Sport

FBK-ja “e shokuar” që u zhvendos në Kategorinë B

Nga Federata e Basketbollit e Kosovës kanë thënë se janë të shokuar pas publikimit të renditjes së 35 federatave në listën preliminare të kategorizimit të sporteve për vitin 2024.

Federata e Basketbollit ishte njëra prej dy federatave të mëdha që ka pësuar rënie në kategorizimin për vitin 2024. Federata tjetër e madhe që nga Kategoria A ka rënë në Kategorinë B, është ajo e futbollit.

Federata e Basketbollit me 80.65 pikë renditet e treta në Kategorinë B. Thuajse pikë të njëjta kishte edhe vitin e kaluar. Me 80.23 pikë, FBK-ja ishte në Kategorinë A të sporteve, bashkë me atë të xhudos, futbollit, hendbollit, volejbollit, karatesë e boksit. Por sivjet ka pasur ndryshime të mëdha dhe pritet të ketë edhe reagime.

Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, ka thënë të premten për KOHËN se do të ankohen dhe do ta kërkojnë vendin e merituar.

“Sot pasdite kemi pranuar raportin preliminar të kategorizimit në të cilin jemi poentuar ngjashëm me vitet paraprake, por jo sikur viteve paraprake, jemi kategorizuar në kategorinë B. Para së gjithash duhet pranuar se komuniteti jonë është i shokuar nga ky vendim dhe vlerësimi që dy federatat më të mëdha sportive dhe dy sportet më të dashura e më të shikuara në vendin tonë kanë gjetur vend në kategorinë B. Ne do ta analizojmë me kujdes vlerësimin e bërë dhe do të ankohemi përkitazi për të kërkuar vendin tonë të merituar si sporti më i popullarizuar dhe më i shikuar në Kosovë”, ka thënë Fetahu.

Kategorizimi për vitin 2024 është bërë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërsa në vitet e kaluara ishte bërë nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

Janë kategorizuar vetëm federatat sportive të licencuara. 35 prej tyre i janë nënshtruar procesit të kategorizimit nga 55 federata sportive që janë anëtare të KOK-ut.

KOK-u vitin e kaluar kishte kategorizuar 42 federata.

Në krye të listës, përkatësisht të kategorisë A është xhudoja me 113.57 pikë. Në kategorinë A janë vetëm edhe hendbolli me 87.8 pikë dhe volejbolli me 85.2 pikë. Tri sporte, përkatësisht federata sportive janë në kategorinë B. Federata e Futbollit është e para në kategorinë B me 83.5 pikë. Madje para basketbollit është edhe federata e boksit, që i ka 83.2 pikë. Basketbolli ka 80.65 pikë. Pra boksi është i dyti në kategorinë B, ndërsa basketbolli i treti.

Në kategorinë C janë Federata e Atletikës, e Pingpongut dhe e Mundjes, ndërsa të gjitha të tjerat janë në kategorinë D.

“Një gjë është e sigurt, që basketbolli sivjet ka mbledhur më shumë pikë se në vitin e kaluar, ndërsa është ranguar një kategori më të ulët, mbase për shkak të vendosjes së pragut në 85 pikë këtë vit”, ka shtuar tutje kryetari i FBK-së, Arben Fetahu.

Kategorizimi është mënyrë bazike e ndarjes së parave të shtetit të planifikuara për federatat sportive. Por vazhdimisht para ndahen edhe jashtë kategorizimit. Paratë ndahen edhe në bazë të projekteve të ndryshme, ndërsa FBK-ja vazhdimisht është prej federatave më të përkrahura.

Kategorizimi i federatave bëhet në bazë të kritereve të shumta.

Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, thotë se basketbolli meriton të jetë në Kategorinë A.

“Unë mund t’ju garantoj se basketbolli do t’i paraqesë informatat e sakta dhe të verifikueshme mbi organizimin e vet, ndërsa vlerësimin se në cilën kategori përkasim si sport në vendin tonë, do ta lëmë në ndërgjegje të atyre që janë të thirrur për ta kryer vlerësimin”, ka deklaruar Arben Fetahu.

Jashtë kategorizimit ka mbetur Federata e Karatesë e Kosovës, së cilës i është pezulluar licenca. Nëse nuk ka ndonjë ndryshim, karateja pritet të mbetet pa përkrahjen e shtetit.

Tani Ministria e përcakton vlerën e pikës, që shumëzohet me pikët në kategorizim dhe kështu caktohet vlera e përkrahjes për federatat.

Nga hendbolli e volejbolli ka pasur reagime pozitive për rreshtimin në kategorinë A.

“Janë vetëm tri federata sportive në kategorinë A. Federata jonë është kategorizuar e dyta me 87.8 pikë dhe kjo dëshmon rritjen e vazhdueshme dhe po ashtu stabilitetin e FHK-së. FHK-ja vazhdimisht ka shënuar rritje në kategorizim dhe tani me krenari e mbajmë pozitën e dytë”, ka shkruar Federata e Hendbollit.

“Mbetja në Grupin A reflekton punën e mirë që është bërë në segmentet me rëndësi, të cilat janë kriter në vlerësim. Shtëpia kosovare e volejbollit, i falënderon të gjithë ata që janë pjesë e komunitetit tonë, e pa të cilët nuk do të ishte i mundur ky sukses”, ka shkruar Federata e Volejbollit.

Reagim ka paralajmëruar edhe Federata e Futbollit e Kosovës.