Sport

Erikssonit do t’i mundësohet realizimi i ëndrrës për ta drejtuar Liverpoolin

Tifozët e futbollit kanë nisur një fushatë duke bërë thirrje që ish-trajneri i Anglisë, Sven-Goran Eriksson të realizojë ëndrrën e tij për të drejtuar skuadrën e Liverpoolit.

Tifozët e Liverpoolit i kanë bërë thirrje klubit që të lejojë 75-vjeçarin nga Suedia të drejtojë një ndeshje në shtëpi të legjendave të Liverpoolit ndaj legjendave të Ajaxit në muajin mars.

Erikssoni njoftoi javën e kaluar se ishte i diagnostikuar me kancer terminal. Ai gjithashtu zbuloi se ishte tifoz i Liverpoolit dhe se gjithnjë ka dëshiruar ta drejtojë këtë skuadër.

Babai im është ende gjallë dhe ende është tifoz i Liverpoolit. Unë jam tifoz i Liverpoolit po ashtu. Kam qenë gjithmonë”, kishte thënë Eriksson për Sky News.

“Kështu që gjithnjë kam dëshiruar ta drejtojë Liverpoolin. Kjo nuk do të ndodhë, por unë ende jam tifoz i Liverpoolit”, kishte vazhduar trajneri legjendar suedez.

Pasi dëgjuan deklaratën, tifozët e Liverpoolit shfrytëzuan rrjetet sociale për ta bërë të mundur realizimin e ëndrrës së Erikssonit. Ish-sulmuesi i Anglisë, Robbie Fowler tha se thirrjet ishin të shumta tashmë.

I pyetur nëse do të pranonte drejtimin e legjendave të Liverpoolit, Eriksson tha: “Natyrisht se do ta pranoja. Ishte ëndërr e imja”.

“Do të kishte shumë futbollistë të njohur. Kjo gjithnjë ishte ëndrra ime, por nuk po ankohem. Kam drejtuar shumë ekipe të njohura, shumë përfaqësuese, kështu që jam i lumtur”.

Ndeshja e veteranëve të Liverpoolit me veteranët e Ajaxit do të zhvillohet në “Anfield” më 23 mars dhe ka karakter humanitar.

Dan Clubbe, një përfaqësues tifozësh ka thënë se kampanja për të ndihmuar realizimin e ëndrrës së Erikssonit tregon se tifozët mund të bashkohen në kohëra të vështira. Sipas tij, tifozët bashkohen shpesh për të mundësuar që ëndrrat e njerëzve të realizohen.

“Ditët e legjendave janë ditë brilante për të bërë shumë para për qëllime të mira. Kam shumë dëshirë që të shoh që po ndodhë kjo”, ka thënë Clubbe.

Gjithë paratë e grumbulluara nga ndeshja do të shkojnë për Fondacionin LFC dhe partnerët e tij të bamirësisë.

Eriksson ka thënë se ka edhe rreth një vit jetë. Ai ka karrierë të gjatë e shumë të suksesshme si trajner futbolli. Ka drejtuar Benfican, Romën, Fiorentinan, Sampdorian, Lazion, përfaqësuesen e Anglisë, Manchester Cityn, Leicester Cityn dhe skuadra e përfaqësuese të tjera.