Çdo ditë me ekipin përfaqësues është dhuratë për Musa Musiqin.
“Kur i shoh lojtarët, më shkrihet zemra”, thotë 21-vjeçari nga Zvicra lindore. Ai vuan nga paraliza cerebrale – çrregullim në lëvizje që shkaktohet nga dëmtimi i pjesëve të trurit gjatë lindjes.
“Përfaqësuesja e Zvicrës është shtëpia ime e dytë”.
Për ta përcjellë përfaqësuesen, ai me shumë kënaqësi e lë banesën e tij në St. Gallen dhe udhëton i vetëm me karrocë – ashtu siç bëri këtë javë – me tren, autobus apo tramvaj, për në hotelin Dolder Grand në Zurich, aty ku i priste lojtarët. Udhëtoi katër orë për këtë.
Granit Xhaka, lojtari i preferuar i tij
Në mënyrë që të mos humbiste takimin me lojtarët e Zvicrës, ai këtë udhëtim e bëri disa ditë më parë.
Dhe nuk ndjeu lodhje. Madje, ishte krejtësisht e kundërta.
“Udhëtimi më ka dhënë energji të re dhe kur lojtarët flasin me mua, kjo më jep ndjenjë shumë të mirë”.
Lojtari i tij i preferuar është Granit Xhaka.
“Ai është shumë njerëzor dhe tregon respekt të jashtëzakonshëm. Më bën të ndihem i rëndësishëm, edhe pse në karrocë”, thotë Musiqi, i cili njësoj si idhulli i tij, ka prejardhje nga Kosova.
“Graniti është luftëtar për mua – me shumë pasion për futbollin – kjo më pëlqen”.
Admirimi është i ndërsjellë.
“Musa ka zemër të madhe. Gjithmonë është kënaqësi e madhe kur e shoh atë. Ai është gjithmonë aty – si truprojë”, thotë Xhaka për “20 Minuten”, për tifozin e veçantë.
“Kam shumë respekt për të. Musa nuk e ka të lehtë gjithmonë”.
Xhaka tregohet zemërgjerë për të edhe në rrjetet sociale.
“Ai madje më ka shtuar në rrjetet sociale”, tregon Musiqi, “dhe ky gjest më bën jashtëzakonisht krenar”.
Musiqi ka kujtime të mira edhe me Xherdan Shaqirin. Ka fotografi edhe me të po ashtu.
Ai është i angazhuar edhe vetë në futbollin me karroca, te klubi Green Lightnings në St. Gallen.