Fitorja në udhëtim ndaj Spojnia Stargardit të Polonisë ka rritur gjasat e Pejës për të avancuar nga faza e parë e grupeve të FIBA Europe Cup. Peja të mërkurën mbrëma triumfoi me shifrat 83:79 ndaj ekipit polak në kuadër të xhiros së tretë të Grupit H. Për Pejën, kjo ishte fitorja e dytë rresht në këtë garë, pasi javën e shkuar e mposhti ekipin nga Holanda, Heroes Den Bosch (99:84) në palestrën “Karagaçi”. Aktualisht, Peja zë vendin e dytë në grup me 5 pikë, një më pak se Niners Chemnitzi i Gjermanisë, ekip që i ka fituar tri ndeshjet e para.
Chemnitzi ka mposhtur edhe Pejën në xhiron e parë, ndërsa javën tjetër do të përballet me kampionen e Kosovës në palestrën “Karagaçi”.
Te Peja besojnë se kanë një mundësi të mirë për të avancuar në fazën e dytë të grupeve pas fitoreve të njëpasnjëshme me Den Boschin dhe Spojnia Stargardin. Kështu ka insistuar amerikani Justin Edler-Edler-Davis, i cili ndaj ekipit polak ishte më i dalluari te Peja. Ai ndeshjen e mbylli me “double-double” prej 18 pikëve e 13 kërcimeve dhe pret të vazhdojë me paraqitje të tilla edhe në ndeshjet e tjera, qofshin ato në kuadër të FIBA Europe Cup apo Superligës së Kosovës.
Në fakt amerikani Edler-Davis bëri vend në pesëshen e xhiros në FIBA Europe Cup, që dëshmon paraqitjen superiore.
“Është fantastike që kemi marrë dy fitore nga tri ndeshjet e para në grup dhe tani pritshmëritë tona janë që të luftojmë në tri ndeshjet e ardhshme për të kaluar në fazën tjetër. Ne besojmë se jemi të aftë të fitojmë këto ndeshje për të siguruar kualifikimin tutje, por duhet të vazhdojmë të punojmë shumë dhe të angazhohemi maksimalisht për t'u siguruar që kjo të ndodhë”, ka thënë Edler-Edler-Davis për KOHËN. “Ne kemi punuar dhe jemi përgatitur për të pasur paraqitje të tilla në FIBA Europe Cup, me të cilat besoj se do të vazhdojmë pasi duam të shkojmë shumë më larg”.
Peja krahas paraqitjeve të mira në Evropë po tregon formë të shkëlqyer edhe në Superligën e Kosovës. Është ekipi i vetëm që ende nuk di për humbje pas gjashtë xhirove të zhvilluara dhe i prin tabelës me pikë maksimale – 12.
Edler-Davis thotë se Peja mund të vazhdojë me paraqitje të tilla, por duhet të qëndrojë me “këmbë në tokë” për të mbajtur ritmin.
“Ne kemi pasur një start të shkëlqyeshëm edhe në Kosovë dhe besojmë se mund të vazhdojmë me këtë ritëm, por njëjtë sikurse në FIBA Europe Cup, ne nuk duhet të ndihemi të vetëkënaqur. Duhet të marrim çdo ndeshje me seriozitet dhe të angazhohemi maksimalisht në mënyrë që në fund të edicionit të jemi të kënaqur me arritjet. Vetëm me një qasje të tillë mund të mbajmë formën aktuale”, shtoi Edler-Davis.
Edler-Davis është njëri prej shtatë basketbollistëve amerikanë te Peja këtë edicion, por ndër më të dalluarit. Ai po luan me mesatare prej 13.5 pikëve e 9 kërcimeve në kampionat, ndërsa në FIBA Europe Cup ka 12 pikë e 8 kërcime për ndeshje.
Përkundër këtyre statistikave të mira, Edler-Davis insiston se mund të jetë edhe më efikas, gjë që do ta dëshmojë në ndeshjet e ardhshme të Pejës. Krahas Edler-Davisit, pjesë e Pejës janë edhe Jay Jay Chandler, Aaron Cook, Tervell Beck, Jacob Calloway, Urald King e Malcolm Armstead. Armstead llogaritet vendor pasi posedon pasaportën e Kosovës.
“Unë nuk jam kurrë i kënaqur me paraqitjet e mia. Ndiej se ka gjithmonë gjëra që mund të bëj më mirë për të ndihmuar ekipin. Nuk jam treguar aq i mirë në gjuajtjet nga distanca sa do të doja, por sapo të filloj të qëlloj nga ato pozita, mendoj se të gjithë do të shohin një nivel tjetër të lojës sime”, paralajmëroi Edler-Davis.
Edler-Davis thotë se ka ardhur te Peja për trofe, saktësisht ta ndihmojë ekipin në mbrojtjen e titullit të kampionit, të cilin e fitoi edicionin e shkuar. Për Pejën ishte titulli i parë pas një dekade.
Para se t’i bashkohej Pejës, 25-vjeçari karrierë në Evropë ka bërë edhe në Portugali. Insiston se është ambientuar shumë mirë te Peja dhe se Superliga e Kosovës përbëhet prej ekipeve cilësore, ndërsa atmosferën e krijuar nëpër palestra, e vlerëson si diçka të mrekullueshme.
“Peja është një ekip që punon shumë dhe pret fitore në çdo ndeshje. Kjo është gjëja e parë që ma thanë kur erdha qysh në takimin e parë. Dhe, kjo më pëlqeu shumë, sepse erdha në Pejë për të fituar dhe për të pasur rezultatet që po i kemi tani. Por është ende herët dhe ne duhet të vazhdojmë të luftojmë për të fituar, sepse kemi pritshmëri të mëdha”, pranoi Edler-Davis. “Unë e shoh Ligën e Kosovës si një ligë me atmosferë të shkëlqyer në palestra, gjë që më pëlqen, është e mrekullueshme të luash para turmave pasionante, pasi kjo u sjell më shumë energji lojtarëve në fushë. Ka ekipe vërtet të mira në këtë ligë dhe nuk mendoj se kjo ligë merr meritat që i meriton për produktin që nxjerr në fushë. Në përgjithësi, më pëlqen këtu dhe jam mirënjohës për mbështetjen që merr klubi ynë”.
Pas ndeshjes në FIBA Europe Cup, skuadra e Pejës do t’u rikthehet garave në Superligën e Kosovës, ku synon fitoren e shtatë. Në kuadër të xhiros së shtatë, Peja luan në shtëpi kundër skuadrës së Bashkimit këtë vikend.