Përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse, i ka vlerësuar tejet të rëndësishme dy ndeshjet e këtij muaji që “Dardanët” i luajnë në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”.
Në konferencën për media të mbajtur të premten, Giresse ka shprehur besimin që ekipi do të jetë gati për duelet me Rumaninë dhe Bjellorusinë.
Kosova luan më Rumaninë në Prishtinë më 16 qershor, ndërsa tri ditë më pas do të përballet me Bjellorusinë në Budapest të Hungarisë.
Përfaqësuesja të enjten ka nisur përgatitjet. Në stërvitjen e parë, Giresse i kishte në dispozicion vetëm shtatë futbollistë, prej tyre tre portierë. Ai ka thënë se ekipi ende nuk është kompletuar dhe se është në pritje të lojtarëve në mënyrë që të fillojnë përgatitjet me intensitet maksimal.
“Jemi mbledhur për dy ndeshjet që i luajmë ndaj Rumanisë dhe Bjellorusisë. Grumbullimi po zhvillohet në mënyrë progresive, pasi ende nuk janë të gjithë lojtarët këtu. Nuk po i mbajmë stërvitjet me 100 për qind për shkak se po presim të na bashkohen të gjithë lojtarët. Disa udhëtojnë nga vendet e tjera”, ka thënë Giresse.
“Nuk besoj që do shumë mend që dy ndeshjet që i kemi janë shumë të rëndësishme. Do të tentojmë sa më pak të mendojmë për ndeshjet e shkuara, pasi duam të përgatitemi për këto ndeshje që i kemi”, ka shtuar tekniku francez.
Ai nuk është ndalur shumë te ndeshjet e muajit mars, kur edhe filloi cikli eliminator për “Euro 2024”. Kosova regjistroi dy barazime, me Izraelin në udhëtim dhe me Andorrën në shtëpi. Barazimi me Andorrën ishte dëshpërues. Giresse barazimin me Izraelin nuk e vlerësoi rezultat negativ për Kosovën.
“U referohemi barazimeve si rezultate negative, por nuk besoj se rezultati me Izraelin ishte negativ. Ne duhet të vazhdojmë të shohim përpara. Gara në të cilën ndodhemi nuk na mundëson shumë të kthejmë kokën prapa dhe të mendojmë se çka ka ndodhur. Por duhet të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet që i kemi. Lojtarët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtyre ndeshjeve dhe nuk kemi çka të ankohemi për të shkuarën”, tha Giresse.
Ndeshjet me Rumaninë dhe Bjellorusinë vlerësohen rasti i fundit për Kosovën që të hyjë në garë për dy pozitat e para, që sigurojnë kualifikimin. Zvicra e Rumania tashmë janë shkëputur. Kanë nga gjashtë pikë, ndërsa Kosova është e treta me dy pikë. Andorra, Izraeli kanë nga një pikë, derisa Bjellorusia është pa pikë.