Sport

Federata Botërore nuk pranon Kuvendin e FNK-së, më 30 janar kuvendi i radhës

noti

Në fillim të këtij muaji, Federata e Notit e Kosovës (FNK) zgjodhi udhëheqësinë e re. Kryetar u zgjodh Fis Murati. 

Në Kuvendin Zgjedhor të 2 nëntorit u zgjodhën edhe nënkryetarët e po ashtu edhe anëtarët e bordit.

Por, më 30 janar të vitit të ardhshëm do të mbahet një tjetër Kuvend Zgjedhor i Federatës së Notit të Kosovës. 

Federata Botërore e Sporteve të Ujit (World Aquatics), nuk i njeh rezultatet e Kuvendit Zgjedhor të 2 nëntorit. World Aquatics ka kërkuar që rezultatet të mos i njohë as Komiteti Olimpik i Kosovës.

Nëpërmjet letrës që World Aquatics ia ka dërguar Federatës së Notit të Kosovës dhe sekretarit të përgjithshëm të Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, është kërkuar të mbahen zgjedhje të reja. 

Letra e World Aquatics është shpërndarë për medie nga Astrit Haliti, që pretendon se përfaqëson 18 klube.

Në FNK janë pajtuar të mbajnë zgjedhje të reja. 

Kuvendin e kaluar Zgjedhor e monitoroi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por jo edhe Komiteti Olimpik i Kosovës. Pjesë e tij nuk ishin klubet e pakënaqura.

“World Aquatics ka vendosur të mos njohë rezultatet e Asamblesë Zgjedhore për shkak se Federata mbajti zgjedhje në kundërshtim me Statusin e saj, ku nuk respektoi afatet informative për anëtarët e saj, të përcaktuar në Statut. Për t’u njohur Bordi Ekzekutiv i Federatës, ne kërkojmë që të mbahen zgjedhje të reja sipas Statutit të Federatës dhe, në mënyrë të ngjashme, sipas rregullave të World Aquatics. Për më tepër, një vëzhgues i pavarur, Josip Varvodiq, do të vëzhgojë zgjedhjet e ardhshme për të pasur siguri absolute se standardet dhe rregullat e World Aquatics janë përmbushur. Ju lusim të na informoni për datën e planifikuar dhe vendin e asamblesë së ardhshme zgjedhore të Federatës, së paku 60 ditë përpara”, shkruan në letrën e World Aquatics.

Në fakt, World Aquatics pati kërkuar që Kuvendi i FNK-së të mos mbahet më 2 nëntor. Megjithatë, FNK-ja e mbajti Kuvendin dhe sipas njoftimit, statuti i FNK-së ishte harmonizuar me gjashtë pikat e kërkuara nga World Aquatics dhe me Ligjin për Sport.

World Aquatics ka pranuar se Statuti i Federatës kosovare është në rregull. 

“Statuti i Federatës është në përputhje me rregullat tona. Megjithatë, ne nuk ramë dakord të mbahen zgjedhjet, sepse bien ndesh me Statutin e Federatës dhe standardet e AQUA”, shkruan në letrën tjetër të World Aquatics dërguar KOK-ut.

FNK-ja ishte pa kryetar, pasi Agron Zeqiri dha dorëheqje pasi u suspendua nga një organ i World Aquatics për diskriminim.

FNK-ja konfirmon se do të organizojë zgjedhje tjera, ashtu siç ka kërkuar World Aquatics. 

Në letrën e Federatës së Notit të Kosovës për WA, shkruan se do ta organizojë Kuvendin e ri Zgjedhor më 30 janar nga ora 19:00.

“Bordi Ekzekutiv, në mbledhjen urgjente të mbajtur më 26 nëntor, ka vendosur që më 30 janar 2025 të mbahet Kuvendi i Rregullt Zgjedhor i Federatës së Notit të Kosovës, në ora 19:00 në ambientet e Hotel Sirius - Prishtinë. Bordi Ekzekutiv gjithashtu vendosi që së paku 60 ditë më parë, Federata Botërore e Sporteve të Ujit, Komisioni i Licencimit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve  dhe Komiteti Olimpik i Kosovës duhet të njoftohen për mbajtjen e asamblesë zgjedhore”, shkruan ndër të tjera në letrën e FNK-së.

Në emailin dërguar në federatën botërore, FNK-ja ka bashkëngjitur listën e 25 klubeve me drejtë vote, që sipas FNK-së kanë licencë. 

KOHA ka tentuar të vërë kontakt me kryetarin e FNK-së, Fis Murtatin e po ashtu me nënkryetarin, Bashkim Haxhimusa. Por as Murati e as Haxhimusa nuk u janë përgjigjur telefonatave.