhe kemi vendosur që mos të marrim dikë tjetër, pasi kemi 25 lojtarë që mendoj se janë të mjaftueshëm për këto dy ndeshje”.
Tekniku nga Franca ka folur edhe për sulmuesin e krahut, Ermal Krasniqin, si dhe qendërsulmuesin Mirlind Daku, të cilët nuk i ka ftuar për duelet e këtij muaji. Krasniqi po kalon formë të mirë këtë vit te Cluji në Rumani, sikurse edhe Daku te Mura sllovene. Sipas Giresset, në pozitën ku luan Krasniqi ka shumë lojtarë të cilët tashmë janë më të dëshmuar dhe luajnë një kohë të gjatë për Kosovën. Ai ka thënë se si Krasniqi ashtu edhe Daku, janë në listën rezervë dhe se mund të ftohen ditëve në vijim, varësisht prej gjendjes së lojtarëve që do ta shoh nga afër gjatë këtyre ditëve. Selektori ka thënë se Arbnor Muja ka një shqetësim dhe mbetet të shihet gjendja e tij. Sa i përket Albion Rrahmanit, Giresse ka thënë se sulmuesi i Ballkanit ka gjetur vend në listë për shkak se po shënon shumë gola.
“Sa i përket Krasniqit, ai bën pjesë në atë që e quajmë paralistë dhe nuk është ftuar. Por, ende nuk dihet pasi mund të ketë ndryshime ditët në vijim për shkak se Arbnor Muja ka një shqetësim dhe mbetet të shihet situata e tij. Në mesin e lojtarëve me potencial të madh është Krasniqi. Në pozitën e Ermalit kemi shumë lojtarë të tjerë që janë më të dëshmuar dhe luajmë për një kohë të gjatë për Kosovën. Fakti që Mujën e kemi ftuar, është e qartë se dera mbetet e hapur për të gjithë të tjerët. Rrahmani është një sulmues që po shënon shumë gola dhe ai është ftuar në mënyrë graduale në ekip. Sa i përket Dakut, edhe ai është në paralistë, por Rrahmani është ftuar”.
Ardhja e mbrojtësit të krahut të majtë, Leart Paqarada, duket se më së shumti e ka gëzuar Giressen. Ai ka zbuluar se ka kohë që ka kërkuar kthimin e Paqaradës, për të cilin ka thënë se ka dëshirë të madhe për të dhënë gjithçka nga vetja me fanellën e Kosovës.