Sport

Emërllahu pret t’i realizojë këtë vit synimet që ia shtyu lëndimi

Thuajse para dhe pas çdo ndeshjeje të rëndësishme të kampionatit dhe Ligës së Konferencës, trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka përmendur emrin e Lindon Emërllahut. Daja ka treguar se sa e rëndësishme ka qenë mungesa e mesfushorit qendror. Për mungesën e Emërllahut pati folur edhe ish-selektori i Kosovës, Primozh Gliha.

Fjalët që ka dëgjuar nga Daja dhe Gliha, për Emërllahun kanë qenë motiv për ta tejkaluar më lehtë lëndimin e pësuar pesë muaj më parë. 21-vjeçari i është bashkuar këtë javë Ballkanit në stërvitje, ndërsa shpreson që shpejt të paraqitet në fushë. Shpreson të ftohet edhe nga selektori i ri i Kosovës për ndeshjet e këtij viti.

“Është gjithmonë privilegj kur një profesor si Ilir Daja flet për mua, sepse më ka ndihmuar shumë gjatë gjithë kësaj kohe sa kam qëndruar jashtë fushës. Çdo herë që ai flet është një motiv shtesë për mua që të vazhdoj të rritem edhe më shumë. Edhe ish-përzgjedhësi Primozh Gliha në një intervistë e ka përmendur emrin tim dhe kjo ishte ndjenjë e mirë duke marrë parasysh se isha i lënduar. Kur dëgjoja se flitej për mua, kjo më motivonte edhe më shumë që të kthehem edhe më i fortë”, ka deklaruar Emërllahu të dielën për KOHËN.

Më 3 gusht të vitit të kaluar, Lindon Emërllahu e zhvilloi ndeshjen e fundit me Ballkanin. Ishte në kulmin e formës dhe po bëhej gati për ta bërë hapin tjetër para në karrierë. Por lëndimi i rëndë që e pësoi pas 17 minutave lojë në fitoren 4:1 të Ballkanit kundër Larnes, e la atë jashtë fushës së gjelbër prej atëherë.

Emërllahu tani është kthyer në stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës kampione. Ai ishte operuar në gjurin e djathtë, por e ka lënë prapa lëndimin dhe synon të kthehet edhe më i fortë.

“Po besoj që do ta nis aty ku e kam lënë, sepse çdo gjë është duke shkuar në rregull. Besoj që edhe me ndihmën e bashkëlojtarëve do ta gjej përsëri formën që e kam pasur dhe do të vazhdojmë të gjithë së bashku për objektivat e klubit”, ka thënë Emërllahu.

Ai nuk pati fatin të luante në ndeshjet e Ballkanit në fazën grupore të Ligës së Konferencës të edicionit aktual. Por e ka përcjellë vazhdimisht skuadrën. Talenti i madh u është falënderues të gjithëve në klub që i kanë qëndruar afër në momentet më të vështira.

“Mirë jam dhe çdo gjë ka shkuar në rregull. Edhe rehabilitimi ka shkuar shumë mirë në këta pesë muaj sa janë bërë. Kështu që dua ta falënderoj familjen time për mbështetjen që më kanë dhënë, e po ashtu edhe të gjithë në klubin Ballkani me presidentin Arsim Kabashi, që më ka qëndruar afër për çdo gjë që kam pasur nevojë. Një falënderim i madh edhe për shtabin teknik, profesorin Ilir Daja. Dua t’i falënderoj edhe bashkëlojtarët e mi që më kanë mbështetur gjithmonë kur isha në ditët më të vështira”, thotë Emërllahu.

Ai nuk pritet të luajë me fanellën e Ballkanit deri në fund të muajit të ardhshëm. Në klub nuk dëshirojnë që të rrezikojnë me të pas lëndimit që pati.

Emërllahu shpreson që kur të kthehet në fushën e lojës, ta ndihmojë ekipin në arritjen e objektivave. Natyrisht, edhe të pretendojë kalimin te ndonjë skuadër evropiane siç kanë bërë shumë të tjerë nga Superliga e Kosovës. E pret edhe ftesën e Kosovës nëse ka paraqitje të mira.

“Sa i përket ftesës, unë e kam përmendur edhe më herët se pa marrë parasysh a ftohem apo jo, unë do të jem gati gjithmonë për Kombëtaren, pasi ta veshësh fanellën e vendit tënd është një emocion shumë i madh. Shpresoj që në të ardhmen të ftohem përsëri dhe t’i tregoj vlerat e mia”, është shprehur Emërllahu.

21-vjeçari për Ballkanin ka luajtur 59 ndeshje, derisa për Përfaqësuesen A të Kosovës i ka dy paraqitje. Ai pritet të jetë lojtar i rëndësishëm i Ballkanit në rrugëtimin drejt titullit të ri.