Sport

FFK-ja do të përballet edhe me padi për borxh

Trajneri nga Afrika e Jugut, Alan Clark, pretendon se Llapi mund të ketë shumë pasoja në të ardhmen nga FIFA nëse nuk ia paguan borxhin. Ai nuk zbulon shumën që, sipas tij, Llapi ia ka borxh. Por, thekson se Llapi nuk ka respektuar afatin që FIFA ia ka caktuar për ta shlyer borxhin. Clark thotë se ka fituar rastin më herët këtë vit edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) dhe se borxhi i papaguar fillon nga gushti i vitit 2020 deri në korrik të vitit 2021. Por, Clark të enjten për KOHËN ka zbuluar se borxhli ndaj tij nuk është vetëm Llapi. Ai zbulon se është duke përgatitur padi edhe ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës. Sipas tij, FFK-ja nuk po e respekton kontratën.

“Jam duke përgatitur dokumente ligjore për ta paditur FFK-në së shpejti. Kontrata ime nuk ka përfunduar dhe nuk po respektohet nga FFK-ja përkundër punës që kam bërë në arsimin e trajnerëve, por edhe me ekipet kombëtare. Agim Ademi sapo ka marrë vendim të njëanshëm që është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me kontratën e shkruar dhe të dakorduar. Ajo që administratorët kosovarë duhet të kuptojnë qartë është se një kontratë është e detyrueshme për të dyja palët dhe asnjë palë, pavarësisht nëse ata besojnë se janë apo nuk janë mbi ligjin dhe nuk mund të veprojnë në mënyrë të njëanshme sipas dëshirës. Të dyja palët duhet ta respektojnë kontratën. FFK-ja më ka borxh pagën për një vit. Kontrata ime është rinovuar edhe për një vit automatikisht, por ata thjesht e kanë injoruar”, ka thënë Clark.

Ai ka qenë trajner i ekipit të parë të Llapit, përpara se të zhvendoset në krye të ekipit U19. Ndërkohë, Clark më vonë edhe ndihmëstrajner te përfaqësuesja U21 e Kosovës. Thotë se ka pasur rolin edhe të analistit teknik për ekipin A të futbollisteve dhe futbollistëve, si dhe ka ndihmuar “Dardanët” pas shkarkimit të Bernard Challandesit. Ai po ashtu thotë se ka shërbyer edhe si instruktor edukator i UEFA-s.

KOHA ka dërguar pyetje në adresën e Federatës së Futbollit të Kosovës. Por, si zakonisht nuk ka marrë përgjigje. Para se të merrte pozitë në përfaqësuese, Clark punoi si trajner i parë te klubi i futbollit, Llapi.

“Nëse Llapi vazhdon të injorojë FIFA-n dhe CAS-in, atëherë hapi i ardhshëm edhe marrja e gjashtë pikëve dhe pastaj përfundimisht rënia në divizionin më të ulët. Edhe ata ende do të më duhet të më paguajnë, pasi borxhi nuk largohet. Po ashtu, nuk do të lejohen të licencohen për garat e UEFA-s, pasi klubi duhet të ketë pasqyrë të pastër financiare pa borxhe ndaj punëtorëve, ndërsa regjistrimi mbyllet më 31 maj”, ka thënë Clark. “Llapi më ka borxh prej gushtit të vitit 2020 deri në korrik të vitit 2021. Nuk mund t'i zbuloj shumat sipas udhëzimeve për CAS. Borxhet e papaguara fillojnë nga muaji i parë te Llapi dhe asaj shume i bashkëngjitet kamata. Pra, sa më shumë që u duhet për të paguar, aq më shumë kanë borxh! Përveç kësaj, CAS dhe FIFA e kanë gjobitur Llapin edhe me gjoba të rëndësishme financiare dhe klubi duhet të paguajë shpenzimet ligjore të përfshira”. .

Mirëpo, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, mohon t’i kenë mbetur borxh trajnerit nga Afrika e Jugut.

“Nuk kemi marrë asgjë zyrtare që na janë bllokuar transferimet dhe në momentin që vjen diçka e tillë, ne si klub do të dalim me deklaratë zyrtare. Po ashtu, Llapi nuk ka detyrime ndaj Alan Clarkit, i cili kur ka ardhur në klub është paguar me para në dorë dhe për t’i arsyetuar ato po thotë që i kemi borxh. Llapi nuk ka detyrime ndaj tij”, ka thënë Batatina.