37-vjeçari Jose Blesa, nutricionisti i Baselit, është i qartë në atë që e flet. Spanjolli i gjatë 185 centimetra, peshon 95 kilogramë. Me masë të pastër të muskujve, natyrisht.
“Pa dyshim, është ndihmesë për punën time nëse dukesh në formë”, pranon Blesa.
Por fakti se pse ai është pjesë e stafit të trajnerit 49-vjeçar Fabio Celestini, nuk është se duket mirë, por për shkak se ka qenë i suksesshëm. Blesa është farmacist i diplomuar dhe ka titullin master si nutricionist i sporteve. Para se t’i bashkohej Baselit, ai punoi te klubi arab Al-Nassr për dy vjet, ku ishte përgjegjës për ushqimet e pesë herë futbollistit më të mirë në botë, Cristiano Ronaldo.
Ai është ftuar nga trajneri kondicional, Carlos Menendez, për të punuar te Baseli.
Kur bëhet plani ushqimor, bëhet i veçantë për secilin lojtar dhe është vendimtar.
Portieri Marwin Hitz ha më pak në vikend, sesa në fillim të javës.
“Në ditën e ndeshjes, portieri është më pak i sfiduar fizikisht sesa në ditët stërvitore”, thotë Blesa.
“Është krejtësisht ndryshe me mesfushorin qendror, i cili duhet të mbulojë shumë kilometra në fushë për 90 minuta”.
Në mënyrë që dieta të jetë e duhura për çdo lojtar, bëhen kontrolle të peshës çdo ditë, ndërsa kontrollet për vlerat e gjakut dhe yndyrës bëhen çdo dy javë. Kontrollohet me aparate të veçanta edhe kualiteti i gjumit.
Për Xherdan Shaqirin, Blesa thotë se duhet të intervenojë vazhdimisht, në mënyrë që golashënuesi më i mirë i Baselit të jetë në formën e duhur.
“Pas ndeshjeve në shtëpi, ne gjithmonë hamë së bashku në pjesën VIP. Ndonjëherë i them Shaqirit të hajë më shumë. Natyrisht, ai dëshiron edhe vetë që të jetë në formë sa më të mirë. Por, pas ndeshjeve, është e rëndësishme që rezervat e tij për rikuperim të jenë të mbushura”, thotë Blesa.