Sport

Ferizaj i motivuar për duelin në Prishtinë

Fitorja e fundit ndaj Gjilanit ka motivuar skuadrën e Ferizajt që po kërkon rezultat pozitiv edhe në duelin e radhës. Ferizaj është mysafir i skuadrës së Prishtinës, në kuadër të xhiros së 29-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Ndeshja Prishtina - Ferizaj zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, të shtunën prej orës 15:00.

Triumfi 2:0 ndaj Gjilanit vikendin e shkuar ka bërë që Ferizaj të ngrihet në pozitën e shtatë në tabelë me 31 pikë të mbledhura. Prishtina renditet e pesta me 38 pikë.

Futbollisti Edon Sadriu vlerëson lart Prishtinën, por insiston se Ferizaj do të udhëtojë në kryeqytet për rezultat pozitiv. Ai thotë se janë përgatitur mirë gjatë javës për ndeshjen e vështirë dhe se synojnë të dalin ta pamposhtur nga “Fadil Vokrri”.

Ferizaj është prej skuadrave me rezultatet më të mira gjatë këtij viti. Në dhjetë ndeshje të zhvilluara në stinorin pranveror, Ferizaj ka regjistruar pesë fitore, tri barazime dhe dy humbje. Në muajin shkurt Ferizaj ka mposhtur Prishtinën 1:0 në kuadër të xhiros së 20-të.

“Ndeshja ndaj Prishtinës pa dyshim që është tejet e vështirë. Mirëpo duke pasur parasysh formën e mirë që po e kalojmë këtë vit, po shpresoj në një rezultat pozitiv nga kjo ndeshje. Besoj se do të japim maksimumin në këtë ndeshje pasi duam ta vazhdojmë rrugën drejt arritjes së objektivit që e kemi këtë sezon, e që është qëndrimi në Superligë. Jemi përgatitur mirë dhe jemi gati për rezultat pozitiv, pasi vetëm kështu mund të arrihen synimet”, ka thënë Sadriu të premten për KOHËN.

Te Prishtina po kërkojnë të kthehen te fitorja, pas disfatës që e pësuan në ndeshjen e fundit në shtëpi nga Dukagjini. Te Prishtina insistojnë se nuk do të lejojnë humbjen e dytë rresht në shtëpi. Janë të vendosur të ndalin pikët e plota në tentimin për ta siguruar vendin e tretë në tabelë. Aktualisht Prishtina ka dy pikë më pak se Gjilani që mban vendin e tretë. Kapiteni i Prishtinës, Gledi Mici, ka theksuar se skuadrës nuk i lejohet hap tjetër i gabuar.

“Është ndeshja e radhës të cilën e vlerësojmë maksimalisht dhe presim të kthehemi te fitorja. Nuk na lejohet një hap fals pasi nuk jemi komod në renditje, ku synojmë vendin e tretë. Sigurisht që edhe kundërshtarin e vlerësojmë, por ne jemi përgatitur të kthehemi te fitorja për të arritur synimin që e kemi”, u shpreh Mici.

Të shtunën do të zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera.

Gjilani, pas humbjes nga Ferizaj, do të jetë mysafir i Malishevës, që xhiron e shkuar mori pikë në Suharekë duke luajtur 2:2 me Ballkanin. Gjilani ka 40 pikë, dhjetë më shumë se Malisheva që po lufton për ta siguruar mbetjen në elitë. Malisheva është e teta, pozitë kjo që siguron plejautin. Ka pikë të barabarta me Trepçën ’89 që është e parafundit (9).

Trepça ‘89 luan në stadiumin “Riza Lushta” kundër Llapit, ekip që ka 39 pikë dhe është në pozitën e katërt në tabelë. Ekipi llapjan nuk di për humbje në katër ndeshjet e fundit.

Xhiroja e 29-të do të mbyllet të dielën. Vëmendja do të jetë në Klinë, ku Dukagjini përballet me Dritën. Drita është lidere me 56 pikë, ndërsa Dukagjini ka 38 pikë dhe renditet i gjashti. Kampioni në fuqi, Ballkani, luan në Skenderaj ndaj ekipit të fundit në tabelë, Drenicën. Ballkani është i dyti me 55 pikë dhe po kërkon të kthehet te stabiliteti i rezultateve. Në shtatë ndeshjet e fundit ka vetëm një fitore. Drenica ka regjistruar nëntë humbje e një fitore në stinorin pranveror.

Superliga – 29

E shtunë (15:00)

Prishtina – Ferizaj

Malisheva – Gjilani

Trepça ’89 – Llapi

E diel (15:00)

Dukagjini – Drita

Drenica – Ballkani