Sport

Fitore 8:0 e futbollisteve të Kosovës

Fitore 8:0 e futbollisteve të Kosovës

Futbollistet e Kosovës kanë fituar thellë, 8:0, në miqësoren e parë ndaj Estonisë që u zhvillua të premten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. 

Kaltrina Biqkaj shënoi për 1:0 në minutën e gjashtë. 

Erëleta Memeti dhe Modesta Uka realizuan “hat-trick” në këtë ballafaqim. 

Dy golat e parë kapitenia Memeti i shënoi në minutën e 15-të dhe të 32-të, ndërsa për 4:0 shënoi Gentiana Fetaj, katër minuta para fundit të pjesës së parë. 

Memeti e kompletoi tregolëshin në minutën e 50-të. 

Uka, që në lojë hyri si zëvendësuese, e kompletoi “hat-trickun” pas golave të minutës së 68-të, 71-të dhe të 82-të. 

Tjetër miqësore me përfaqësuesen estoneze, Kosova do të luajë më 2 dhjetor në “Fadil Vokrri”, nga ora 13:00.

Kjo është fitorja më e thellë e Kosovës deri më tani. Fitorja më e thellë deri të premten ishte 7:0 ndaj Hong Kongut. Kosovën tani e drejton Sami Sermaxhaj.