Futbollin e Kosovës po pritet ta kaplojë një krizë e madhe financiare. Në fakt, kjo krizë tashmë ka filluar të ndihet dhe do të bëhet edhe më e thellë me kalimin e kohës. Kështu ka paralajmëruar trajneri i Llapit, Tahir Batatina, pas takimit me anëtarët e Komisionit për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave për Lëshimin e Vërtetimeve për Sponsorizim në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, konkretisht në fushën e sportit.
Batatina ishte në këtë takim së bashku me koordinatorin e Trepçës, Avni Haxhiu, dhe zyrtarin e 2 Korrikut, Shaban Baholli, të cilët ditët e fundit kanë iniciuar takim me klubet e tjera në lidhje me lëshimin e vërtetimeve për sponsorizim. Megjithatë, zyrtarët e Komisionit i kanë njoftuar ata se të gjitha klubet e futbollit tashmë i kanë humbur vërtetimet për këtë vit kalendarik dhe kjo për shkak të moslicencimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
E licencimi i FFK-së mund të zgjatet edhe për disa muaj të tjerë, pasi ende nuk janë plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara. E njoftimi se klubet i kanë humbur vërtetimet e sponsorizimit për këtë vit kalendarik, i cili mbyllet më 31 mars, ka goditur më së shumti futbollin e Kosovës. Këtë e ka pranuar edhe Batatina, i cili para shkuarjes në takim me komisionin e MKRS-së ka pasur një takim me 27 klube të tjera për ta diskutuar këtë çështje. Kjo është dita e dytë që klubet janë mbledhur së bashku, por për dallim prej ditës së parë, të mërkurën ishin të pranishme më shumë skuadra nga Superliga. Sipas Batatinës, vetëm Drita, Prishtina, Trepça ’89 dhe Malisheva kanë munguar në takimin e fundit.
“Nuk ka asgjë të re. Kemi mbetur që edhe ditëve në vazhdim të diskutojmë për disa kushte tjera dhe të shohim se çka mund të bëhet”, është shprehur Batatina të mërkurën. “Megjithatë, për këtë vit kalendarik i kemi humbur vërtetimet e sponsorizimit dhe duhet të përgatitemi për vitin tjetër që të marrim përfitimet nga sponsorizimi, natyrisht nëse licencohet federata”.
Batatina ka thënë se futbolli nuk ka përjetuar humbje më të madhe sesa mungesën e vërtetimeve të sponsorizimit për këtë vit kalendarik. Vërtetimet u duhen sponsorëve që të arsyetojnë financimin në sport për t’u liruar pastaj nga tatimi në fitim.
“Goditje më të madhe futbolli kosovar nuk ka pasur që nga pavarësimi. Pas kësaj, do të pasojë një krizë totale financiare, e cila veçse ka filluar tashmë të vërehet. Do të jetë një krizë tepër e madhe që do ta godasë fort futbollin tonë dhe jo vetëm klubet, por edhe lojtarët do ta ndiejnë këtë, sepse nuk do të ketë të hyra nga sponsorët. Nuk do të jetë lehtë dhe nuk e di se si do të veprojmë”, tha Batatina, duke shtuar se është kërkuar edhe një takim me ministrin e MKRS-së, Hajrulla Çeku, sekretarin e përgjithshëm të FFK-së, Taulant Hodaj, dhe komisionin për licencim. Ai thotë se klubet nuk duhet të penalizohen për shkak se federata nuk është licencuar.
“Ne duam që klubet të mos pengohen edhe nëse nuk licencohet federata. Pra, është e rëndësishme mos ta humbin të drejtën për të marrë vërtetimet e sponsorizimit, pasi ato janë burimi kryesor për mbarëvajtjen e futbollit”, u shpreh Batatina.
Asnjë vërtetim për sponsorizime nuk do të lëshohet për Federatën e Futbollit të Kosovës dhe klubet e saj. FFK-ja ende nuk ka marrë licencë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). FFK-ja ka aplikuar për licencim, por nuk e ka marrë ende. Është në proces të licencimit. Dokumentacioni po i shqyrtohet nga Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive të Kosovës. Në fakt, Komisionit për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave për Lëshimin e Vërtetimeve për Sponsorizim, konkretisht në fushën e sportit, i ka njoftuar më herët klubet e futbollit se asnjë vërtetim për sponsorizime nuk do të lëshohet derisa FFK-ja të pajiset me licencë nga MKRS-ja. FFK-ja dhe klubet e saj kanë bërë më së shumti kërkesa për sponsorizime. Vlerësohet të jetë humbje e madhe për klubet kosovare të futbollit. Në fakt, federatat dhe klubet, në veçanti të futbollit, burimin kryesor të të hyrave e kanë nga sponsorët. Ligji ka hyrë në fuqi që më 13 janar të vitit 2017, ndërsa ka nisur të aplikohet vetëm në vitin 2020. Për shkak të ndërlikimeve të shumta nuk ishte zbatuar prej fillimit.