Prishtinë, 30 tetor - Feronikeli 74 pritet të tërhiqet nga garat e Superligës së Kosovës në futboll.
Kështu ka thënë për KOHËN të mërkurën mbrëma një prej drejtuesve të klubit nga Drenasi.
Vendimin për tërheqje Feronikeli 74 pritet ta publikojë edhe në faqen e klubit. Te klubi nga Drenasi pretendojnë se janë përballur me shumë padrejtësi në edicionin aktual. “Kupa është mbushur” të mërkurën në ndeshjen ndaj Llapit në Podujevë.
“Pa dëshirën tonë, por jemi të shtyrë të marrim këtë vendim për tërheqje. Kemi një mbledhje më vonë, por nga ajo që kemi diskutuar të gjithë në kryesinë e klubit janë të njëjtit mendim, për tërheqje nga garat. Do të merret vendim i prerë, sepse jemi lodhur nga padrejtësisë. Po na bëhet padrejtësi rregullisht dhe kjo nuk mund të tolerohet. Vendimi do të publikohet edhe në faqen e klubit. Sonte do ta mbyllim dhe nuk do të vazhdojmë kështu”, ka thënë drejtuesi i klubit nga Drenasi për KOHËN të mërkurën. Ai nuk ka dashur t’i zbulohet emri.
Kapiteni i Feronikelit 74, Lapidar Lladrovci, të mërkurën ka bërë dy reagime brenda gjysmë ore me pretendimin se janë dëmtuar nga gjyqtarët e ndeshjes Llapi – Feronikeli 74.
Lladrovci fillimisht e ka quajtur turp ndarjen e drejtësisë në ndeshjen e luajtur në Podujevë, që i takonte xhiros së 11-të.
“Vazhdojnë marritë në futbollin e Kosovës. A thua deri kur kështu?”, shkruan në postimin e tij të parë që u bë gjatë zhvillimit të ndeshjes.
Më i ashpër ishte në postimin e dytë.
“A ka prokurorë, a ka polici, a ka shtet? A duhet të japë përgjegjësi dikush për këtë tmerr që është bërë sot në Podujevë?!”, shkruan në postimin e dytë të Lapiudar Lladrovcit. Feronikeli 74 edhe më herët ka reaguar ashpër për siç është thënë dëmtim.
Llapi shënoi golin e barazimit në minutë ne 97-të. Goli i barazimit 2:2 u konfirmua nga dhoma e VAR-it. Në VAR ishte gjyqtari Mentor Ajeti, ndërsa në fushë arbitër kryesor ishte Erdall Zasella.
Zasella nuk shikoi situatën e dyshimtë, ndërsa mori më pas konfirmimin se goli ishte i rregullt.
Dhomës së VAR-it, Zasella i besoi edhe në rastin e penalltisë shumë të dyshimtë dhënë në favor të
Llapit në minutën e 81-të. Ajo u konkretizua në gol për 2:1, pasi mysafirët udhëhoqën 2:0.
Në fund të muajit të kaluar, presidenti i Feronikelit 74, Erlind Krasniqi, kishte hedhur akuza të rënda për Federatën e Futbollit të Kosovës, duke thënë se në Superligë ka dallavere të mëdha. Presidenti i Feronikelit 74’ pati pretenduar se synimi i FFK-së është ta nxjerrë nga liga klubin nga Drenasi.
Feronikeli 74’ ka mbetur pa fitore edhe pas 11 xhirove në Superligë. Zë vendin e fundit me tri pikë.