Sport

Federata e Volejbollit shpreson në sukses më të madh të përfaqësueseve të reja

Në Federatën e Volejbollit të Kosovës (FVK), besojnë se ky vit do të jetë më i suksesshëm sesa vitet e shkuara për gjeneratat e reja të Kosovës në kualifikimet për “CEV EuroVolley”.

Tri përfaqësuese të grupmoshave të Kosovës do të paraqiten në kualifikimet për Kampionate Evropiane. Ekipet përfaqësuese U18 dhe U20 të volejbollisteve dhe përfaqësuesja U18 e volejbollistëve tashmë janë grumbulluar dhe kanë nisur përgatitjet për të pasur kampanjë më të suksesshme sesa në të shkuarën. Në vitet e kaluara sukseset kanë munguar.

Në Federatën e Volejbollit kanë insistuar se i gjithë fokusi këtë vit është te gjeneratat e reja, ndonëse paraqitje në kualifikime për Evropian pas një kohe do të bëjnë edhe ekipet A të Kosovës në të dyja konkurrencat.

Paraqitjen e parë këtë vit në kualifikime do ta ketë ekipi përfaqësues U18 i volejbollisteve, i cili drejtohet nga trajneri Berat Husaj. Husaj tashmë ka publikuar listën prej 14 lojtareve dhe ka nisur me stërvitje në Skenderaj.

Kosova U18 është pjesë e Grupit A së bashku me Rumaninë dhe Bullgarinë. Ndeshjet e këtij grupi zhvillohen në Sofje të Bullgarisë, ndërsa nisin më 17 janar. Pikërisht te kjo gjeneratë federata e volejbollit po shpreson në rezultate të mira. Madje, nuk e përjashtojnë mundësinë edhe të avancimit nga ky grup kualifikues.

“Ky vit do të jetë i ngjeshur sa u përket aktiviteteve që do t’i kemi në nivel përfaqësuesesh, pasi do të paraqitemi në raundet kualifikuese për Evropian. Megjithatë, shpresat më të mëdha i kemi tek ekipi i vajzave U18 për shkak se kjo gjeneratë vitin e shkuar ka luajtur me ekipin U17 dhe ka kaluar raundin parakualifikues. Andaj, mendojmë se kemi lojtare të mira që tashmë kanë krijuar përvojë në këto ngjarje dhe sigurisht që presim rezultate. Krahas fitoreve shpresojmë të kalojmë edhe këtë raund”, ka thënë Valon Nikqi, sekretar i FVK-së, të hënën për KOHËN.

Nikqi ka treguar se shpresa për rezultate të mira kanë edhe tek ekipi U18 i djemve, i cili po ashtu ka nisur përgatitjet në Gjakovë për turneun kualifikues që do të mbahet në Strumicë të Maqedonisë së Veriut (18 - 20 janar). Në këtë turne kualifikues Kosova bën pjesë në Grupin A dhe do të përballet me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Shpresa për rezultate të mira kemi edhe te djemtë U18 pasi mendojmë se kemi krijuar një ekip me lojtarë të mirë, të cilët po ashtu kanë përvojë nga e kaluara në ngjarje të tilla. Edhe kjo gjeneratë ka filluar me përgatitjet dhe presim që të jenë plotësisht gati për paraqitje të mira në grupin kualifikues”, është shprehur Nikqi.

Ai thotë së më së vështiri do ta ketë ekipi U20 i vajzave, i cili drejtohet nga turku Ali Bahadur Aksoy. Grumbullimi i kësaj grupmoshe është bërë në Skenderaj, përpara se të vazhdohet me përgatitje në Prishtinë.

Nikqi thotë se ekipi U20 i volejbollisteve është në grup shumë të fortë dhe për këtë arsye nuk ka shumë shpresa për rezultate të mira. Kosova U20 (vajzat) është pjesë e grupit të cilin e përbëjnë Rumania dhe Turqia, ndërsa ndeshjet do të zhvillohen në qytetin e Ankarasë prej 23 deri më 25 janar.

“Ekipi U20 i vajzave e ka grupin shumë të vështirë dhe për këtë arsye presim rezultate më të mira prej gjeneratës U18 në të dyja konkurrencat në këto raunde kualifikuese. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk besojmë në rezultate të mira edhe të kësaj gjenerate. Edhe prej tyre presim ndonjë fitore”, ka thënë Nikqi.

Vitet e fundit gjeneratat e reja të Kosovës nuk kanë pasur suksese në arenën ndërkombëtare, me përjashtim të vitit të shkuar kur ekipi U17 i volejbollisteve e kaloi rundin parakualifikues të Evropianit, në turneun e mbajtur në Prishtinë.

Muajin e shkuar, FVK-ja, ka paralajmëruar se 2024-a do të jetë vit i Kosovës për shkak se do të paraqitet me pesë përfaqësuese në kategori të ndryshme në kualifikimeve evropiane. Krahas tri gjeneratave të reja, FVK-ja ka vendosur që këtë vit të paraqitet edhe për përfaqësueset A në të dyja konkurrencat. Volejbollistët dhe volejbollistet do të jenë pjesë e kualifikimeve për “CEV Eurovolley 2026”, me ndeshjet që do t’i luajnë më vonë këtë vit si dhe vitin tjetër.