Për katër ditë futbollistet e skuadrës së Mitrovicës janë karantinuar në Skenderaj për të qenë gati në çdo aspekt për ndeshjen e radhës në Superligën e Kosovës. Ndeshja që vjen nuk është sikurse të tjerat, që ekipi mitrovicas i fiton lehtë dhe me rezultat të thellë.
Mitrovica do të përballet me ekipin EP Hajvalia që po ashtu pa telashe triumfon bindshëm me kundërshtarët e tjerë. EP Hajvalia është kampione në fuqi dhe e pret Mitrovicën në kuadër të xhiros së 12-të, në derbin e vetëm në elitën e futbollit të femrave. Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën prej orës 13:00 në stadiumin e Rilindjes në Prishtinë dhe mund ta përcaktojë kampionin e këtij edicioni. Të dyja ekipet kanë të tubuara nga 31 pikë, por EP Hajvalia është e para në tabelë për shkak se ka goldallim më të mirë se Mitrovica për vetëm një gol, 104 me 103. Deri më tani në Superligën e futbollisteve janë zhvilluar 11 xhiro, kurse dueli i parë mes këtyre dy ekipeve ka përfunduar pa fitues – 2:2.
Edhe pse do të luhet edhe ndeshja e tretë, dueli i së shtunës mund të jetë përcaktues për titullin e kampionit. Skuadra që fiton ndeshjen shkëputet në tri pikë, që kanë vlerë të madhe në rivalitetin mes EP Hajvalisë dhe Mitrovicës.
“E kemi edhe ndeshjen e tretë që zhvillohet më vonë, por kjo ndeshje është shumë e rëndësishme. Kush e fiton këtë përballje do ta ketë më të lehtë duelin e tretë për shkak se do të jetë lider me tri pikë më shumë. Kështu që synimi ynë është ta fitojmë këtë ndeshje për ta vazhduar ecurinë e mirë që e kemi pasur deri më tani. Sigurisht që do të jetë një lojë e fortë dhe derbi i vërtetë, pasi si ne ashtu edhe Mitrovica nuk kemi humbje këtë sezon. Jemi përgatitur mirë dhe mendoj se ekipi është gati për fitoren e radhës, ndonëse nuk do të jetë lehtë”, ka thënë Suada Jashari, trajnere e EP Hajvalisë.
EP Hajvalia në këtë derbi futet pas fitores së thellë, 29:0, ndaj Jakovës, ndërsa Mitrovica në xhiron e fundit triumfoi 7:1 kundër Llapit.
Futbollistja e Mitrovicës, Edona Kryeziu, ka insistuar se triumfi e ngrit ekipin e saj në vendin e parë dhe për këtë duhet ta fitojnë patjetër.
“Jemi përgatitur maksimalisht dhe unë besoj në grupin pasi do të futemi në këtë ndeshje për fitore. Çdo ndeshje e ka rëndësinë e saj, por ky derbi është më i veçantë pasi është lojë me përgjegjësi të madhe dhe me emocione. Fitorja është shumë e rëndësishme pasi na ngre në vendin e parë në tabelë duke na ofruar më shumë te titulli i kampionit”, është shprehur Kryeziu.