Sport

FHK-ja, gati për organizimin e Evropianit U19

Federatës së Hendbollit të Kosovës i është besuar organizimi i një tjetër ngjarjeje të rëndësishme nga Federata Evropiane e Hendbollit. Bëhet fjalë për një ngjarje të nivelit që deri më tani nuk është mbajtur në Kosovë në sportet ekipore. Kështu ka thënë kryetari i FHK-së, Eugen Saraçini, të hënën në një konferencë për shtyp.

FHK-ja është organizatore e Kampionati Evropian U19 për hendbolliste, që do të mbahet në Prishtinë prej 8 deri më 16 korrik. Krahas Kosovës, do të paraqiten edhe tetë përfaqësuese të tjera evropiane. Evropiani është i Divizionit B.

Saraçini ka thënë se organizimi i ngjarjeve të ndryshme botërore e evropiane më herët dhe përvoja e fituar nga FHK-ja ka bërë që federata evropiane t’ua besojë edhe Evropianin për hendbollistet deri 19 vjeç.

“Këtë kampionat po e organizojmë në sajë të bashkëpunimit të jashtëzakonshëm që e kemi me Federatën Evropiane të Hendbollit. Vitin e kaluar kemi biseduar që ne ta organizojmë këtë kampionat dhe krejt kjo falë përvojë tonë të deritashme, respektivisht organizimet që FHK-ja i ka bërë në nivel botëror dhe evropian të kampionate të ndryshme në të dyja konkurrencat”, tha kryetari i FHK-së, Eugen Saraçini.

Saraçini tha se përgatitjet ishin mjaft komplekse, ndërsa vlerësoi se stafi i federatës dhe vullnetarët kanë bërë punë të shkëlqyeshme. Ai shtoi se të gjitha kushtet janë krijuar dhe palestrat do të jenë në dispozicion të gjitha ekipeve.

Ndeshjet e Evropianit do të luhen në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, ndërsa stërvitjet e ekipeve përfaqësuese do të mbahen në palestrën “1 Tetori”.

Krahas Kosovës në këtë Evropian do të marrin pjesë edhe Sllovakia, Italia, Finlanda, Britania e Madhe, Polonia, Letonia, Austria e Izraeli.

“Shtetet pjesëmarrëse janë Sllovakia, Italia, Finlanda, Kosova dhe Britania e Madhe që janë në Grupin A, ndërsa Grupi B përbëhet nga Polonia, Letonia, Austria e Izraeli. Pra gjithsej 9 ekipe evropiane do të marrin pjesë në këtë kampionat. Të gjitha ekipet kanë konfirmuar ardhjen dhe pas dy ditëve do të fillojnë arritjen në Prishtinë”, u shpreh tutje Saraçini.

FHK-ja ka bashkëpunuar me MKRS-në dhe KOK-un për organizimin e ngjarjes kontinentale.

“Është një organizim mjaft kompleks, një nivel i ri i organizimit në kuadër të sporteve ekipore në Kosovë, ndoshta i vetmi deri më tani që është në nivel kaq të lartë dhe mendojmë që me të gjitha organizimet që i kemi bërë deri më tani, edhe kësaj radhe dhe përvojën qe e kemi, mendojmë të kemi rezultate pozitive”.

Saraçini ftoi adhuruesit e hendbollit që ta përcjellin këtë ngjarje, ndërsa shtoi se hyrja është falas. Zbuloi po ashtu se palestra në të cilën do të luhen ndeshjet është ridizajnuar tërësisht dhe do të ketë një pamje tjetër.

Kosova U19 ndeshjen e parë e luan ndaj Sllovakisë, të shtunën mbrëma.