Sport

“Gazetarët” rusë refuzohen në Olimpiadë, dyshohen për spiunazh

Lojëra Olimpike

Siguria në Lojërat Olimpike do të ketë rregulla më të rrepta se kurrë më parë.

Kështu kanë njoftuar mediumet e mëdha botërore të dielën.

Gazeta gjermane “Bild” ka shkruar se shumë prej akreditimeve të gazetarëve rusë, janë refuzuar.

Ka dyshime se ata janë spiunë dhe kjo ka qenë arsyeja e refuzimeve të akreditimeve të tyre.

Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, ka thënë në një intervistë për “Le Journal du Dimanche”, se në mesin e tyre vlerësohet të jenë spiunë të mundshëm.

“Rusia, Bjellorusia dhe shtete të tjera janë në këtë listë, të cilën nuk do ta publikoj”, ka thënë Darmanin.

“Kemi refuzuar disa ‘gazetarë’ të cilët janë zotuar se do t’i mbulojnë Lojërat Olimpike. Në anën tjetër, ne kemi lejuar prezencën e rusëve të cilët punojnë për Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Por, për ne është e rëndësishme të kemi kujdes”, ka theksuar ai.

Ai nuk beson se këta spiunë kanë planifikuar ndonjë sulm terrorist, por dyshohet se ata kanë mundur të nxjerrin informata nga rrjetet lokale dhe të bëjnë ndonjë sulm kibernetik për Lojërat në Paris, shkruan tutje mediumi gjerman.

Në total, Franca i ka kontrolluar me kujdes 960 mijë aplikime për punë në Olimpiadë. Prej tyre, 4340 aplikime janë refuzuar.

Në mesin e tyre ka pasur gazetarë, vullnetarë, punëtorë në stadiume si dhe anëtarë të delegacioneve sportive.